850 milionë lekë për vilën e kasapit Mehmet

Armand MAHO

I pari do të ishte Enver Hoxha, ai që do të zinte vilën e parë në ish-bllokun e udhëheqjes pas marrjes së pushtetit me anë të terrorit në vitin 1944. Trualli ishte i familjes Biçakçiu, i cili ia dha për ndërtim një inxhinieri italian. Më pas aty Belloti, inxhinieri italian, ia la atë shtëpi në përdorim patriotit korçar Petraq Katro. Pas nxjerrjes në rrugë dhe persekutimit të pronarëve, Enver Hoxha do të vendosej aty në vitin 1945. Dhe natyrisht, pas tij s’kish si mbetej mbrapa dhe Mehmet Shehu, i cili do të ndërtonte disa vite më vonë një vilë pak metra më andej, të cilën do e rikonstruktonte herë pas here dhe poshtë saj do të ndërtonte dhe bunkerët antiatomikë, sipas ideologjisë së marrë të kohës. Madje, thonë se ndërtimi i vilës luksoze të Mehmet Shehut, ndezi jo pak xhelozi tek diktatori, i cili vetëm pak kohë më vonë do të ndërtonte për karshillëk një shtesë tjetër vile. Vila e Shehut do të mbante numrin 30, ndërsa ajo e Enver Hoxhës numrin 31. Deri para pak vdekjes, Enver Hoxha krenohej për mënyrën se si ja kish marrë vilën dhe tokën pronarëve… Ndërkohë përballë saj qëndronte vila e numrit dy të qeverisë, ajo e Mehmet Shehut apo e cilësuar si arma kriminale e qëllimeve të diktatorit….

850 milionë për vilën qeveritare

Edi Rama në rininë e tij ka hyrë e dalë në bllokun e udhëheqjes, për shkak të lidhjeve që familja e tij kishte me sistemin. I ati Kristaqi, anëtar i Byrosë Politike, ndërsa e ëma mbesë e një tjetër anëtari të nomenklaturës Spiro Koleka. Natyrisht, duke pasur këto lidhje nuk ka se si mos ketë dhe nostalgjinë e tij për rrugët ku është rritur. Por duket se kjo nostalgji e kryeministrit pinjoll të diktaturës po u kushton jo pak xhepave të shqiptarëve. Në buxhetin e vitit 2017, janë parashikuar për rikonstruksionin e vilës së Mehmet Shehut plot 650 milionë lekë apo 500 mijë euro. Shuma është e barabartë me ato që janë dhënë dhe për strehimin e 20 familjeve të përmbytura të Bregut të Lumit. Por kësaj shume, sipas projektbuxhetit të parashikuar i shtohen dhe 210 milionë lekë të tjera për mobilim të pjesshëm që në total arrijnë vlerën e 850 milionë lekëve. Pra, 850 milionë lekë për një vilë, e cila sot është rezidencë qeveritare dhe Edi Rama e viziton shpesh sidomos gjatë orëve të drekës, ku pas punës së lodhshme (të mosbërit asgjë), shkon tek vila 30 për të pushuar.

Kostoja e një pallati

Por le të bëjmë një llogari të thjeshtë… Me 850 milionë lekë që do të harxhohen vetëm për rikonstruksionin, do të mjaftonte të strehoheshin të paktën 20 familje ose e barabratë me ndërtimin e një pallati pesë apo gjashtë katësh, për këtë qëllim. Por jo, po harxhohen afro 1 milion dollarë, për luksin kryeministror. Për të kënaqur midetë e Edi Ramës, i cili pas ardhjes në krye të shtetit në vitin 2013 po shijon benefitet e pushtetit, me paratë e taksapaguesve. Për çfarë i duhet gjithë ky luks kryeministrit për një ambient që e përdor vetëm disa ditë në javë, nga pak orë, ose për t’u takuar me aleatët për punët e koalicionit. Një vilë qeveritare, e cila me paratë e harxhuara do të mund të kryheshin punë të tjera publike ose mund të shkonin për financimin e qendrave sociale për fëmijë, që mos shikonim më pamje si të Afrikës të fëmijëve që afrohen për të lypur në semaforë. Kujt do i duhen rikonstruksione që s’kanë asnjë vlerë historike apo kulturore, por thjesht i sjellin në vëmendje shqiptarëve një kohë të errët dhe kriminale?! Përgjigjja është e thjeshtë, Edi Rama po shpenzon pa fre për luksin e tij tashmë në fund të mandatit, ndoshta i fiksuar nga ideja se pushtetin e sotëm do e gëzojë përjetësisht nën shembullin e idhujve të tij shpirtërorë dhe diktatorialë. Një ide që po na kushton të gjithëve shumë.

30 milionë euro shpenzime për Kryeministrinë

Deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, në një postim të tijin në rrjetet sociale bën një zbulim tronditës. Në vendin më të varfër të Evropës, atje ku njerëzit po vrasin veten nga varfëria, kryeministri do të harxhojë rreth 30 milionë euro për shpenzime luksi të institucionit të tij. Ose më saktë, në bazë të numrit të punonjësve që ka atje rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Sipas tij, kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash, të cilat sipas deputetit të PD-së do të mjaftonin për blerjen e 20 makinave luksoze të markës “Mercedes Benz”. Shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore.

Artikulli paraprakKaosi i trafikut irriton qytetarët
Artikulli tjetërFaqja e pare