80 % e mbetjeve shqiptare s’riciklohen, Rama kërkon të sjellë edhe plehrat e Europës

Male të mëdha me mbetje, me plehra, që ndosin zonën dhe e bëjnë të pamundur jetën aty afër, gjenden kudo në Shqipëri. Këto male me plehra rriten çdo ditë, sepse nuk përpunohen, nuk riciklohen. E megjithatë, Edi Rama ka vendosur që këto grumbuj të rrezikshëm me mbetje t’i shumëfishojë duke sjellë edhe nga Europa, gjoja për të mbajtur gjallë industrinë ricikluese. Ndërkohë, më shumë se 80 për qind e mbetjeve shqiptare nuk riciklohen. Partia Demokratike tregoi nga afër një sasi të madhe prej këtyre mbetjeve që kanë pushtuar një zonë fare pranë atraksionit turistik të Gjirit të Lalzit. Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, ishte në terren.
“Po sjellim sot vetëm një dëshmi se si malet me plehra kanë mbuluar Shqipërinë, se si plehrat që Kryeministri i quan mall, që duhet t’i marrë nga jashtë për shkak se nuk ka Shqipëria, për të mbajtur industrinë riciklues, ndodhen në çdo pjesë të vendit. Këtu jemi në Bizë, vetëm 500 metra larg resortit turistik që do të ndërtohej nga Fati Mitri, i cili do të hapte 1200 vende të reja pune. Jemi vetëm 1 kilometër në vijë ajrore nga avioni i Guido Guidit, i cili kishte ardhur për të transportuar drogë”, thotë Salianji duke treguar një mizori me mbetje e plehra.
“Droga dhe plehrat janë alternativa e Ramës për të mbuluar vendin. Kjo është Shqipëria, e cila nuk ka kapacitet dhe nuk investohet për të ndarë në burim dhe për të ricikluar plehrat e veta, por sipas Kryeministri këto plehra janë para, të cilat sot hidhen rrugëve, para të cilat kthehen në kancerogjene për banorët e zonës dhe në dëmtuese të mëdha jo vetëm të imazhit të Shqipërisë, por të jetës së qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të detyruar të bashkëjetojnë me këto male me plehra që ne do t’i sjellim rast pas rasti, sepse në fakt kanë mbuluar Shqipërinë. Plehrat janë mall, thotë Kryeministri.
Po pse atëherë plehrat, pra paratë, qytetarët dhe shtetet e Bashkimit Evropian do t’i sjellin në Shqipëri?! Në rast se janë para pse kompanitë ricikluese nuk investojnë dhe nuk i marrin plehrat për t’i përpunuar në vendin e origjinës, aty ku duhet të përpunohen? Pse Kryeministri dhe industritë ricikluese nuk investohen për të marrë këto male me plehra dhe për t’i kthyer në para dhe vende pune për qytetarët shqiptarë?! Rrezikshmëria e mbetjeve dhe plehrave do të jenë një katastrofë e madhe për Shqipërinë dhe është një akt antikombëtar”, shprehet Ervin Salianji.
Nga ana tjetër, ndërsa prej ditësh po zhvillohet një debat i fortë sa i përket ligjit për importin e mbetjeve, në Shqipëri janë importuar plehra edhe në vitin 2014, pavarësisht se mazhoranca e drejtuar nga Rama ndaloi me ligj importin në vitin 2013. Siaps të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Doganave, të dhëna që tregojnë se vetëm gjatë vitit 2014 kanë hyrë në Shqipëri 333.553 tonë mbetje të ndryshme, që nga plastika e deri te mbetjet e gomave, të cilat shkaktojnë një nivel të lartë ndotje.
Skandali thellohet edhe më tej pasi hyrja e plehrave ka ndodhur në kohën kur doganat shqiptare mbikëqyreshin nga kompania angleze “Crown Agents”, për të cilën qeveria pagoi miliona euro dhe më pas e largoi sepse misioni i saj dështoi. Ky fakt tregon edhe një herë pafuqinë e doganave shqiptare për të kontrolluar mbetjet që hyjnë në vend, edhe kur ligji e ndalonte importin e tyre në vitin 2014.  Mendoni pak se çfarë lloj-lloj mbetjesh do të futen në Shqipëri, tashmë që importi është i lejuar me ligj. Opozita kërkoi mbajtjen e një referendumi për këtë çështje, ndërsa shoqëria civile do të mblidhet të shtunën në një tjetër protestë.

Qeveria pranon se plehrat që do hyjnë në vend janë të rrezikshme

Një muaj para miratimit të ligjit për importin e plehrave në Parlament, edhe qeveria është shprehur kritike. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara.
Vetëm pak javë para miratimit në Parlament, edhe Këshilli i Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillim-gushtit përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë, Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati i PS-së, si dhe Bujar Derveni i LSI-së.
Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e ricklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mos respektimi i kontratave ka kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë.
Ja çfarë thotë Këshilli i Ministrave për këtë:
“Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e eksporteve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin miliona kg mbetje të importuara shtesë”.
Një nga arsyetimet përmes së cilave Kryeministri Rama ka mbrojtur rikthimin e importit të plehrave, të cilin 3 vjet më parë e ndali po vetë, ishte rreziku i falimentimit të industrisë së riciklimit. Shpesh herë Kryeministri theksoi se, investimet e kësaj industrie rrezikonin të shkonin dëm, pasi fabrikat po punon vetëm nga dy ditë në javë. Por vetë relacioni i Këshillit të Ministrave për çështje në fjalë e hedh poshtë këtë pretendim, duke nënvizuar se pjesa më e madhe e tregut të brendshëm të mbetjeve ende nuk ishte shfrytëzuar.
SINK “Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386.728.650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”.
Këto objeksione të forta që vetë Këshilli i Ministrave shprehte ndaj ligjit për importin e plehrave i përkasin fillimit të muajit gusht. Pak javë më pas, më 22 shtator, shumica e majtë aprovoi këtë import, duke injoruar totalisht këto vërejtje që vinin nga qeveria. Si për ironi, një pjesë e ministrave, bashkë me Kryeministrin, dolën në mbrojtje të këtij importi, pa shpjeguar se çfarë kishte ndryshuar në diçka më shumë se një muaj. Asgjë, duket të jetë përgjigjja e një pyetjeje retorike.

Exit mobile version