Banorët: Kanali vaditës nuk funksionon prej 23-vjetësh,ne vadisin me mjete primitive, me zorra e pompa dhe kjo po na dëmton ekonomikisht. Kjo gjendje po na detyron të mos i mbjellim më tokat e serat”
Banorët e fshatit Banaj në bashkinë Dimal ankohen për mos funksionimin prej 23-vjetësh të kanaleve vaditëse. Kanali vaditës është rikonstruktuar në vitin 2002 por asnjëherë nuk është vënë në funksion dhe banorët edhe sot vadisin me mjete primitive.
Të gjitha familjet e këtij fshati kanë investuar para, duke shtrirë zorra e tubacione plastike private, për të mundësuar sjelljen e ujit nga lumi drejt tokave të tyre bujqësore dhe serave, për të vaditur. Ky kanal vaditës, me një gjatësi prej 19 km, është ndërtuar si “vepër arti” në vitin 1956, por prej vitit 2002 ai nuk funksionon më si i tillë. Edhe pse ky kanal vaditës riparohet çdo 3-4 vjet nga bashkia me vlera kolosale, në të nuk rrjedh asnjë pikë uji. Banorët e fshatit Banaj pohojnë se për këtë kanal vaditës, që vjen nga Berati drejt Urës së Kuçit, janë investuar miliarda lekë.
“Në vitin 2002 kanali u bë me beton,janë hedhur miliarda lekë për të dhe nga viti 2002 e deri tani ne nuk vadisim. Kanali,me një gjatësi prej 19 km, riparohet çdo 5 vjet, viti i fundit ka qenë në vitin 2022, por ne nuk e kuptojmë pse e riparojnë kur ne nuk kemi vaditur asnjëherë me të prej 23-vjetësh. Ne vadisim me pompa, të cilat funksionojnë me naftë e benzinë dhe kjo po na kushton mjaft. Kjo gjendje e rënduar po na çon drejt falimentimit, po na detyron të mos i mbjellim tokat se nuk kemi sesi ti vadisim”-, shprehen banorët.
Ndërkohë që pohojnë se ata paguajnë rregullisht taksën e vaditjes dhe taksën e kullimit por nuk kanë me se të vadisin, banorët shprehen se fshati i tyre është lënë në mëshirë të fatit.
“Ne paguajmë taksën e ndriçimit, taksën e pastrimit,të gjelbërimit, të rrugës, të koshave etj, ndërkohë që në të gjithë fshatin mungon ndriçimi, mungojnë koshat dhe rrugët e fshatit janë me gropa me ujë e llucë. Në kanalet anës lumit janë edhe sot mbetjet e hedhura nga therjet e vitit të ri dhe askush si ka hequr”, shprehen banorët, të cilët pohojnë se nuk kanë ku të ankohen pasi në bashki askush si pret, ndërkohë që deputetët nuk i njohin fare pasi ata vijnë në zonë vetëm për fushata elektorale./ BalkanWeb