90 milionë USD shpenzime për luks, 46.2% e familjeve nën 5 USD në ditë

Basha u ndal dhe tek abuzimi i OSHEE me mbifaturimin e energjisë elektrike dhe me çmimin e rritur që sipas ERE ka prekur 56% të familjeve shqiptare.
“Vetëm për vitin e kaluar, OSHEE-ja ka mbifaturuar 91400 qytetarë, 30 mijë më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë që ERE, sipas të dhënave të publikuara, tregon qartë se 56% e shqiptarëve konsumojnë më pak se 300 kilovat për muaj dhe si rezultat pesha e rritjes së çmimit të energjisë bie tërësisht mbi shumicën e pamundur të shqiptarëve.
Sigurisht Kryeministri pretendon që nuk është rritur çmimi i energjisë, ku në fakt ERE konstaton se çmimi mesatar i një kilovati për familjarët shkoi nga 8.89 lekë/kilovat në 9.52 lekë/kilovat. Për fat të keq nuk habit dhe nuk shokon askënd më, por ja gënjeshtra publike e Edi Ramës se pse me heqjen e fashës së mbrojtjes për konsumatorët dhe me rritjen e tarifës ‘de facto’ për konsumatorët, por edhe për biznesin bie poshtë pretendimi për uljen e çmimit të energjisë. Çmimet e energjisë janë rritur.
Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë janë rritur dhe borxhet e pambledhura edhe kjo është e dhënë e ERE-s. Pra, gjithë miti për mirëmenaxhimin e OSHEE-së është një gënjeshtër e pastër. OSHEE-ja ka rritur përqindjen e faturave të pambledhura. OSHEE-ja ka rritur faturat abuzive me 50% nga 60 mijë në 91400 dhe me faturat aforfe, abuzive dhe me çmimin e rritur të energjisë po i merr shpirtin shumicës më të varfër të popullsisë.
Të vetmit që po përfitojnë nga ulja e çmimit mbi 500 kilovat janë 15% e popullsisë që përbëjnë shtresën e mesme dhe mbi të mesme apo të pasur të vendit.
Këto dy komponentë, 88 milionë dollarë të dhëna klientelës qeveritare dhe 90 milionë dollarë shpenzime luksi do të ishin të mjaftueshme për të punësuar së bashku mbi 25 mijë shqiptarë në një vit me rrogë 540 mijë lekë në muaj.
Do të ishin të mjaftueshme për të ndërtuar 90 shkolla të reja me orendi të reja. Do të ishin të mjaftueshme për t’i dhënë ndihmë ekonomike 215 mijë familjeve shqiptare për një vit me ndihmën e plotë sipas INSTAT-it, 68 mijë lekë të vjetra në muaj.
Nuk po ndodhin. Nuk ka vende të reja pune. Nuk ka investime të reja. Nuk ka asnjë rrugë të re. Nuk ka asnjë urë të re, asnjë shkollë të re sepse paratë që duhet të destinoheshin për këto investime janë bërë rrush e kumbulla nga një grusht qeveritarësh të babëzitur me bekimin e Edi Ramës dhe kanë përfunduar po kështu në kombëtaren e oligarkisë, e cila depoziton të ardhura që merr përmes skemave korruptive në xhepat dhe kontot e saj dhe në xhepat dhe kontot e qeveritarëve të korruptuar shqiptarë”, u shpreh zoti Basha.
Kjo sipas, zotit Basha, ka sjellë jo vetëm tkurrjen e ekonomisë, mbylljen e vendeve të punës, humbjen e besimit të konsumatorit dhe si rezultat edhe të biznesit, rënien e kreditimit, rënien e eksportit, rënien e importit, por ka sjellë edhe një damkë të madhe të biznesit dhe të investimeve të huaja për Shqipërinë.
