18.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Qershor, 2025

Festivali i arkitekturës/ Musai: Akt i mirëfilltë teatral. Po përdoret për të ndërtuar me paratë që vijnë nga krimi

Doriana Musai, urbaniste tha se festivali i arkitekturës se ishte një akt i mirëfilltë teatral dhe se fjalimi i Ramës ishte folklor dhe poezi.

Sipas Musait, arkitektura është zvogëluar dhe është instrumentalizuar për të pastruar me paratë që vinë nga krimi.

“Ishte surprizë inaugurimi i kullës pas Sahatit nëpërmjet këtij aktiviteti. Nuk kisha dijeni që do të zhvillohej.

Eventi duket që është privat, se nuk është bërë në hapësirë publike. Është kullë private që u inagurua atë ditë, Nuk u zhvillua në vend publik, po të ishte më publik shumëkush do ishte atje.

Ishte një event që e pashë një inagurim të një objekti brenda ish zonës historike, se u desh të ndryshonte zona historike që të ndërtohej ai objekt, kjo ka ndodhur në 2018, një objekt i kontestuar që kur filloi, mënyra si filloi.

Ishte një spektakël, spektakolar, mënyra si ishte vendosur, ato tepiet e shtruara në dysheme, njëlloj folklori i shtruar përtokë, kishte vetëm një hostmen, Rama, që e prezantoi vetën si kryearkitekti. Të vetmër spektatorë aty ishin arkitektët. Ishte akt i mirëfilltë teatral dhe fjalimi i tij 20 minutësh ishte poezi, folklor. Kishte përzier nga librat e shenjtë, tek arti. Arkitektura, u gozhdua dhe u gdhend, ajo akuzë që e kemi ngritur, alibia për të ndërtuar në mënyrën si po ndërtohet ky qyet.

Kemi parë arkitekturën të zvogëlohet, të futet në xhepin e një personi dhe të instumentalizohet si një alibi për të ndërtuar dhe pastruar paratë që vijnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.”

Dialogu Kosovë-Serbi, Petkoviç paralajmëron takim trepalësh në Bruksel

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, ka paralajmëruar se gjatë së martës në Bruksel do të zhvillojë një takim me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të bllokut evropian për dialogun mes dy shteteve fqinje, Peter Sorensen.

“Atmosferë pune në delegacionin e Beogradit në Bruksel para bisedimeve të drejtpërdrejta mes Beogradit dhe Prishtinës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, shkroi në Instagram kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç.

Nga zyra e kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me takimin trepalësh në Bruksel.

Takimi i 10 qershorit vjen pas takimeve dypalëshe që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori Petkoviq, zhvilluan me Sorensenin më 2 qershor në Bruksel.

Po ashtu, takimi vjen pasi, sipas Bislimit, më 2 qershor kishte dështuar një takim i planifikuar trepalësh, për shkak se ekipi i Serbisë ishte përballur me vonesa gjatë shkuarjes në Bruksel.

Bislimi tha se në takimin e tij me Sorensenin javën e kaluar në Bruksel bisedoi për qasjen që do të ketë zyrtari evropian në fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, si dhe ato të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.

“Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël”, tha Bislimi, sipas një komunikate për media të lëshuar nga zyra e tij.

Çfarë është integrimi i vërtetë evropian?

Nga Artan Fuga

Gjë e mirë kjo pasaporta evropiane.

Se çfarë thonë hajde merre vesh, dosjet, direktivat, negociatat, ligjet etj.

Ore mirë, po… nivelin e pesticideve në fruta e zarzavate do ta kemi sipas standardeve evropiane?

Trasabilitetin e produkteve blegtorale (pra transparencën për origjinën e mishit, qumështit, djathit, etj.) do ta kemi si në Evropë?

Nivelin e ndotjes në qytete do ta kemi në po ato kërkesa që ka Evropa për veten e saj, dhe mirë bën?

Pastërtinë e ujit dhe furnizimin me ujë pa pompa do ta kemi sipas standardeve evropiane?

Shkallën e mbështetjes së kulturës kombëtare nga kompanitë audiovizive do ta kemi si në Evropë?

Po pavarësinë e nëpunësit publik nga politika do ta kemi sipas niveleve dhe modeleve evropiane?

Po mbrojtjen e territorit nga zjarri, lumenjtë nga erozioni, pyetjet, etj., do ta kemi sipas niveleve evropiane?

