8 miliardë euro stoku i borxhit të jashtëm në vetëm 6 muaj

Stoku i borxhit të jashtëm të Shqipërisë, publik dhe privat, ka arritur në gati 8 miliardë euro në gjashtë mujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë ka bërë një analizë të detajuar mbi borxhin e jashtëm bruto të vendit tonë, kur rezulton se në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, borxhi i jashtëm ka rënë me 5 pikë përqindjeje, duke arritur në nivelin 70% të PBB. Qeveria zë peshën më të madhe ne strukturën e borxhit të jashtëm me 43,2% të totalit ose rreth 3,4 miliardë euro. Në raport me PBB-në borxhi i jashtëm qeveritar vlerësohet 30.2%, me rënie 1.7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Pas qeverisë në marrjen e borxhit renditen huatë ndër kompani të investimeve të huaja direkte, me 22.3%, të totalit, dhe vazhdojnë huatë e korporatave depozituese, borxhi i sektorëve të tjerë dhe ai i autoritetit monetar. Raporti ndërmjet borxhit të jashtëm dhe eksportet tona është në nivelin 183.6%, me rënie krahasuar me një vit më parë. Por Banka e Shqipërisë vlerëson se ky tregues është përsëri mbi pragun kritik prej 150%. Stoku i rezervës valutore në vendin tonë është i mjaftueshëm për të përballuar goditjet negative të mundshme nga jashtë. Kjo rezervë mbulon mbi 6 muaj e gjysmë importe mallrash dhe shërbimesh.

Qeveria mban peshën kryesore të borxhit

Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e Borxhit të Jashtëm Bruto. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 2% dhe në fund të muajit shtator 2017 shënon 3,429 milionë euro. Borxhi i Qeverisë së Përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Teprica e huave afatgjata u rrit me rreth 69 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve është ulur me 6 milionë euro – në vijim të blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë. Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori. Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës së Shqipërisë ra përgjatë vitit me rreth 8%, në reflektim të shlyerjes së huasë të FMN dhe në fund të muajit shtator 2017 shënon 57 milionë euro. Në masën më të madhe, ky borxh përbëhet nga alokimet e SDR-së (97%), ndërsa huatë afatgjata të akorduara nga FMN zënë vetëm 3%. Në fund të periudhës, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,362 milionë euro dhe në terma vjetorë ra me 5 milionë euro. Ai prezantohet kryesisht në formën e “huave” dhe “monedhave dhe depozitave”, respektivisht në rreth 12% dhe 87% të totalit. Sektorët e tjerë kanë tkurrur detyrimet e tyre me jashtë, me rreth 42 milionë euro në nivelin 1,256 milionë euro. Borxhit të jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte, hua ndër kompani” arriti nivelin prej 1,728 milionë eurosh, duke u zvogëluar në harkun kohor të një viti me 56 milionë euro.

 

Artikulli paraprakLiverpool duhet të përmirësohet
Artikulli tjetërMerkatoja e Interit