Lista e bizneseve pasive që nisi të jetë transparente në pranverë të këtij viti është shtuar edhe me rreth 4000 biznese të tjera në dy muajt e fundit.
Në fillim të muajit maj lista e bizneseve që kanë deklaruar në tatime pezullimin e aktivitetit ishte rreth 91 mijë biznese, ndërsa më 1 korrik ku shënohet edhe azhurnimi i fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve numri i bizneseve pasive arriti në 95,089 biznese.
Aplikimi i një sistemi të ri informatik në tatime dhe ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore në fillim të vitit që shkoi ka mundësuar krijimin e regjistrit pasiv të tatimpaguesve.
Kalimi nga regjistri aktiv në atë pasiv bëhet automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve, duke shmangur tërësisht procedurën manuale të inspektorëve tatimorë.
Një biznes kalon në regjistrin pasiv kur për një vit rresht nuk ushtron aktivitet tregtar dhe për pasojë nuk bën asnjë deklaratë tatimore. Gjithashtu bizneset pasive duhet të kenë shpallur pezullimin e veprimtarisë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Nisur nga këto zhvillime shihet se rreth gjysma e bizneseve në vend kanë pushuar aktivitetin (nga rreth 180 mijë biznese që raportohen statistikisht). Ministria e Financave ka sqaruar se këto biznese datojnë që prej vitit 1991 dhe ka pasur qindra e qindra parregullsi në pasivitetin e regjistruar të këtyre bizneseve ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, shumë prej tyre janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes, shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat.
Pastrimi i regjistrit është marrë si një nga masat antievazion.
Kështu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka krijuar edhe një regjistër me bizneset që realisht janë tatimpagues. Më pas ky regjistër duhet administruar në mënyrë rigoroze, duke i përjashtuar bizneset që nuk paguajnë për dy apo tri periudha tatimore rresht.
Bizneset mund të futen sërish në regjistër vetëm pasi të kenë shlyer detyrimet, por teksa lista e bizneseve pasive është publike, askush nuk mund të verifikojë listën e pastër të bizneseve.
Ndërsa lista tjetër e bizneseve jo korrekt mund të verifikohet fare lehtë nëse spekulon me faturat e TVSH dhe kjo duhet t’i bëhet e ditur menjëherë publikut.
Pjesa tjetër e bizneseve që janë në listën e “pastër” e marrin automatikisht rimbursimin e TVSH-së.
Ndërkohë programi për kthimin e TVSH duhet të kontrollojë nëse furnizuesi nuk është në listë pasive dhe do të paralajmërojë tatimpaguesin se furnizuesi i tij nuk është i autorizuar të lëshojë fatura të TVSH-së.
Gjithashtu dogana nuk duhet të përpunojë importet ose eksportet për tregtarët që nuk janë në regjistrin e pastër.
Rriten çmimet e ushqimeve
Inflacioni u rrit në mënyrë progresive në tremujorin e dytë, duke shënuar 1.2% në qershor. Shifra më e fundit e inflacionit për muajin korrik ishte 1.9%. Rritja e tij, sipas Bankës së Shqipërisë, reflektoi rritjen e çmimeve të ushqimeve, qirasë dhe rritjet mujore të çmimit të naftës. Niveli i inflacionit këtë vit do të luhatet rreth vlerës 1.9%.
Informacioni i ri dhe përditësimi i analizës nuk ka sjellë ndryshime të qenësishme në parashikimet tona afatmesme, thuhet në deklaratën e politikës monetare për tremujorin e dytë të vitit.
Banka e Shqipërisë pret një rritje më të lartë të ekonomisë në vitin 2016 në krahasim me vitin e kaluar. Ky trend pritet të forcohet gjatë viteve në vijim, duke krijuar kushtet për rritjen progresive të inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv brenda vitit 2018.
