PD pritet të denoncojë të dhëna të tjera sot që implikojnë qeverinë në afera me tendera e koncesione. Në një reagim të shkurtër në Facebook, kreu i PD, Basha thekson se vetëm për luks, qeveria ka shpenzuar rreth 91 milionë dollarë.
“Ekonomia në krizë, papunësia rritet çdo muaj, borxhi në shifra alarmante, asnjë investim publik, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’ka rritje pensionesh e rrogash. Mesatarisht 2 mln lekë për familje u janë vjedhur shqiptarëve nga oligarkia Rama në vitin 2015. 91.6 milionë dollarë të shqiptarëve janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks. Me këto para do të ishin hapur 12 mijë vende pune në vit me paga 500 dollarë në muaj, ose do ju ishte paguar ndihmë e plotë ekonomike 94 mijë familjeve në nevojë, ose do të ishin ndërtuar dhe mobiluar 38 shkolla të reja. Sa i përket investimeve të huaja, tenderave dhe koncesioneve, nesër në ora 12 fakte të reja tronditëse drejtpërdrejt në media”.
Shpenzimet luksoze të qeverisë janë të faktuara edhe në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili për vitin 2015 ka nxjerrë një numër të pafund shkeljesh të cilat kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive.
Vetëm pak kohë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit një shkresë, ku i sqaron se buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar. Buletini i katërt statistikor i vitit 2015 përmbledh rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë këtij viti. Në këtë buletin përfshihen dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori, për auditimet e përfunduara.
Nga auditimet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 919.91 milionë euro), si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 35,312,076 mijë lekësh (ose 257.7 milionë euro). Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhura dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 917.9 2 milionë euro), KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në shumën 58,703,079 mijë lekë (ose 428.4 milionë euro). Nga verifikimi i zbatimit të këtij rekomandimi nga subjektet e audituara janë pranuar dhe kanë nisur procedurat ligjore për kërkimin e shpërblimit të dëmit në vlerën 37,743,113 mijë lekë (ose 275.4 milionë euro) dhe është duke u konsideruar sipas afateve ligjore për t’u zbatuar shpërblimi i dëmit në vlerën 19,780,820 mijë lekë (ose 144.3 milionë euro).