Po prona do t’i ketë shkuar të zotit si në Evropë, apo do të vazhdojë të vidhet dhe grabitet nga të fuqishmit?

Do ta kemi klasën politike të rinovueshme si në Evropë apo do ta kemi si monarkët britanikë që vetëm Zoti i ndryshon?

Ka një listë pa fund të gjatë që ka të bëjë me norma, jo me kushte historike, që nëse nuk konvergjojnë ato, integrimi evropian do të ishte një barazim i ca fjalëve në ca tekste ligjesh që askush nuk i merr seriozisht.

Bëhen këto më sipër për dy vjet?

Po i bëri dot, hallall!

Raporti i OKB ngre alarmin për rënien e lindshmërisë

Një raport i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara zbulon se normat globale të lindjeve kanë rënë ndjeshëm dhe se bota po fillon të përjetojë një rënie drastike të riprodhimit.

Shqetësimet kryesore janë normat në rritje të infertilitetit, plakja dhe mungesa e kohës, ndërsa janë të shumtë ata që argumentojnë se kërcënimi më i madh për planetin është mbipopullimi.

Një studim ku u përfshinë disa vende tregon se pothuajse një në katër të anketuar kishin përjetuar një periudhë në të cilën dëshironin një fëmijë, por nuk ishin në gjendje ta përmbushnin dëshirën e tyre në atë kohë.

Anketa ku u përfshinë 14 mijë persona nga 14 vende që përfaqësojnë më shumë se një të tretën e popullsisë së botës zbuloi se një “pengesë” e madhe për të pasur fëmijë ishte mungesa e kohës për shkak të angazhimeve që lidhen me përditshmërinë.

Pothuajse 13% e të anketuarve u përgjigjen se përjetuan pengesa për të pasur një fëmijë, çka tregon se sistemet dhe mjediset nuk mbështetën vendimmarrjen e tyre në lidhje me shëndetin riprodhues. 31% e personave mbi 50 vjeç deklaruan se kanë më pak fëmijë nga sa do të donin.

Vendet e përfshira në studim ishin Brazili, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, India, Indonezia, Italia, Maroku, Meksika, Nigeria, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Hungaria, Suedia dhe Tajlanda, një përzierje e shteteve me të ardhura të ulëta, të mesme dhe të larta, si dhe vendeve me norma të ulëta dhe të larta lindjeje.

The Telegraph: Trafikantët shqiptarë reklamojnë rrugët në Facebook

Media britanike “The Telegraph” shkruan se kontrabandistët shqiptarë po reklamojnë rrugën për në Mbretërinë e Bashkuar për emigrantët në Facebook. “The Telegraph” raporton se bandat shqiptare kërkojnë 4,000 paund për të dërguar emigrantët në këtë vend përmes rrugës së “derës së pasme”.

Sipas medias britanike bandat u japin emigrantëve karta identiteti italiane të falsifikuara që përdoren për t’i fluturuar drejt Irlandës, përpara se të hyjnë fshehurazi në Britani me tragete, duke i lejuar ata të punojnë ilegalisht ose të kërkojnë azil me pasaportat shqiptare.

Në artikull shkruhet se mashtrimi i emigracionit është një nga shumë të tilla që po promovohen në Facebook. Madje, “The Telegraph” shton se reklamat u ofrojnë emigrantëve shqiptarë mundësinë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar me aeroplan, kamion ose jaht si një alternativë ndaj kalimeve në La Mansh.

Kjo ka detyruar Forcën Kufitare dhe Agjencinë Kombëtare Kundër Krimit të përshtatin taktikat e tyre. Njëzet shqiptarë u gjetën të fshehur në një jaht të ndaluar në Kornuoll në muajin prill e në maj 33 persona u arrestuan si kondrabandistë të qenieve njerëzore që abuzonin me Zonën e Përbashkët të Udhëtimit, që lejon lëvizjen e lirë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës.

Një gazetari të infiltruar të The Telegraph që hiqej si një emigrant i paligjshëm, iu tha: “Ju dërgojmë nga Shqipëria në Itali me pasaportat shqiptare, pastaj nga Italia në Dublin me karta identiteti italiane. Askush nuk do t’ju prekë te portat..” Nga Dublini, emigrantët më pas kërkojnë azil me pasaportën shqiptare, pastaj shkojnë në Irlandën e Veriut dhe kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Reklama të tilla si Puno në Mbretërinë e Bashkuar”, “Kamion, jaht dhe aeroplan. Çmimet më të mira për në Mbretërinë e Bashkuar.” në rrjetin social Facebook janë të shumta. Forca Kufitare dhe Agjencia Kombëtare Kundër Krimit po punon me kompanitë e mediave sociale për të hequr reklamat që promovojnë migracionin e paligjshëm, me një rekord prej 8,000 reklamash të fshira vitin e kaluar.

