Sot është 8 Marsi, një ditë e shënuar për të gjitha nënat, gratë dhe vajzat. Sot, është dita e tyre dhe për fat të keq ndonjëherë kjo është dita e vetme që marrin pak ngrohtësi një dhuratë dhe urime nga të afërmit e tyre.
Kujtojmë se kohët e fundit, në vend ka pasur një bilanc tragjik të vrasjes së grave, nënave dhe vajzave.
Ndal vrasjeve për motive banale dhe pa arsye.
Në shenjë proteste, përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë janë mbledhur gra dhe vajza të cilat me pankarta në duar i kujtojnë të gjithëve se ato kanë nevojë për dashuri, lule dhe ngrohtësi çdo ditë dhe jo një herë në vit, jo vetëm me raste festash por 365 ditët e vitit.
Vetëm gjatë fillimit të këtij viti janë vrarë 7 gra
E njohur si dita ndërkombëtare e gruas, 8 Marsi diku festohet e diku protestohet, për më shumë të drejta e barazi gjinore. Por për Gentiana e Merisa Caushajn, Valentina Matën, Eva Lerën, Ervilma Seferin, Lirie Xhepën e Nazime Demollarin jeta u shua nga meshkujt e shtëpisë, burra, djem apo të afërm të tyre. Krime që mund të ishin parandaluar, ndërsa sot, emrat e tyre, janë në statistikat si i viktima të dhunës së burrave, dhe si një këmbanë alarmi se shumë mbetet ende për t’u bërë.
2019, nisi me një ngjarje tronditës. Më 2 janar, 34-vjecari Gazment Musta la të vdekur pas një sherri banal bashkëshorten e tij, Gentiana Caushaj dhe kunatën 18-vjeçare, Merisa Caushaj.
Më 14 janar Majlind Lala dhëndër në familjen Mata qëlloi për vdekje me armë vjehrrën e vjehrin e tij. Bujar Mata, 63 vjeç dhe gruaja e tij Valentina Mata, 52-vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në lagjen “Kristaq Mone”, ndërsa vajza e tyre e shokuar mori lajmin e kobshëm në Suedi, ku edhe kishte jetuar me ekzekutorin Majlind Lala.
Më 6 shkurt në Vlorë, 57-vjecari Teodor Lera i mori jetën gruas së tij, Eva Lera, 45 vjece, duke e mbytur me duar, nënë e tre fëmijëve. Krimi i rëndë në Vlorë ishte një tragjedi e paralajmëruar ashtu si shumë të tjera që kanë ndodhur në vend, vite me parë çifti Lera kishte përfunduar në polici, pasi Teodori i kishte çarë kokën gruas së tij dhe ishte arrestuar nga forcat e policisë. Por më pas bashkëshortja e tij Eva e kishte falur.
Vetëm 6 ditë më pas, më 12 shkurt, një tjetër grua, nënë e një vajze të mitur u vra nga bashkëshorti i saj gardist. 44-vjeçari, Alket Arapaj punonjës prej 21 vitesh i Gardës së Republikës vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36-vjeçare, Ervilma Seferi. Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit, ndërsa policia vuri në pranga burrin vrasës.
Më 14 shkurt, Lirie Xhepa rreth 49 vjeçe u gjet e masakruar në liqenin e Sharrës. Policia tha se ajo ishte viktimë e kunatit të saj, Dashamir Xhepa i cili ndër të tjera e kishte qëlluar me tre plumba në trup. Shkak i krimit dyshohej një lidhje intime mes tyre.
Vetëm pak ditë më parë, më 4 mars, 80-vjeçarja Nazime Demollari, mbeti viktimë nga djali i saj, Nazim Demollari, i cili për ironi të fatit mbante emrin e saj. 54-vjeçari mbyti me duar nënën e tij pas një sherri në banesë.