“8 milionë njerëz vdesin çdo vit”, cigaret do të jenë një gjë e së kaluarës, vendet që po heqin duhanin nga qarkullimi

Gjithnjë e më shumë po shtohen vendet, që në mënyrë direkte apo indirekte, synojnë eliminimin e plotë të duhan pirjes në brezat e ardhshëm. Portugalia, Kanadaja, Australia, Franca, Zelanda e Re, Meksika dhe Britania janë vetëm disa nga vendet që kanë nisur tashmë masat për të rritur një brez “pa duhan”.

Arsyeja është sigurisht e qartë: barra për shëndetin e duhanpirësve dhe duhanpirësve pasivë është e lartë, duke rritur për pasojë kostot shëndetësore. Është “një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik që bota është përballur ndonjëherë”, sipas OBSH-së, e cila vlerëson se të paktën 8 milionë njerëz vdesin çdo vit nga pirja e duhanit.

Shumë vende, përfshirë Shqipërinë, e kanë ndaluar tashmë pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura (Irlanda filloi fillimisht në 2004 kur u bë vendi i parë në botë që ndaloi pirjen e duhanit në vendet e punës, duke përfshirë restorante dhe bare). Hapi i radhës duket se do të jetë heqja në ambientet e jashmte, si dhe shtrirja e masave për cigaret elektronike.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, këto masa janë forcuar vitet e fundit pjesërisht për shkak të presionit të madh në sistemin shëndetësor pas pandemisë. Disa shembuj të vendeve që po ecin në këtë drejtim, duke marrë masa strikte kundër duhanit:

Portugalia

Duke synuar krijimin e një brezi pa duhan deri në vitin 2040, Portugalia njoftoi një projekt-ligj këtë vit për të kufizuar shitjen e duhanit dhe pirjen e duhanit në vende publike. Nëse miratohet, do të ndalohet pirja e duhanit jashtë ambienteve të ngrënies dhe strukturave publike, ndërsa nga viti 2025 shitja e produkteve të duhanit do të bëhet vetëm në dyqane të veçanta dhe aeroporte. Masat do të kenë të bëjnë edhe me cigaret elektronike, ndërsa do të shoqërohen me reduktim të reklamave të lidhura me to dhe me të gjitha llojet e promocioneve.

Kanadaja
I ngjashëm është vizioni i Kanadasë, e cila synon të reduktojë përdorimin e cigareve në më pak se 5% deri në vitin 2035. Për ta arritur këtë, Ministria e Shëndetësisë e vendit së shpejti do të mandatojë vendosjen e mesazheve paralajmëruese (të ngjashme me ato tashmë në pako) në vetë cigaret.

Zelanda e Re dhe Australia
Një brez pa duhanpirës është parashikuar nga Zelanda e Re, e cila vitin e kaluar ndaloi shitjen e cigareve për të lindurit nga viti 2009 e në vazhdim. Gjithashtu, kohët e fundit janë paralajmëruar masa për uljen e shitjeve të produkteve të ngjashme pranë shkollave. Në të njëjtën kohë, do të ketë kufizim në sasinë e nikotinës së lejuar në produktet e duhanit, si dhe në numrin e tregtarëve që kanë të drejtë t’i shesin ato.

Ndërkohë, shteti më i madh i Australisë, Queensland, planifikon t’i bëjë hapësirat publike pa duhan, siç janë parkingjet e shkollave dhe ngjarjet për të miturit. Ajo gjithashtu planifikon të vendosë rregulla më të rrepta për cigaret elektronike dhe produktet e ngjashme.

Franca
Presidenti francez Emmanuel Macron është angazhuar tashmë për krijimin e gjeneratës së parë pa duhan, duke përfshirë një rritje të mëtejshme të çmimit të paketave. Gjithashtu, kryeministrja e vendit, Elizabeth Bourne, tha së fundmi se qeveria do të ndalojë cigaret elektronike njëpërdorimshe, të cilat janë jashtëzakonisht të njohura në mesin e të rinjve.

Meksika
Në fillim të vitit, Meksika shpalli ndoshta ligjin më të rreptë kundër duhanit në botë, duke ndaluar pirjen e duhanit në të gjitha vendet publike. Nëse zbatohet me besnikëri, atëherë pirja e duhanit lejohet vetëm në shtëpi. Gjithashtu, çdo lloj promovimi i cigareve është plotësisht i ndaluar, pra ato nuk mund të shfaqen as në raftet e dyqaneve ku lejohen të shiten.

Britania
Sipas rregullave të reja, të cilat mund të hyjnë në fuqi në vitin 2024, asnjë i mitur nën moshën 14 vjeç nuk do të jetë në gjendje të blejë cigare ose produkte të tjera duhani ligjërisht në Britani. Çdo vit, projektligji do të rriste me një vit moshën ligjore të blerjes dhe do të kufizonte shitjen dhe promovimin e produkteve të tilla për fëmijët./moneyreview.gr- Liberale.al

Artikulli paraprakShqiptarët paguan 8.8 milionë euro kamatëvonesa për energjinë deri në fund të shtatorit
Artikulli tjetërShqipëria dhe Turqia, të fundit në Europë për shpenzimet buxhetore të mbrojtjes sociale