94 kandidatë nga listat shumemërore të Partisë Demokratike kanë refuzuar të bëhen pjesë e një opozite fallco. Më të rinjtë dje, ishin 3 kandidatë nga Lista e Tiranës dhe 1 nga lista e Korçës.
Që kur Partia Demokratike vendosi të dorëzojë mandatet e deputetëve, lista pasuese e kandidatëve është ndarë në dy pjesë, ata që martin mandatet dhe ata që i refuzojnë. Zakonisht, media është fokusuar tek grupimi i parë. Emrat e tyre bëhen publikë, u merren intervista, bëhen personazhë. Kjo ndodh, kryesisht, tek mediat me linjë editoriale proqeveritare, që duan të pompojnë një opozitë të re. Grupimi i dytë, ata që bashkohen me kauzën e opozitës së vërtetë për zgjedhje të lira e të ndershme, kalon në heshtje. Këtij grupimi, megjithëse është më i madh, askush nuk i jep zë, edhe pse vendimi i tyre është kurajoz dhe me integritet.
Deri më tani e kanë refuzuar marrjen e mandatit të deputetit 94 kandidatë. Ata më të rinjtë janë Hysen Kadiu, Dashnor Visha dhe Erald Shulla nga Qarku Tiranë dhe Erdion Maçolli nga Qarku Korçë. Ata kanë bërë publik vendimin e refuzimit në faqet e tyre në rrjetet sociale, duke shprehur qartësinë politike se kushdo që bëhet pjesë e Parlamentit, ndihmon Edi Ramën.
“Refuzoj të jem pjesë e këtij parlamenti që bën sehir, kur shqiptarët nxirren nga shtëpitë e tyre me tymuese dhe kimikate të dëmshme, refuzoj të ulem në një sallë me deputetë me rekorde kriminale, refuzoj të votoj PPP-të korruptive të kësaj çerdhe paligjshmërie që quhet Parlament”-shkruan Hysen Kadiu, kandidati për deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës.
Ndërsa Dashnor Visha, edhe ky pjesë e listës së Tiranës, tregon me pak fjalë momentin e refuzimit, kur u gjend përballë letrës së ardhur nga KQZ për marrjen e mandatir. “E firmosa që nuk e pranoj dhe e hodha shpejt letrën mbi tavolinë, pasi m’u duk sikur në dorë po mbaja turpin. Kurrësesi nuk do të pranoja të futesha në Kuvendin e molepsur me krim, korrupsion, drogë, vrasje e prostitucion”.
Ndërsa Erald Shulla, ndalet tek efekti që ka shkaktuar shitblerja e votës në standardin e demokracisë dhe krizën ekonomike në vend. “Unë nuk mund ta pranoj që Shqipëria të ketë një parlament ilegjitim dhe të korruptuar. Duke filluar me “pazarin” e shitblerjes së votës e cila deformon vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët e varfër nuk meritojnë të të drejtohen akoma nga përfaqësues të korruptuar. Janë pikërisht këta qeveritarë që e kanë çuar vendin në këtë humnerë ekonomike”.
Erdion Maçolli, në listën shumëemërore të Qarkut të Korçës, i ka kërkuar KQZ-së, të nisë menjëherë procedurat për kapërcimin e emrit të tij në listë, pasi as nuk mund ta imagjinonte të bëhej pjesë e një parlamenti, të dalë nga vota ilegjitime dhe kur vendi lëngon në një krizë të thellë politike, ekonomike e institucionale. “Ëndrra më e madhe, është ajo për një Shqipëri europiane, të drejtë dhe meritokratike. Unë i besoj moralit dhe vlerave, jo një mandati të pamandatuar”.
Refuzimi i mandateve lexohet nga opozita si një mesazh për ilegjitimitetin e parlamentit dhe shërbimin që i bën qeverisë kushdo që ka pranuar të bëjë fasadën e opozitës brenda parlamentit.