Nuk kanë të pushuar ankesat e bizneseve për gjobitjen masive me nga 10 mijë lekë për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit për bizneset e reja të hapura më 2015-2016. Gjobat kanë dalë në sistem në datën 22 qershor, me njoftimin “Gjobë për deklarim të vonuar ESIG27 Nr.1”. Ky njoftim u ka shkuar një pjese të madhe të bizneseve të reja të regjistruara më 2015-2016. Kjo ndodhi pasi në sistemin tatimor kohët e fundit është aktivizuar sipas specialistëve të shërbimit formulari E-sig 027, për punësimet dhe largimet rishtaz. Aktivizimi i tij ka bërë që sistemi të vendosë gjoba 10.000 lekë për deklarimet, të cilat nuk kanë respektuar afatin 24 orë para.
Sipas tatimeve, faji në këtë rast ka qenë i vetë bizneseve, që janë vonuar me deklarime, pasi teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo bizneset që regjistrohen për herë të parë nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për më tepër regjistrimin online, thanë ekspertët e tatimeve. Bizneset nga ana e tyre ankohen se këto gjoba janë të padrejta, pasi ka raste kur data që tatimet njohin si fillim pune për administratorin është më e hershme se data e marrjes së NIPT. Një tjetër ankesë lidhet me faktin që gjobat për bizneset e vogla janë gjeneruar nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj, nga të cilët ka ardhur dhe shkresa me njoftimin përkatës.
Por denoncimi më i fundit nga bizneset flet për një “lajthitje” të tatimeve. Ekonomisti i një firme ankohet se një biznesi të vogël me një të vetëpunësuar është gjobitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve 2 herë për të njëjtën arsye (deklarim i vonuar i administratorit), duke paraqitur dhe dokumentet përkatëse.
Pas ankesave të shumta që ka marrë ditët e fundit, edhe Avokati i Tatimpaguesve ka filluar shqyrtimin e çështjes. Burime nga ky institucion pohojnë se po njihen me problematikën dhe së shpejti do të përgatisin një material të hollësishëm, ndërsa bizneset që kanë ankesa mund të shkruajnë në adresën [email protected].
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Bizneseve (QKB), në vitin 2015 kishte një rritje të ndjeshme të numrit të bizneseve të reja, rrjedhojë e aksionit kundër informalitetit të nisur nga qeveria. Këtë vit janë regjistruar 39,650 biznese, kryesisht të vogla. Rritja ka vijuar dhe në muajt e parë të këtij viti, por me ritme normale. Për periudhën janar-maj janë regjistruar edhe 7,571 biznese të reja.
Në total për periudhën 2015-5 mujori 2016 janë regjistruar rreth 47 mijë biznese të reja, por nuk dihet ende se sa për qind e tyre kanë marrë gjoba për deklarim të vonuar të administratorëve.
Vala e re e gjobave
Një valë e re gjobash prej 10 mijë lekësh për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit për bizneset e reja të hapura më 2015-2016, që po u bëhen aktualisht të ditura sipërmarrjeve, ka revoltuar bizneset. Ndonëse tatimet bënë me dije se bizneset e reja kanë 48 orë afat nga marrja e NIPT-it për të bërë deklarimin online të punonjësve, ekonomistët ankohen se ata po gjobiten edhe përpara se të marrin NIPT-in, ndërsa po ngrenë pikëpyetjen se pse po gjobiten në qershor 2016, edhe një vit pasi janë hapur. Nga ana tjetër, shumë ekonomistë janë të paqartë për procedurat që duhen ndjekur.
Erion Prifti, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit, pohoi se teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo bizneset që regjistrohen për herë të parë tha ai nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për tepër regjistrimin online. Mirëpo tatimet edhe në këtë rast e kanë zgjidhur ngërçin tha Prifti. Në faqen zyrtare të tatimeve (www.tatime.gov.al) janë mbi 20 numra kontakti, me të cilat bizneset e reja konsultohen se si të regjistrohen. Por, bizneset kanë shpërthyer në ankesa, duke i quajtur këto gjoba të padrejta, pasi ka raste kur data që tatimet njohin si fillim pune për administratorin është më e hershme se data e marrjes së NIPT. “Aktualisht mbaj llogaritë e 10 personave fizikë pa TVSH, të cilët janë krijuar në periudhën shtator–dhjetor 2015. Të gjithë këto subjekte janë dënuar me gjobë 10,000 lekë për deklarim me vonesë të formularit ESIG027 (domethënë deklarimi i fillimit të punës të të vetëpunësuarit, i cili është person fizik i vetëm). Kjo gjë është totalisht e papranueshme, pasi është e pamundur që një person fizik ta deklarojë datën e fillimit të punës më përpara se të marrë NIPT-in. Ata duan një periudhë 2-3 ditore që të tërheqin NIPT-in dhe po një periudhë 3-4 ditore të njoftojnë një ekonomist për regjistrimin e biznesit të tyre, thotë Virsoni, ekonomist.
“Kjo s’ka ndodhur vetëm me bizneset e reja, por edhe ato ekzistuese, ti punëson sot një punonjës dhe je i detyruar ta deklarosh në sistem një ditë para, ndryshe nëse e deklaron në ditën që e ke punësuar merr 10,000 lekë gjobë, për vonesë deklarimi”, thotë Alma, ekonomiste.
Burime nga Avokati i Tatimpaguesit pohuan se ata nuk kanë marrë ende ankesa nga biznesi për këtë çështje, por do e ndjekë pas shqetësimeve të ngritura në media nga bizneset. Ata shtuan se Avokati i Tatimpaguesit ka kërkuar që në paketën e re fiskale të vihet në ligj që është detyrim për shtetin të informojë bizneset për procedurat. Bëhet fjalë sidomos për bizneset e vogla, sepse ato të mëdha janë më të strukturuara dhe kanë ekonomistë e kontabilistë.
Më parë, thonë burimet nga avokati, kur biznesi regjistrohej në tatime, ata informoheshin dhe se çfarë procedurash duhet të ndiqnin, ndërsa tani që regjistrohen në QKB nuk i informon njeri. Si në ligjin e procedurave tatimore, ashtu dhe në kartën e tatimpaguesve, saktësohet që është detyrim i administratës që të informojë biznesin për procedurat që duhen ndjekur, që me hapjen e tij.