Qeveria pranon mashtrimin, pagat dhe pensionet nuk do të rriten

Pagat dhe pensionet nuk do të rriten. Ky fakt ështe bërë i ditur në emisionin “Ekopolitikë” të gazetares Aurora Sulçe nga sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave, Geraldina Prodani. Ajo ka deklaruar se në korrik, kur do të bëhet rishikimi i buxhetit nuk është parashikuar rritje pagash dhe pensionesh, pasi objektivi do të jetë ulja e borxhit.
“Nuk do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve në rishikimin e buxhetit në korrik. Rritja e pagave dhe pensioneve mund të jetë pjesë e buxhetit 2017. Nuk është vendosur ende nëse do të ketë ulje të TVSH së turizmit dhe rentës minerare në paketën fiskale 2017. Ngelet për t’u adresuar monitorimi i detyrimeve të prapambetura, të cilën ne po e bëjmë. Ato çka janë akumuluar për momentin do të rizgjidhen dhe do të jenë pjesë e buxhetit të rishikuar, i cili pritet të përmbyllet në korrik”, është shprehur Prodani. Prodani ka zbardhur edhe vlerën prej 2.3 miliardë lekësh të detyrimeve të papaguara që ka krijuar qeveria, për të cilën edhe FMN bëri kritika në konferencën për shtyp në mbyllje të vizitës dyjavore në Tiranë.
Ajo ka bërë të ditur se vlera është 2.3 miliardë lekë, por nga këto 1 miliard janë vendime gjyqësore dhe 1.3 janë punë të kryera të progresuara nga investitorët, të cilat do të rialokohen me buxhetin e rishikuar të këtij viti, ndërsa ka theksuar se në investime publike dhe vendimet gjyqësore janë kryesisht shpenzime koherente. E pyetur nëse kjo vlen edhe për punonjës që janë larguar padrejtësisht nga puna dhe që kanë fituar gjyqet, Prodani tha: “Vetëm. Ne jo vetëm i kemi monitoruar detyrimet e prapambetura, por kemi vendosur një mekanizëm kontrolli, i cili është në thesar. Ne e kemi bërë këtë duke monitoruar dhe regjistruar edhe kontratat, e cila nuk lejon më institucionet të ndërmarrin angazhime përtej asaj, ashtu sikundër është bërë më përpara, kundrejt fondit që ato kanë në dispozicion”. E pyetur nga gazetarja se pse janë krijuar këto lloj detyrimesh, Prodani në siklet u përgjigj: “Këto detyrime janë detyrime kundrejt …domethënë biznesmeni duke qenë se e ka makinerinë në rrugë, ai vazhdon progreson pavarësisht se… është një punë e kryer, e cila mund të jetë jashtë planit. Është një risk që ai e ndërmerr vetë. Përsa i takon pushtetit vendor, po është e vërtetë që pushteti vendor me reformën e re është gjendur në të njëjtin kolaps që u gjend, ka trashëguara detyrime të prapambetura. Ne po i monitorojmë”.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave ka bërë të ditur gjithashtu se po bëhet një studim për kadastrën fiskale mbi të cilën do të veprohet edhe për taksën e pronës bazuar mbi vlerën reale të saj, një tjetër shqetësim ky i FMN-së adresuar qeverisë, pasi ky detyrim tani mblidhet në nivele shumë të ulëta.

Artikulli paraprakKLSH: Veliaj shkeli ligjet dhe të drejtat e pronarëve në ndërtimin e Unazës së Vogël
Artikulli tjetërBasha: Nuk tërhiqemi, “Venecia minus” është e papranueshme