“56% e biznesit gjerman i pyetur dy javë më parë, ju të gjithë i keni të dhënat, e rreshtuan Shqipërinë të fundit në Europë. 56% e biznesit gjerman të pyetur, të anketuar u përgjigj më negativisht se vitin e kaluar për klimën e biznesit në vend. Taksa të larta, korrupsion i lartë, paparashikueshmëri ligjore, pra mungesa e sigurisë ligjore, janë tri arsyet kryesore pse biznesi ka braktisur dhe po braktis Shqipërinë”, u shpreh lideri i opozitës.
Qershi mbi tortën e korrupsionit e ka konsideruar, zoti Basha, koncesionin e check up-it.
“Çdo vit në Shqipëri ka 360 mijë pacientë, të cilët kërkojnë dhe marrin trajtim shëndetësor duke përfshirë operacione ose më shumë operacione për një individ. Dhe për të gjithë 360 mijë pacientët të sistemit publik shëndetësor shqiptar, shteti ka harxhuar mesatarisht në 5-6 vitet e fundit 800 mijë dollarë për analizat e tyre. Kini parasysh që nuk bëhet fjalë për analiza standard apo për analiza si këto që bën check up-i i Vilma Nushit. Bëhet fjalë për analiza komplekse për 2, 3, 4 palë analiza në ditë dhe buxheti total për këto analiza është 800 mijë dollarë.
Edi Rama ka vendosur të japë 12 milionë euro apo 1 milion euro në muaj për të bërë një palë analiza në vit të 800 mijë njerëzve që presupozohen të shëndoshë. 800 mijë dollarë për 360 mijë të sëmurë në vit, 12 milionë euro për 800 mijë të shëndoshë në vit. Bëjmë edhe një llogari tjetër. Një set reagentësh sot merret me çmim tregu, pra me fitimin e grosistit, 1.8 euro. Ky reagent, që është baza e shërbimit të ofrohet, i cili administrohet nga punonjësit e paguar nga taksat e shqiptarëve, blihet nga shqiptarët për 20 euro. Pra, për çdo palë analiza që bëhen dhe nuk bëhen, sepse ne paguajmë edhe për analizat që nuk bëhen, shqiptarët paguajnë plot 18.2 euro fitim dyshes Nushi-Rama.
Çfarë mund të bëheshin me 11.2 milionë euro që vidhen dhe shpërdorohen përmes check up-it çdo vit në sistemin shëndetësor shqiptar? Së pari mund të bliheshin ilaçe për të gjitha spitalet publike të vendit, ilaçe që sot mungojnë edhe në Spitalin e Traumës. Para dy ditësh e denoncuam. Së dyti, mund të rinovoheshin të gjitha sallat e operacioneve në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe mund të silleshin në gjendje funksionale sipas standardit europian. Sot më pak se 10% e tyre funksionojnë në këto kushte. Me paratë e shpenzuara dhe që parashikohen të shpenzohen për këtë koncension mund të ndërtohej një herë e gjysmë nga fillimi një qendër shëndetësore me kapacitetet e QSUT-së, por me kushtet, pajisjet dhe mbështetjen me personal dhe ilaçe të standardit europian.
Të gjitha këto dhe shumë më shumë se këto, edhe në këtë moment që flasim, ai degradim i shërbimit shëndetësor vjen si rezultat i një koncesioni korruptiv siç është ai i check up-it. E njëjta gjë vlen për sterilizimin. Ne kemi Qendrën e Sterilizimit të ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, personelit të trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Por në vend që të përdoret kjo shqiptarët duket të paguajnë për herë të dytë plot 9 milionë euro në vit mikut murator të Ilir Beqajt dhe Edi Ramës për të vënë në punë një qendër që ekziston, me personel që ekziston dhe që është trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo është pra, lopata që ka gërmuar varrin e shëndetësisë shqiptare në këto 3 vite”, tha Basha.