Nga fushë sportive në kantier koncertesh. Skandali mjedisor në zemër të parkut të Tiranës

Fusha sportive pranë Liqenit Artificial, një nga hapësirat më të frekuentuara për aktivitet fizik në Tiranë, është transformuar në kantier për përgatitjen e një koncerti që do të zgjasë tre ditë.

Ndërkohë, sportistët janë detyruar të stërviten mes skelave, dërrasave dhe makinerive, ndërsa qytetarët që frekuentojnë të vetmin park në Tiranë tashmë duhet të zgjedhin hapësira të tjera.

Ironikisht, koncerti organizohet nën logon e Ministrisë së Mjedisit, e cila mban përgjegjësinë për këtë skandal mjedisor në zemër të Parkut.

Mbetemi me shpresën që mos të ndërtojnë ndonjë pallat në vendin e fushës. Edhe pse nuk do ishte habi që pas disa kohësh të shihnim një tabelë për nisjen e punimeve për pallatin e radhës në Tiranë

Armando Broja drejt Bundesligës, dy klubet elitare në “sherr” për sulmusin

Armando Broja pritet të kalojë një verë të nxehtë sa i takon të ardhmes, pasi sulmuesi i Kombëtares kërkon shkëputjen përfundimtare nga Chelsea.

23-vjeçari e ka parë veten në huazime dhe i kushtëzuar nga dëmtimet nuk ka treguar asgjë nga potenciali i tij në aventurat disa mujore me Fulham dhe Everton.

Gazetari i Sky DE në Gjermani, Florian Plettenberg bën me dije se për sulmuesin e Kombëtares ka interes të shtuar nga RB Leipzig dhe Wolfsburg.

Të dyja klubet e duan sulmuesin paçka se për të ka interes edhe nga Premier League apo edhe nga Serie A. Chelsea kërkon për sulmuesin 20 milionë euro.

Nëse ndodh transferimi në Bundesligë, Broja do kishte shansin të merrte minutazh më të lartë se sa në Premier League, aty ku edhe dëmtimet e shpeshta kanë ndikuar negtivisht në rendimentin e bomberit kuqezi.

Mbetet e paqartë se kë fanellë do të djerësisë Armando në sezonin e ri, aty ka tregu i lojtaravë ka hyrë në fazën më të “nxehtë”.

Karabina: Matura shtetërore duhet të ndalet si proces, nevojitet një reformim rrënjësor

Mirela Karabina, ish-ministre Arsimi tha në studion e MCN Informacion se matura shtetërore duhet të ndalet si proces. Sipas Karabinës i gjithë procesi kërkon një reformim.

“Provimet sivjet po mbahen në klimën e pas zgjedhjeve të 11 majit ku cdo ditë të gjithë po përballen me një proces ku ka në pabesueshëmri të institucioneve, kandidatëve, gjithçka e ndërtuar mbi gënjeshtër. Dhe provimet e maturës janë reflektim i kësaj politike. Tek ne ka një problema madhor, kemi konstatuar që duhet të ndalet dhe nuk është ndalur. Ka një papërgjegjshmëri të Ministrisë së Arsimit, që kushton tek maturantët dhe familja e tyre. Matura shtetërore duhet të ndalet si proces. Duhet të jenë provime dalëse nga Matura Shtetërore të zhvillohen tek shkollat e tyre dhe të mos jetë kjo.

Maturantët hyjnë që në vit të parë në shkollë të mesme të paqartë si do jenë provimet e tyre çfarë vlere kanë ato dhe si do të shkojnë në universitet. Ky është proces që kërkon reformim. Duhet t’i jepet përgjegjësia e shkollës.”

Misteri i koncesionit 1 miliardë euro, pse u anullua shpallja e fituesit të Milot-Balldrenë

Në prill të këtij viti, kur vendi sapo kishte hyrë zyrtarisht në fushatën zgjedhore, Edi Rama deklaroi se brenda pak ditësh qeveria do të shpallte fituesin e koncesionit të autostradës Milot Balldrenë.