Këshilli i Mbikëqyrjes gjykon se intensiteti aktual i stimulit monetar është i duhur për të arritur objektivin e inflacionit në përiudhën afatmesme. Prandaj Këshilli i Mikëqyrjes në mbledhjen e radhës vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit, duke e mbajtur atë në nivelin 1.25%. Gjithashtu do të mbahen të pandryshuara edhe norma e interesit për depozitën njëditore në 0.25% dhe atë për kredinë njëditore në 2,25%.
Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit rezultoi në krahun e sipërm të parashikimeve të BSH-së. Konsumi dhe investimet private ishin burimi kryesor i rritjes, ndërsa konsolidimi i fortë fiskal u shoqërua me rënie të shpenzimeve buxhetore. Rritja e të ardhurave nga turizmi ka shtyrë në zonë pozitive kontributin e kërkesës së huaj neto në tremujorin e parë.
Ambienti ekonomik karakterizohet nga likuiditet i bollshëm dhe nga norma të ulëta interesi për të gjitha segmentet e tregut në monedhën vendase. Rënia e interesit për kredinë në lekë ka nxitur kërkesën për kredi dhe investime private.
Megjithatë rritja e kredisë mbetet e ngadaltë dhe kushtet e kreditimit mbeten ende të shtrënguara për bizneset. Krahas kësaj pengesa strukturore në tregun financiar, kundërshtia e bankave për të marrë rrezik, niveli i lartë i kredive me probleme dhe kërkesa ende e brishtë janë ndër faktorët ciklikë që vështirësojnë transmetimin e stimulit monetar në ekonomi. Zbatimi i planit të masave për kredinë me probleme do të ndihmojë në uljen e rrezikut të perceptuar dhe forcimin e rritjes së kredisë.
Banka e Shqipërisë gjykon se trajektorja pozitive e zhvillimeve ekonomike e financiare do të ruhet edhe në të ardhmen. Por pasiguritë e mjedisit të jashtëm janë shtuar dhe balanca e rreziqeve vijon të mbetet e lartë.
Mungesa e subvencioneve falimenton biznesin e sherbelës
Prodhimi i bimëve medicinale pa një rënie të fortë në vitin 2015 me rreth 38 për qind. Operatorët e fushës pohojnë se rënien e krijuan kufizimi i kultivimit të sherbelës.
Bima medicinale që ishte shkëlqimi i eksporteve shqiptare në SHBA ka parë vështirësi nga heqja e subvencioneve shtetërore ndaj bimës.
Xhavit Hysenaj nga Shoqata e Bimëve Medicinale pohoi se, qeveria prej dy vitesh ka hequr subvencionin për sherbelën dhe sipas tij ky është shkaku kryesor, pse prodhimi ka rënë vitin e kaluar. Hysenaj tha se heqja nga harta e mbështetjes buxhetore për sherbelën erdhi pas reputacionit të keq nga fara e kontaminuar më 2013.
Hysenaj thotë se, problemet me farën nuk ekzistojnë më, por mbështetja me subvencione nuk është rikthyer për të rritur prodhimin e bimës.
Në vitin 2015 u prodhuan 10.8 tonë sherbelë nga 17.4 tonë që ishin më 2014.
Në vitin 2012 me përfshirjen në skemën e subvencioneve filloi të rritet kultivimi i bimëve mjekësore në vend.
Deri para pak vitesh sektori mbështetej vetëm në grumbullimin e përpunimin e bimëve të egra, të cilat edhe pse kanë më shumë vlerë në treg, nuk krijojnë hapësirë për të rritur eksportet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë më 2012 u dhanë mbi 26 milionë lekë për mbështetjen e fermerëve që kultivojnë bimë mjekësore, teksa u mbollën 376 hektarë me bimë medicinale, kryesisht sherbelë.
Mirëpo Hysenaj pohoi se heqja e skemës së subvencioneve për bimët medicinale çoi për poshtë zhvillimet në sektor e për pasojë edhe eksportet e këtyre produkteve me mjaft reputacion në tregun ndërkombëtar.