Alternativa për nxjerrjen nga kriza

Kryetari i Partisë Demokratike ka shpalosur dhe alternativën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë ekonominë nga kriza, e cila do të nisë pikërisht duke prerë kanalet e thithjes së parave publike, kanalet e korrupsionit.“Së pari, duke vendosur një sistem të ndershëm taksimi prej 9% Taksë të Sheshtë dhe duke nxjerrë nga ligji që ditën e parë sistemin e pandershëm të taksimit të Edi Ramës.
Së dyti, duke vendosur procedurat e prokurorimit më transparente që do të eliminojnë mundësinë e prokurorimit pa konkurrencë me anë të së cilës ne do t’i shërbejmë dhe do t’i kthejmë taksapaguesve shqiptarë minimalisht 150 milionë euro çdo vit përmes prokurimeve të ndershme dhe të pakorruptuara.
Së treti, përmes destinimit të çdo qindarke të shqiptarëve në funksion të politikave që hapin vende pune apo përmirësojnë punësimin për shqiptarët si përmes subvencionit të bujqësisë dhe subvencionimit të çdo aktiviteti ekonomik e industrial që punëson rishtazi e në veçanti punëson rininë shqiptare”, tha Basha. Përpjekje të dëshpëruara i ka konsideruar kryetari i Partisë Demokratike daljet e herëpashershme të mazhorancës për t’u thënë shqiptarëve që sa mirë është situata ekonomike.
“Dhe çdo përpjekje për të pikturuar një tablo të ndryshme është e dështuar, jo sepse Lulzim Basha publikon shifrat e vetë qeverisjes së Ramës që e rrëzojnë Edi Ramën, siç e ka rrëzuar ekonomia, por se këto shqiptarët, i ndiejnë në lëkurën e tyre në përditshmërinë e tyre. Shifrat e qeverisë akuzojnë vetë qeverinë dhe sot, të paktën sot, këtë bashkëbisedim dua ta përdor për të folur më shumë, për të sotmen dhe për të nesërmen sepse Edi Rama është e djeshmja e këtij vendi.
Unë kam vendosur me aq sa mundem dhe me çfarë mundem shqiptarëve t’u jap të vërtetat, t’u jap rrugët e daljes. Sot gënjeshtra më e madhe në Shqipëri dhe në Ballkan, rrena më e madhe, epike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve e ka emrin Edi Rama. Asgjë në këtë diskutim me ju, nuk është drejtuar ndaj personit të tij, por ndaj mekanizmit të korrupsionit që ka ndërtuar dhe rrugëve për të çmontuar këtë mekanizëm korrupsioni, jo thjesht si një ushtrim në ligjvënie, por si një mënyrë për t’i kthyer shqiptarëve ato para që u mungojnë në përditshmërinë e tyre. Kështu që, nëse na ndjek dua t’i them s’e kam me ty, por me paratë që ke vjedhur”, tha Basha.

Vjedhjet në një vit të Ramës, dy herë më shumë së abuzimet në 8 vitet e PD

Duke iu referuar shifrave zyrtare të KLSH-së, zoti Basha ka theksuar se dëmi ekonomik më 2015-ën është 125.8 miliardë lekë, dy herë më i madh se sa në vitet 2008-2014 marrë së bashku. Basha iu përgjigj edhe interesimit të medias ku theksoi se i kupton të gjithë ata qytetarë që janë të pakënaqur pse opozita nuk përdor të gjitha mjetet për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar, por Basha tha se rruga e ndryshimeve jodemokratike vjen në një kosto shumë më të lartë se sa përfitimi i parë i saj që është largimi i kësaj qeverie.
“Rruga e ndryshimeve jodemokratike vjen në një kosto shumë më të lartë se sa përfitimi i parë i saj që është largimi i kësaj qeverie, e cila është edhe dëshira e këtyre njerëzve që duan një orë e më parë me çdo mjet për largimin e kësaj qeverie. Një grup njerëzish kërkojnë alternativën, mirë denoncime, por çfarë do të bëni ju?! Dhe ndaj në mënyrë të paprecedentë në historinë politike të këtij vendi ky formacion politik, Partia Demokratike e Shqipërisë, është e angazhuar prej një viti me ekspertët e saj më të mirë dhe me mbështetjen e familjes tonë të Partisë Popullore Europiane dhe partive simotra, CDU-së në veçanti, për hartimin e një programi tërësor, e një alternative për të nxjerrë vendin nga kriza. Dhe unë jam në mënyrë të përjavshme mes shqiptarëve për t’u shpjeguar aspektet e veçanta të kësaj platforme siç janë: Platforma për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Platforma Fiskale, Platforma Ekonomike, Arsimi, Shëndetësia. Kjo po ndodh pothuajse një vit e disa muaj para zgjedhjeve. Dhe po ndodh pikërisht që shqiptarët të kenë kohë ta përtypin dhe ta kuptojnë; janë bajgat e rilindjes që i përtypën dhe po i vjellin tani apo është diçka e besueshme, e bëshme dhe nëse bëhet e aftë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe për të siguruar perspektivën e rritjes ekonomike, punësimin, luftën kundër varfërisë. Do ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza, nga të gjitha krizat, duke filluar që nga kriza e kriminalitetit duke shtypur krimin”, u shpreh Basha.

Exit mobile version