863 mijë euro në makinën e Sotës, Prokuroria sekuestron regjistrat e “Kurum”

Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi regjistrat e shitblerjes së kompanisë së çelikut “Kurum” në Elbasan, në kuadër të hetimeve për origjinën e 863 mijë eurove të gjetura në makinën e Orest Sotës disa ditë më parë. Synimi është të kontrollohet e gjithë praktika e shitjeve të kësaj kompanie, për të mësuar nëse i arrestuari Orest Sota dhe babai i tij, Lefter Sota, kanë blerë hekur në këtë kompani dhe nëse kanë detyrime financiare ndaj kësaj kompanie ose jo.
Orest Sota deklaroi pas arrestimit se, shuma e parave në makinë kishte për qëllim blerjen e disa mijërave ton hekur në kompaninë “Kurum”. Pavarësisht se babai i Sotës ka pretenduar se sasia e eurove i përket atij, ai ende nuk është paraqitur në Prokurori dhe të verë në dispozicion dosjen me pretendimet e tij.
Në dobi të këtij hetimi dhe për të hedhur dritë mbi origjinën e parave dhe misterit se si kanë përfunduar në makinën e Orest Sotës tre patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij, Prokuroria pritet të pyesë ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri dhe shoferin e tij, Gentian Ceka. Sipas Orest Sotës, patentat e ish-ministrit e bashkëshortes së tij ishin në makinën që po udhëtonte, pasi shoferi i Tahirit i kishte harruar aty, pasi ata kishin miqësi. Bëhet e ditur se, Prokuroria do të verifikojë edhe pozicionin e Gentian Cekës më 1 dhe 2 nëntor, kur u arrestua Sota, nëse ka qenë në detyrë pranë Gardës së Republikës apo jo.

Exit mobile version