Ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë janë diskutuar vetëm me praninë e deputetëve socialistë dhe ministrit Ahmetaj buxhetet për institucionet, që do ju vihen në dispozicion vitin e ardhshëm. Një prej institucioneve që nuk ka pasur pretendime lidhur me buxhetin e caktuar nga qeveria ka qenë presidenca.
Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Alqi Balko është shprehur se nevojat janë të pafundme, por buxhetin e ka cilësuar realist duke qëndruar në shifrat e një viti më parë.
“Nuk kemi asnjë kërkesë shtesë krahasuar me vitin aktual. Nevojat janë të pafundme por buxheti është realist”, është shprehur Balko.
Po një prej deputetëve që ka kundërshtuar duke e quajtur të fryrë buxhetin ka qenë Bashkim Fino, i cili u shpreh se Presidenti ka një staf me një numër më të lartë punonjësish sesa duhet. Ai tha se 85 punonjës për një president janë shumë, ndërsa kritikoi edhe zërin e investimeve.
“Ka më shumë se sa duhet. 85 veta për një president. Janë goxha fond. Kanë realizuar shumë pak fondet e investimeve. Nëse nuk i bëni, jua japim të tjerëve”, është shprehur Fino.
Nuk dihet nëse ky qëndrim i socialistit ka lidhje me krisjen më të fundit mes presidencës dhe qeverisë Rama, ku mes të tjerave është folur në media dhe për një shkarkim të Ilir Metës.