“Për punë ditësh shpallet fituesi i segmentit të shumëpritur Milot-Balldren. Pas nënshkrimit të kontratës do fillojë puna dhe me aksin e ri Milot-Balldren, i cili do të jetë i njëjtë si Thumanë-Kashar,” deklaroi Rama gjatë një takimi elektoral më përfaqësues të biznesit në Tale të Lezhës.

Zëvendësja e Ramës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte edhe më konkrete. Gjatë aktivitetit “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030”, të zhvilluar në datën 15 prill Balluku deklaroi se për 2 ose tre ditë, ministria e Infrastrukturës do të shpallte fituesin e koncesionit.

Ditët kaluan dhe u bënë muaj, por fituesi i kontratës së majme nuk u shpall. Fillimisht mosshpallja e fituesit iu atribua zgjedhjeve, pasi thuajse e gjithë administrata e braktisi shtetin dhe doli në fushatë për të mbledhur vota për qeverinë. Stafi i ministrisë së Infrastrukturës dhe drejtuesit e institucioneve në varësi të saj u shpërngulën në Myzeqe, ku zonja Balluku ishte drejtuesja politike e qarkut.

Por zgjedhjet përfunduan. Edi Rama mori një mandat edhe më të fortë nga votimet e 11 majit, ndërsa Belinda Balluku vendosi një rekord të ri në hambarin e votave socialiste të Fierit duke siguruar 12 mandate.

E megjithatë, edhe pas kësaj fitore, koncesioni i Milot Balldrenë u harrua në heshtje, ndonëse tashmë ka kaluar një muaj nga përfundimi i zgjedhjeve.

Heshtja e qeverisë për koncesionin e Milot Balldrenë ngre një sërë pikëpyetjesh. A po shkon qeveria drejt anullimit të procedurës apo arsyet e mosshpalljes së fituesit lidhen me luftën e fortë që po bëhet për të marrë kontratën e majme?

Tenderi
Në tenderin për koncesionin 35 vjeçar të rrugës Milot-Balldrenë garojnë 4 kompani. Gener 2, Salillari, A.N.K dhe 4 A-M janë kompanitë që po përplasen të shtien në dorë kontratën e majme koncesionare, e cila për 35 vite pritet të arkëtojë plot 1 miliardë euro.

Ofertat për koncesionin e autostradës Milot-Balldrenë kanë rezultuar në tarifa kalimi që variojnë nga 1.6 deri në 1.9 euro. Kapitali ka mësuar se kompania A.N.K ka ofruar si çmim kalimi për automjetet e thjeshta tarifën 1.6 euro. Ndërkohë dy kompani të tjera, Gener 2 dhe Salillari kanë ofruar tarifën e kalimit 1.9 euro pa tvsh.

Megjithatë sipas burimeve konfidenciale nga Ministria e Infrastrukturës, gara reale për koncesionin e autostradës ka qenë gjithmonë mes Gener 2 dhe Salillarit.

Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu.

Ky segment ka një gjatësi 17 kilometër dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.

Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi total i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.

Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare tenton të japë me koncesion ndërtimin e autostradës Milot-Balldrene. Hera e parë ishte në vitin 2018, kur qeveria zgjodhi fituese të koncesionit kompaninë A.N.K, por me një tjetër model, atë të Partneritetit Publik Privat, sipas të cilit kompania do të ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do të paguhej për 13 vjet nga buxheti i shtetit deri në shlyerjen e investimit dhe fitimin e saj.

Por A.N.K nuk arriti ta ndërtonte rrugën pasi nuk gjeti paratë për ta financuar atë. Rrjedhimit qeveria e anulloi koncesionin për ta tenderuar sërish, por këtë herë me formulën e tarifës së kalimit për qytetarët, jo përmes shlyerjes nga buxheti./ Kapitali.al

Mbi ish kamp-burgun politik të Spaçit dhe kujtesën martire të diktaturës

Nga Agron Tufa

Më shkruajnë disa dashamirë, përse nuk reagoj këto ditë për mbrojtjen e kamp-burgut politik të Spaçit. Për fat të mirë, po shoh se reagimi ka qenë i fuqishëm në vend nga personalitete e shoqata që e kanë ndjeshmërinë dhe vetëdijen se çfarë është Spaçi në kujtesën e martirizuar shqiptare të diktaturës. Çështja duket se u sqarua dhe garancitë u dhanë se nuk do të cënohen rrënojat, ndonëse nuk u duhet zënë besë kurrë në fjalë garancive qeveritare.

