863 mijë eurot dhe patentat e Tahirit, Gjykata le në burg Orest Sotën

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar sërish kërkesën e Orest Sotës për lirim nga paraburgimi. Në seancën e djeshme, Gjykata nuk pranoi as garanci pasurore të ofruar nga i arrestuari, të cilit rreth dy muaj më parë iu gjetën në makinë mbi 863 mijë euro në mjetin me të cilin po udhëtonte në afërsi të qytetit të Elbasanit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshonte e paratë që i janë gjetur Sotës mund të jetë të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Por avokati i Sotës, është i bindur në pafajësinë e klientit të tij, duke akuzuar se ai po mbahet peng.
“Orest Sota mbahet në burg pa asnjë provë, mbahet nga një gjykatë që nuk është kompetente. Mbahet në burg peng dhe ai personi që këto duan ta lidhin nuk ka një akuzë është person nën hetim, pra të gjithë e dinë që Sota mbahet në burg pa asnjë fakt”, u shpreh Fatmir Brraka, avokati i Orest Sotës.
Avokati deklaroi se do të ankimojë këtë vendim, ndërsa deklaroi se gjithë kësaj kohe klienti i tij nuk është pyetur nga Prokuroria. Ai deklaroi gjithashtu se, arrestimi me të padrejtë ka ndikuar negativisht edhe në shëndetin e prindërve të Sotës.
Prokurorët e çështjes kanë deklaruar në seancën gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda se, ka dyshime të arsyeshme që Sota të ketë konsumuar veprën penale të “pastrimit të parave” dhe të “fshehjes së të ardhurave”. Sipas tyre, shuma prej 863 mijë euro i përket ish-ministrit Saimir Tahiri, produkt i aktiviteteve të paligjshëm ku dyshohet të jetë përfshirë.
Përfaqësuesit e akuzës paraqitën një sërë përgjimesh ambientale dhe telefonike të Sotës, personit tjetër që ndodhej me të kur u ndalua nga policia, Leonard Almeta, shoferit të Tahirit, Genti Ceka, si edhe babait të 25-vjeçarit. Duke iu referuar një akt-ekspertimit të shumës së sekuestruar, prokurorët thanë se 5 kartmonedha prej 50 euro rezultuan të falsifikuara.
Pretendimi i Sotës se sasia e madhe e parave ishte për të blerë hekur tek “Kurum” u hodh poshtë nga menaxherja e kësaj kompanie, e cila deklaroi në Prokurori se “Kurum” kryen transaksione me shifra deri në 150 mijë euro. Shuma e parave që kishte Sota në makinë ishte disa herë më e madhe. Sekuestrimi i regjistrave të shitblerjes ishte veprimi i parë që kreu Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të verifikimit të pasurisë së Orest Sotës dhe familjes së tij.
Orest Sota u arrestua në nëntor në Elbasan, pasi në automjet iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta skafi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas avokatit Fatmir Braka, shuma e parave janë të justifikuara dhe i përkasin të atit të Orest Sotës.

Exit mobile version