8 dhjetori, nevoja për një sistem të ri

Nga Namir Lapardhaja

Demokracia në Shqipëri lindi e vdekur.
Studentët, të cilët duhet të ishin në pararojë jo vetëm të ndryshimeve, por edhe të mbizotërimit të jetës politike në vend, u përdorën nga elita politike e kohës si një garniturë e shkëlqyer.

Më pas perdja ra dhe askush nuk u mundua ta fsheh më se gjithçka ishte e kurdisur sipas një plani të mirorganizuar.

Edhe nëse nuk kishte një regji qendrore, ishin vetë aktorët që u kujdesën që gjithçka të ishte nën kontrollin e tyre.

I yti mishin ta ha, por kockat t’i ruan.
Dhe kështu u bë.

Mjafton të shohësh sot elitën politike, mediatike dhe të biznesit për të vërtetuar se gjithçka ka funksionuar perfekt.

Lulzim Basha, i vetmi politikan jashtë kësaj skeme, u largua prej saj “me pekule” dhe sulmohet përditë egërsisht prej politikës, medias dhe oligarkisë.
Përtej kusureve që mban mbi shpinë, është i vetmi që nuk ka dalë nga paradhoma e Ramiz Alisë dhe, si i tillë, shkatërron skemën.

Edi Rama, kryetar i PS-së dhe Kryeministër i Shqipërisë, është mjaftueshmërisht i vjetër në politikë, për të qenë një rrobë e tripsur dhe kundërmuese, për shkak të konsumit të madh dhe trashëgimisë politike.

Sali Berisha, kryetari i parë i PD-së, është rikthyer dhe vijon të jetë garanti më i madh i skemës së demokracisë së kontrolluar në vend, duke e udhëhequr këtë grupim sipas metodës së karrotës për miqtë dhe kërbaçit me armiqtë.

Ilir Meta i ftuar në takimin e Ramzis Alisë me studentët e Universitetit të Tiranës, është rikthyer në krye të partisë që vetë themeloi në vitin 2004, tashmë me emër tjetër, dhe, pas daljes së dosjes si bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit, kristalizohet ideja se asgjë nuk ka qenë rastësore për djalin e një familjeje të thjeshtë nga Çepani i Skraparit.

Pjesa tjetër e politikanëve janë thjesht zare në duart e tyre.

Kjo treshe deri më sot ka dhënë mundësinë për të bërë karrierë dhe për ta shkatërruar atë, ndërkohë që gjasat janë që edhe këta vetë të jenë pjesë e një skeme dhe mekanizmi më të madh, që garanton vazhdimësinë dhe paprekshmërinë e tyre.

I vetmi garant i shkërmoqjes dhe shpërbërjes së kësaj skeme mbetet SPAK dhe mbështetja amerikane e tij.

Përveç elitës politike, e njëjta situatë është në atë mediatike dhe ekonomike.

Media kujdeset të mbrojë këtë klasë politike, për shkak të përfitimeve të mëdha ekonomike, ndërsa pjesa më e madhe e të ashtuquajturve oligarkë janë ish-oficerë të regjimit të vjetër, rrjedhimisht pjesa më e indoktrinuar ideologjikisht, gjë që tregon se edhe ata nuk janë rastësisht në ato kuota ekonomike. Sigurisht jo të gjithë.

Shoqëria civile është inekzistente në rastin më të mirë, ndërsa e blerë në rastin më të keq.

Për të mos folur për intelektualët, që në shumicën e rasteve, pjesa më e madhe e tyre janë trashëgimtar të mendësisë dhe filozofisë komuniste, kurse pjesa tjetër, e trembur dhe anemike.

Nuk shërbejnë për asgjë.

Demokracia në Shqipëri është shndërruar në një lojë bajate.

Qytetarët nuk besojnë më tek ndryshimi që mund të vijë prej zgjedhjeve dhe, në vend të reagimit, kanë zgjedhur të ikin, të emigrojnë.

Ata nuk e duan qeverisjen, por nuk besojnë tek opozita, gjë që e mban situatën të bllokuar, të pandryshuar.

Nëse do të parafrazonim profesorin e shkencave politike, Ivan Krastev-in, demokracia në vend ka humbur mundësinë e saj për t’u vetëkorrigjuar dhe është kujdesur më shumë për të mbajtur të paprekur fasadën demokratike. Qeveritë në vend janë ndryshuar, por nuk është arritur të korrigjohen politikat e tyre, sepse në këtë lloj demokracie njerëzit e kanë humbur shpresën që zëri i tyre mund të sjell ndryshim.

E gjithë lufta sot bëhet për të ruajtur fasadën dhe status quo-n e mosndryshimit të gjendjes.

Ndaj duhet një sistem tjetër me aktor të rinj, që prishin skemën e paradhomës së Ramiz Alisë.

Exit mobile version