Por, duhet thënë Lavdi Zotit, që Spaçi për grykësinë e pangopur të qeverisë Rama nuk paraqet ndonjë interes të madh qindramijërash apo miliona eurosh, përndryshe, pavarësisht reagimeve e protestave, historia do të shkonte njëlloj si me Teatrin Kombëtar. Të jeni të sigurtë.

Ajo që më ka habitur dikur (tash prej kohësh nuk më habit më) është se si ka mundësi, që gjithë trashëgimia e pistë, e flligësht, gjakatare e kriminale e komunizmit në të gjitha sferat e kulturës ruhet sot, edhe pas 35 vjetësh me një xhelozi e fanatizëm të skajshëm; se si shumëfishohen e përhapen në transmetime pareshtur imazhet rozë të diktaturës: video, këngë, tekste, filma dokumentarë – gjoja artistikë, teatro, piktura e grafika që glorifikojnë realitetin historiko-social të komunizmit; se me çfarë egërsie të vërsulen kur kërkon të vesh rregull me ligj mbi përhapjen e kasaj murtaje popullore dhe, të gjitha këto vrunduj onanistë nostalgjie t’i krahasosh pastaj me shpërfilljen cinike e vrastare të qeverive shqiptare të paskomunizmit ndaj rrënimit, shkretimit dhe zhdukjes përfundimtare të vendeve të kujtesës, – atë që unë e kam quajtur “topografia e terrorit” (Burgje, Kamp-burgje, kampe internimi me tela me gjemba dhe kampe internime të punës skllavëruese, vende ekzekutimi, ish-Degë të Punëve të Brendshme, që kishin dhe ato qelitë e tyre, etj, etj.).

Mbajeni mend dhe ju lutem fiksojeni mirë këtë: prej kohësh ideologjia e politika luftojnë egërsisht të shpërngulura e të strukura në maskën e kulturës. Sepse përmes kulturës “shplahet” apo “përftohet” një imazh i ri, personal qoftë, apo kolektiv.

Po, po, kam vënë re mirë një solidaritet qeveritar e popullor për mbrojtjen fanatike të nostalgjisë ndaj trashëgimisë së gjoja-artit dhe kujtesës komuniste, dhe një egërzi shtazore për refuzimin e artiti, dëshmive dhe kujtesës së qëndresës dhe martirëve. Vetë zhdukja, rrënimi i dalëngadaltë i monumenteve të dëshmive për 35 vjet me radhë e konfirmon këtë që them.

Pse nuk po reagoj unë? Miqtë e mi, kam bërë jo aq sa shtriheshin mundësitë e mia dhe ekipit me të cilin punoja në Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK – por shpesh edhe përtej kësaj, i përfshirë me mendje e me zemër. Edhe për Spaçin gjithashtu. Përpos pelegrinazheve të përvitshme që organizonim herë vetëm, herë me shoqatat e reja që dolën, kam ngritur vazhdimisht zërin për gjendjen e mjerë të këtij monumenti aq të jashtëzakonshëm të kujtesës sonë martire e krenare, siç është ish kamp-burgu politik i Spaçit. E kisha parë parë, përsëpari, si shumëkush që ka pasur familjarë aty brenda, me sytë e mi të një fëmije. Dhe ajo çfarë sheh syri i një fëmijë, nuk harrohet kurrë!

Gjithsesi, që miqtë dhe të interesuarit ta dinë, kam kërkuar zyrtarisht në Kuvend, – Shpalljen Muze Kombëtar, me VKM sipas propozimit nr.644, datë 7.9.2018 në emër të Institutit të Studimeve dhe Krimeve të Komunizmit – ISKK.

Së fundmi, për t’i vënë kapakun kësaj teme, – temës së rrënimit të burgjeve politike, kamp-burgjeve të punës së detyruar, kampeve të internimit etj, kam bërë, me mjetet e lypura, një film dokumentar “Dyert memece të ferrit”, të karakterit njohës mbi këto burgje, duke ngritur shqetësimin alarmues mbi shprishjen, rrënimin dhe zhdukjen e tyre me mbivendosjen mbi ta të projekteve buqësore apo industriale (siç është kamp-burgu i Ballshit). Dokumentari u shfaq në gjermani (Erfurt, Berlin) dhe u çmua shumë. Por asnjë, asnjë nga televizionet shqiptare ku e patëm çuar, nuk pranoi ta transmetonte. Dhe kjo flet shumë…

Për gjithkënd që ka qoftë dhe interesin më të vogël informues mund ta ndjekë në kohë të ngeshme këtu poshtë në video.