8 aksidente nga rreshjet në Kukës dhe Sarandë

Reshjet e dendura të shiut në rajonin e Kukësit kanë krijuar probleme në qarkullimin rrugor. Në rrugën Kukës-Morinë, të hënën në mbrëmje pati tre aksidente me shtatë shtetas kosovarë të lënduar jashtë rrezikut për jetën. Situata në segmentin Morinë-Tunel Kalimash aktualisht është normale dhe nuk ka probleme në lëvizjen e automjeteve.
Në disa pjesë të segmenteve të tjera rrugore ka patur rrëshkitje të gurëve dhe dherave. Problematike mbetet segmenti i rrugës Kukës-Krumë që momentalisht është pa kontratë sipërmarrje. Në segmentet rrugore Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Bushtricë pati rënie gurësh dhe dhera për shkak edhe të terrenit që favorizojnë rënien e gurëve dhe të inerteve në rrugë. Reshjet e orëve të fundit kanë shtuar sasinë e ujërave, të cilat furnizojnë liqenin e Fierzës. Me një intensitet të lartë, këto reshje kanë sjellë uljen e ndjeshme të temperaturave.
Ditën e djeshme në qytetin e Sarandës në vendin e quajtur Qafë Muzinë janë regjistruar 5 aksidente. Kjo situatë problematike është shkaktuar si pasojë e motit të keq. Nga përplasjet nuk ka të lënduar dhe viktima, por vetëm dëme materiale. Që nga mbrëmja e së hënës, ku reshjet dhe stuhia kanë ndërprerë edhe ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, pritet që në të gjithë Shqipërinë të ketë mot të keq dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.

Artikulli paraprakMaskat grabisin 14 milionë lekë në një kompani në Tiranë
Artikulli tjetërBurg për David Qosen: Nuk doja të vrisja efektivin, më qëlluan të parët