85% kundër, është koha që të largohesh!

Nga Red VARAKU

Vetëm gjashtë vjet pasi Rama mori pushtetin, shqiptarët, që me një bojkot dhe braktisje masive plot 85%, i kanë kërkuar kryeministrit socialist që është koha që edhe ai të largohet dhe të shkojë të pleqërojë në shtëpinë e tij në Surrel.

Strategjia e opozitës së bashkuar dhe Lulzim Bashës, duke filluar me djegjen e mandateve dhe protestat masive, fillimisht pati shumë skeptikë dhe u anatemua egërsisht, por ia arriti ta degdisë Ramën me sukses në njeriun që e bojkotuan dhe braktisën 85% e shqiptarëve.

Kjo braktisje me përmasa të tilla nuk ishte parë që prej kohës së rënies së komunizmit. Ajo pritet të rritet frikshëm nëse Rama nuk bën pas dhe e çon vendin menjëherë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Bojkoti i shqiptarëve në fakt i kapi në befasi të gjithë, sepse për shkak të kapjes që Rama i ka bërë medias, ishte krijuar perceptimi se ai akoma gëzonte mbështetje.

Por, refuzimi ishte i jashtëzakonshëm!

Ai ishte në përmasat e një grushti mbi fytyrën ‘portokalli’ te regjimit autoritar të Ramës. Ishte një bojkot që zbuloi përmasat e vërteta të mbështetjes ‘fake’ që Rama paraqiste nëpër takim-funeralet e tij me administratën. Bojkoti masiv tregoi përmasat e vërteta të pakënaqësisë për qeverisjen e tij tashmë të diskretituar 6 vjeçare.

Një pakënaqësi që kishte marrë përmasa të frikshme ndërsa qëndronte e mbuluar dhe e fshehur për shkak të frikës nga represioni kriminal shtetëror.

30 qershori ishte një moment refuzimi, thuajse referendar, kundër një njeriu që, kërkon të futet në histori me dhunë dhe banda. Si një lider që është gati të bëjë çdo lloj marrëveshje dhe kompromisi vetëm për pushtetin e tij.

Si një lider që është gati të tradhëtojë interesat mbarëkombëtare të shqiptarëve, duke marrë edhe koston e skenarit më të rrezikshëm për shqiptarët dhe rajonin, atë të ndarjes së Kosovës.

Një narciz që miklohet dhe llastohet nga kalamajtë servilë që ka mbledhur rreth vetes dhe i duket vetja Skënderbe.

Në rrafshin politik mesazhi kundër Edi Ramës tregoi se pas 30 vjetësh shqiptarët janë një popull i pjekur.

Ata nuk mund ta kuptojnë dot se si një kryeministër mund të vazhdojë të qeverisë kur përgjimet e BILD dëshmuan katërcipërisht pretendimet e opozitës për kriminalizimin e shtetit.

Ata nuk mund të durojnë më mbi kokë pushtete të përjetshme dhe liderë delirantë karagjozë, që duan të rrinë deri sa të plaken në karrigen e pushtetit.

Kush më mirë se shqiptarët nuk e ka të qartë, që kur një lider kërkon t’i kapë të gjitha pushtetet, diktatura është në prag.

Duke i thënë jo thirrjes së Ramës për zgjedhje pa opozitën, shqiptarët refuzuan një akt që maskuar me vullnetin për zbatimin e kushtetutës dhe me qëllimin për të larguar vëmendjen nga përgjimet e BILD, lakmonte të kapte përfundimisht të gjitha pushtetet.

Duke bojkotuar masivisht Ramën dhe farzën e tij, shqiptarët refuzuan një model autokratik të drejtimit të shtetit, një qeverisje sipas modelit të partisë-shtet, të shtetit brenda shtetit.

Pikërisht në momentin e triumfit,pas orvatjesh kokëforta, krizash dhe intrigash, pikërisht kur Rama arriti t’i kapë të gjithë pushtetet, shqiptarët ia thyen kokën dhe i treguan atij dhe gjithë botës që koha e diktatorëve në Shqipëri ka perënduar përgjithmonë.

Duke bojkotuar hapur farzën e 30 Qershorit, shqiptarët treguan se nuk i duan përçarjet dhe ndasitë krahinore që Rama, nuk pushoi së nxituri në fjalimet e tij të turpshme, mbushur plot urrejtje, në funksion të pushtetit të tij ashtu sikundër një zjarrvënës i fryn prushit.

Shqiptarët refuzuan të mbeten nën drejtimin e një kryeministri dhe qeverie që qëndron mbi ligjin edhe pse maskuar me ligjërimin dinak për reformën në drejtësi.

Ata treguan që nuk duan një lider që për hatër të qëndrimit në pushtet trazon urat e një nacionalizmi primitiv që historikisht, ka qenë premisë e konflikteve të tmerrshme në Ballkan.

Refuzimi i Ramës dhe qeverisjes së tij autokratike, dëshmon se shqiptarët janë në shumicë dërrmuese të dedikuar dhe të vendosur të shkojnë drejt Europës, drejt lirisë dhe demokracisë dhe për këtë qëllim nuk do të bëjnë asnjë hap pas.

 

Artikulli paraprakKryemashtruesi i Tiranës, 10 milionë euro për rikonstruksionin e 1 km rrugë ekzistuese!
Artikulli tjetërRama krijon një monopol të ri në treg! Koncesioni i kontrollit të pompave i heq arkës së shtetit 100 milionë euro