80% e shqiptarëve në varfëri

Rreth 80% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 10 dollarë në ditë. Sipas portalit Our World in Data, i cili ka përpunuar të dhënat e Bankës Botërore, për shpërndarjen e popullsisë sipas pragjeve të ndryshme të varfërisë, vetëm 20.44% e popullsisë jetonin me mbi 10 dollarë në ditë, pjesa tjetër, 79.56% jetonte me më pak se 10 dollarë në ditë. Të dhënat e Bankës Botërore, të vlefshme për të gjitha shtetet e botës, janë për vitin 2013.
Krahasuar me rajonin, Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë që e kalojnë pragun prej 10 dollarësh në ditë. Më pas renditet Kosova me 25.15% të popullsisë që jeton me më shumë se dhjetë dollarë në ditë, Maqedonia me 38.98%, Serbia me më shumë se gjysmën e popullsisë 58.25%, Mali i Zi me thuajse tre të pestat e popullsisë, apo 60%, që e kalonin pragun prej 10 dollarësh, dhe Bosnja me katër të pestat e popullsisë. Shqipëria ka gjithashtu edhe përqindjen më të lartë të popullsisë që jeton me pragun 3-10 dollarë në ditë, me 73.22% të popullsisë. Në Kosovë, përqindja e popullsisë që jeton në këtë prag është 71.3. Përqindjen më të ulët e ka Bosnja me 19.2%.
Për sa i përket përqindjes së popullsisë që jetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë, përqindjen më të ulët e ka Mali i Zi, ku sipas të dhënave të Bankës Botërore, të cilat janë analizuar prej Our World in Data, është 0. Më pas renditet Bosnja me 0.03%, Serbia me 0.06%, Shqipëria me 0.18% të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë, Kosova me 0.2% dhe me përqindjen më të lartë renditet Maqedonia me 3% të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë në ditë.

Të fundit për të ardhurat për frymë
Pavarësisht se të dhënat e INSTAT tregojnë entuziazëm për rritjen ekonomike të vendit, Instituti vjenez për Studime Ekonomike e rendit Shqipërinë si të fundit në rajon për të ardhurat për frymë. Ajo që Instituti ka analizuar janë të ardhurat për frymë dhe pagat. Në lidhje me treguesin e pagave, Shqipëria renditet në vend të parafundit, duke lënë pas Ukrainën. Sipas Institutit austriak, pagat në Shqipëri vlerësohen sa 30% e austriakëve, referencë që instituti ka marrë për analizë. Serbia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi e lënë pas Shqipërinë, përsa i përket ekonomisë reale. Megjithatë, parashikimet e Institutit në fjalë janë për një përmirësim të Shqipërisë në tre vitet e ardhshme. E ndërkohë që projeksionet tregojnë një situatë ku Shqipëria është e para në rajon, realiteti flet ndryshe, duke i vendosur shqiptarët në vend të fundit, kur bëhet fjalë për ekonominë reale, pra Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë dhe pagat.
Edhe këto të dhëna janë publikuar nga Instituti i Vienës për studime ekonomike dhe tregojnë se sa larg është realisht një vend nga Austria, e marrë si ekonomia referencë në këtë rast. Kur bëhet fjalë për PBB për frymë, në Shqipëri ky indikator është sa 1 e katërta e Austrisë. Më keq se shqiptarët e Shqipërisë janë vetëm ata të Kosovës në këtë drejtim dhe ukrainasit. Por ekonomia e Ukrainës është zhytur thellë në recesion pas konfliktit të fundit në vend. Sa i përket pagave ndërkohë, shqiptarët e Shqipërisë zbresin në vend të parafundit, më mirë vetëm se ukrainasit. Pagat në vendin tonë vlerësohen sa 30% e austriakëve, thotë Instituti i Vienës për Studime Ekonomike. Serbia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, janë të katërta më mirë se Shqipëria në drejtim të ekonomisë reale, asaj familjare, paçka se projeksionet dhe vlerësimet e fundit makroekonomike, po të Institutit të Vienës, tregojnë se Shqipëria i ka lënë pas në 2017 këto vende dhe do të vijojë ti lërë pas në tre vitet e ardhshme.

Të dhënat dramatike të BB për Shqipërinë
Të dhënat krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se, Shqipëria është vendi më i varfër në rajon. Në të gjitha vendet e tjera fqinje me ekonomi të ngjashme, numri i familjeve me të ardhura të ulëta është dukshëm më i vogël. Për të bërë të krahasueshme shifrat e të ardhurave, Banka Botërore i ka paraqitur ato në dollarë amerikanë sipas standardit të fuqisë blerëse. Sipas të dhënave, aktualisht 32.1 për qind e qytetarëve shqiptarë jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë sipas standardit të fuqisë blerëse. Në Maqedoni, që rezulton vendi i dytë më i varfër i rajonit, pjesa e qytetarëve që jetojnë më pak se 5 dollarë në ditë është 21 për qind, ndërsa Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi, ajo është nën 7 për qind.

Paga minimale në Shqipëri, si një lëmoshë
Paga minimale shqiptare është sërish më e ulëta ndër vendet e analizuara. Me një koeficient prej 350 pikësh, 24 mijë lekë në Shqipëri blejnë vetëm gjysmën e çfarë mund të blihen me rrogë minimale në Sllovaki dhe Hungari, e vetëm çerekun e mallrave që mund të blesh në Gjermani. Pavarësisht se paga bazë minimale mujore u rrit vitin e kaluar në 24 mijë lekë të reja, ajo sërish konsiderohet shumë e ulët, duke mos garantuar fuqi të mjaftueshme ekonomike për individët. Zyra europiane e statistikave, Eurostat, në një publikim të fundit, ka krahasuar mosbarazinë e pagave minimale ndër shtetet anëtare të BE dhe vendet kandidate për të cilat ka të dhëna. Në krye të tabelës qëndron Luksemburgu, i cili aplikon rrogën bazë në pothuajse 2 mijë euro. Më pas ndjekin shtete si Irlanda, Holanda, Belgjika, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, ku paga minimale varion nga 1,613 euro në 1400 euro.

Artikulli paraprakShqipëria më e palumtura në Europë, ndër vendet me përkeqësimin më të madh në botë
Artikulli tjetërKush janë të fortët e Dakos që kërcënojnë ministrin Gjiknuri dhe pse hesht Rama