9 janar 1991 – 9 janar 2024/ 33 vjet nga mitingu madhështor dhe krijimi i degës së PD Berat

Një urim dhe një ftesë për reflektim

Nga Namir Lapardhaja

Në historinë e qyteteve ka datë dhe ditë që shënjojnë ngjarje të rëndësishme.

Një ndër to për qytetin e Beratit është e mërkura e 9 janarit të vitit të largët 1991.

E më konkretisht, mitingu madhështor i qytetarëve të Beratit dhe krijimi i degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.

Kanë kaluar plot 33 vjet nga ajo datë, megjithëse kujtesa kolektive është mjaft e freskët dhe do të jetë gjatë e tillë për të përkujtuar sfidën që qyteti i bëri regjimit komunist, edhe pse ky ishte në gramat e fundit të tij.

Mitingu i 9 janarit 1991 në Berat nuk ishte vetëm i Partisë Demokratike, por i të gjithë banorëve të qytetit.

Prania e një numri të konsiderueshëm njerëzish (më shumë se 20 mijë), tejmbushja e sheshit përpara stadiumit “Tomori” si kurrë më parë, e rrugës kryesore që të çon në drejtim të tij, e xhepave anësor që lidhin sheshin me pjesët e tjera të lagjeve përreth, ballkonet dhe dritaret e pallateve në maksimumin e tyre, janë tregues i qartë se, ashtu siç kishin bërë muaj më parë qytetet e tjera, ishte radha e Beratit për të vrarë frikën një herë e përgjithmonë.

Një pamje të tillë madhështore, fokusuar në aparatin e fotografit Dhimitër Topi, qyteti nuk do ta shihte asnjëherë tjetër.

Mijëra zemra të bashkuara rendnin drejt atij sheshi, me shumë shpresë dhe shumë etje për ndryshim, pavarësisht se askush nuk e dinte se çdo të sillte e nesërmja.

Ajo e mërkurë janari ishte një ditë me diell të ëmbël në horizont, që me rrezet e tij po çante ngricën dhe acarin siberian të një regjimi që e kishte mbajtur nën terror dhe dhunë Beratin, ashtu siç kishte bërë për 45 vjet me radhë me të gjithë Shqipërinë.

Kishte filluar një lëvizje e fuqishme mbarë popullore, duke filluar nga Shkodra, Kavaja, Elbasani, Tirana… etj. dhe atë ditë ishte radha e Beratit.

Për herë të parë pas vitit 1924, kur kishin protestuar për herë të fundit për largimin e padrejtë nga puna të mësuesit të talentuar Xhevdet Dishnica, beratasit po tregonin kurajo qytetare, duke mbushur sheshin më të madh të qytetit. Një shesh ku gjithsecili kishte peshën e vetë.

Një hapësirë aq e madhe e mbushur përplotë, një diell aq rrezëllitës dhe ato rrugë aq gumëzhitëse, u kishin hequr njerëzve frikën, duke thyer akullin dhe ngricën.

Regjimi po jepte shpirt, edhe pse ai herë pas here ngrihej dhe sërish mund të godiste, atë të mërkurë, beratasit, si asnjëherë më parë, filluan ta mbushin sheshin përpara stadiumit që në orën 11:00, fiks dy orë përpara orarit zyrtar që organizatorët kishin njoftuar.

Skeptikët dhe nostalgjikët e regjimit ishin dorëzuar. Ata nuk e kishin menduar asnjëherë që në një periudhë aq të shkurtër kohore, me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me një organizim, pothuajse, të natyrshëm dhe pa shumë sforco, në sheshin më të madh të qytetit do të mblidheshin aq shumë njerëz e do të thërrisnin e brohorisnin “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, “Enver-Hitler” etj.

Beratasit po çliroheshin nga kthetrat e robërisë dhe po vishnin petkat e lirisë, të cilat i kishin ëndërruar aq shumë.

Sheshi buçiste.

Në tribunë u ngjitën të gjithë me radhë… Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Eduart Selami, Fehmi Telegrafi, Simon Vrusho etj. dhe ndër beratasit ra në sy fjalimi i studentit Gjergji Hotova, i cili dukej sikur përçonte mesazhin e të gjithë studentëve të Tiranës edhe për mbarë popullin e Beratit.

Mitingu ishte madhështor, fjalimet i mbushën me shpresë, guxim dhe kurajo të gjithë pjesëmarrësit. Një emocion i papërsëritshëm ajo ditë e shënuar për të gjithë.

E parë nga sot, do dukej si një ëndërr e bukur pas një gjumi të gjatë dhe një natë të errët që kishte zgjatur plot 46 vjet.

Një pafundësi e zezë që po zbardhte në një ditë janari me diell dhe një qetësi shpirtërore që shpërhapej në zemrat e të gjithë pjesëmarrësve.

Njerëzve iu ishte kthyer shpresa tek liria, demokracia dhe Evropa.

***

Parë nga sot, beratasve dhe shqiptarëve u është vrarë shpresa më shumë se kurrë. Ëndrrat nuk u shndërruan kurrë në zhgjëndrra. Ato më së tepërmi i ngjajnë një shajnie, një përfytyrimi të rremë që iu shfaq të gjithëve në një moment euforie dhe vegullie. Evropa, busulla e tyre e shtrenjtë, ndonëse aq afër gjeografikisht, është sot më shumë se asnjëherë tjetër një realitet i largët dhe i pakapshëm. Kurrë nuk u kuptua në gjithë këto vite se si ata që merreshin me politikë pasuroheshin më shumë, kurse ata që i ndiqnin veçse varfëroheshin. Gjithë ai idealizëm i fillimeve është zëvendësuar me një pragmatizëm të babëzitshëm, ku çdokush mendon se si të pasurohet në mënyrë të paligjshme. Askush nuk jep llogari për çka bën e si e bën, mirëpo të gjithë japin llogari vetëm tek eprori i partisë. Shteti ka rënë, Partia është ngritur. Morali nga një vlerë e vyer është shndërruar në një cilësi të urryer.

Partia Demokratike, organizata e formësuar nga idealizmi i studentëve të dhjetorit, formacioni politik aq popullor dhe i përqafuar me aq shpejtësi në ato vite, është shndërruar sot në një organizëm, i cili, jo vetëm që ka dalë totalisht jashtë sistemit, duke mos pasur asnjëlloj pushteti në vend, por, mbi të gjitha, nuk po gjen forcë brenda vetes të kapërcejë vështirësitë dhe të shndërrohet në një alternativë të besueshme dhe të qëndrueshme.

Nëse dikur ajo ishte shtëpi e profesorëve, e akademikëve dhe e njerëzve me impakt social, sot në shumicën e saj përbëhet nga individ pa kurrfarë rrezatimi shoqëror, ndonjëherë edhe qesharakë, ndërsa shqiptarët gjithmonë e më tepër zgjedhin të ikin si rruga më e shkurtër.

Ndërkohë që kanë ngelur diçka më shumë se një vit nga zgjedhjet e ardhshme politike, PD-ja është midis dy rrugëve: të qëndrojë siç është dhe të shkojë drejt fundit të pakthim, ose të ndryshojë dhe të shndërrohet në një alternativë të besueshme për të gjithë shqiptarët, pa dallim.

Exit mobile version