Bujqësia është një ndër dështimet e mëdha të Edi Ramës, i cili jo vetëm s’ka mbajtur asnjë premtim ndaj fermerëve, por e ka përkeqësuar gjendjen e tyre me rritjen e taksave, çmimit të energjisë, naftës dhe produkteve të tjera të domosdoshme.
Në Peqin, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal në një fermë mollësh. Pronari tha se para katër vitesh ka marrë vazhdimisht subvencione, ndërsa tani asgjë.
Basha: Sa rrënjë mollë ke?
Fermeri: Këtu janë 550 rrënjë. Ah bravo! Këtu në kohë të qeverisë së parë kam marrë 1 milion e 650 mijë subvencion.
Basha: Grant?
Fermeri: Po, grant. Bëna për tubacionet vjet, humba 180 mijë–s’fitova asnjë lekë. S’mi dha ato m’u se ishte përmbyt Fieri.
Basha: Sa rrënjë ke?
Fermeri: 600 rrënjë ullinj. Jam shumë i demoralizum, s’dua t’i shikoj me sy. Këto po kalben këtu. Ça të rri të dal me arkë me kile në rrugë unë? Ku t’i çoj unë? Kemi tre vjet që duhani na rri stok në shtëpi.
Banor: Kemi rrugët e fshatit këtu që na janë bërë mizerie, nuk shkohet, ndërkohë që taksat e makinës të gjitha i paguajmë.
Banor: Këta na zhytën në mjerim. Të shikosh listat, se unë kam një dyqan të vogël atje, të shikosh listat atje komplet njerëzit marrin edhe bukën me lista.
Banor: Unë jam banor i Komunës Pajovë, fshati Hasnjok, jemi pa rrugë, pa gjë. Mbjellim domate i biem me kafshë, me mushka, s’ka.
Basha: Asnjëri s’ka marrë subvencion prej jush?
Fermerët: Asnjëri, jo. E s’do ta dijë njeri.
Basha: 140 milionë dollarë tha do ti hedh për vaditje dhe për kullim. Sa kanale ka pastru dhe sa kanale ka ndërtu?
Fermerët: Asnjë kanal nuk është pastru tash tre vjet.
Basha: A ju kanë kompensuar për naftën? A ju kanë dhënë subvencione për plehrat kimike, për fidanët?! Asgjë s’keni marrë.
Fermerët: Asgjë. Bëjnë drogën ata, se ne s’bëjmë gjë.
Basha: Për drogën vjen flet ai se është ai shef i drogës, s’kam ça t’ju them unë.
Fermerët e konsideruan absurd qëndrimin e kryeministrit, ku u sugjeron të marrin kredi dhe pse kur u mori u premtoi subvencione. Ata thonë se e kanë të pamundur të paguajnë këstet e kredisë çdo muaj, pasi prodhimet e tyre për shkak të rënies së konsumit dhe konkurrencës së pandershme që u bëhet me produkte importi në shumicën e rasteve nuk shiten.
“E qartë është se këtu nuk është derdhur asnjë lekë për ju. As subvencione s’keni marrë, asnjë metër rrugë nuk është ndërtuar, asnjë metër kanal nuk është pastruar, asnjë metër kanal ujitje nuk është ndërtuar. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, në fund të këtij dështimi vjen ju thotë do të merrni kredi 300 milionë euro, kam fonde 300 milionë, do merrni kredi. Cili nga ju më thoni, cili nga ju është në gjendje të marrë kredi dhe të shlyejë interesat e kredisë?”, tha Basha.
Fermerët: Asnjë.
Basha: Në çdo vend të Europës fermeri mbështetet me grante. Në Shqipëri, kjo është shumëfish më e nevojshme, për shkak të kushteve të vështira në të cilat funksionon ferma shqiptare dhe jeton familja në fshatin shqiptar. Vjen dhe ju thotë s’ka para shteti, por merrni kredi. Po mirë, pse jep 88 milionë euro në vit për orendi, për zyra, për perde, për tavolina dhe nuk gjen 88 milionë euro për fshatarët?”
Për liderin e opozitës zgjidhja për fermerët janë subvencionet. Në programin e Partisë Demokratike, 100 milionë euro do të akordohen si subvencione për fermerët.
“Zgjidhja për fermerët, zgjidhja për fshatin është granti, është subvencioni. Ne subvencionet për fshatin do t’i çojmë 100 milionë dollarë në vit. Një për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të jetë si subvencion për fermerët. Shteti do të marrë të gjithë masat që prodhimet e importit të mos ju konkurrojnë. Se ndodh edhe kjo, punoni gjithë sezonin, bëni gati prodhimin, ngrihet trau atje edhe vjen malli i importit me gjysëm çmimi. Pse?! Për të futur lekët në xhep dy tregtarë, dy importues edhe i pari i doganës dhe i pari i vendit. Kjo nuk ka për të ndodhur”.
Kryetari i Partisë Demokratike dëgjoi dhe bashkëbisedoi dhe me drejtues të strukturave të PD në Peqin. Me Edi Ramën, tha Basha nuk ka zgjidhje për situatën e rëndë për krimin dhe drogën si dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Cili është koncepti i Edi Ramës për qeverisjen: buxhetin për vete, drogën për kriminelët që ka sjellë në pushtet; për popullin varfërinë, emigracionin, burgun dhe tani së fundi ka shpikur edhe argatin e drogës”.