Gjykata e Lartë lë në burg Shullazin dhe bandën e tij

Gjykata e Lartë ka refuzuar lirimin e Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të bandës së tij duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. Vendimi është konfirmuar edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Gilmando Danin, shoku i Emiljano Shullazit. Togat e zeza nuk kanë pranuar rekursin ndaj Danit. Para pak ditësh Gjykata e Lartë refuzoi edhe lirimin e Shullazit dhe kushëririt të tij, Blerim Shullazi.
Emiljano Shullazi dhe “banda” e tij, bashkë me Gilmano Danin akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenëve dhe për disa vepra të tjera kriminale. Për prokurorin e Krimeve të Rënda ata dyshohet se kanë kryer 6 vepra penale në më shumë se 15 raste të përsëritura. Sipas kësaj dosje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande”, e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes, si dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Në dosje janë renditur dyshimet, ku Emiljano Shullazi, krahu i tij i djathtë, Gilmando Dani dhe kushëriri Blerim Shullazi dhe persona të tjerë që po hetohen, janë përfshirë në veprimtari kriminale.
Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, u prangosën disa javë më parë, pas një denoncimi për kërcënim, ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ndërkohë, pas arrestimit, ndaj tij janë ngritur zyrtarisht akuza për kërcënim dhe gjobëvënie, për të paktën dy raste biznesmenësh.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar për grupin e Emiljano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda. Mësohet se aktiviteti i tri të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.
Biznesmeni Adriatik Kërçuku kishte kallëzuar në Policinë e Fierit, Emiljano Shullazin për gjobëvënie. Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, ku disa persona i janë paraqitur në biznesin e tij dhe një person i është prezantuar si Emiljano Shullazi. E gjithë kjo histori është treguar nga punëtori i Kërçukut, pasi vetë ai nuk e ka takuar asnjëherë Shullazin. Duke qenë se ai nuk ka pranuar, në oborrin e biznesit të tij ka shpërthyer një sasi tritoli disa ditë më pas. Prokuroria për Krimet e Rënda ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit.

Si i bëri presion Rama gjyqësorit për lirimin e Shullazit

Emiljano Shullazi u arrestua më 16 prill të këtij viti pasi kërcënoi profesorët Mynyr Koni dhe Dhori Kule që të tërhiqeshin nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës. Arrestimi i Shullazit u bë pas reagimit publik të ish-Kryeministrit Berisha për kërcënimet që ai u kishte bërë dy profesorëve për të favorizuar kandidaten e majtë Klodeta Dibra për rektore të universitetit. Ndonëse Prokuroria lëshoi urdhër arresti për Shullazin dhe dy anëtarët e bandës së tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, policia me porosi të Ramës nuk pranoi që t’i arrestonte.
U desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve që Shullazi me dy miqtë e tij të përfundonin në pranga. Megjithatë, Rama dërgoi disa deputetë të tij në komisariat ku po mbahej Shullazi për të ndërhyrë që ai të lirohej menjëherë. Zyrtarë të lartë dhe deputetë të PS kanë ndërhyrë që Shullazi të mos mbahej në arrest, por kryeprokurori dhe kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë qenë të vendosur të mos tërhiqen. Policia është detyruar ta ndalojë Shullazin, duke e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por nuk e ka arrestuar.
Presionet e Ramës ndaj gjyqësorit për ta liruar Shullazin kanë vijuar për një kohë të gjatë, por megjithë presionet e vazhdueshme, gjykata ka vendosur ta lerë në burg kapobandën. Prokuroria kishte kryer hetime prej disa muajsh ndaj Emiljano Shullazit pa njoftuar policinë për shkak të presioneve nga Rama dhe Tahiri.
Ndonëse urdhri për arrestimin e Shullazit ishte lëshuar nga Prokuroria pasditen e 16 prillit, polica nuk vepronte për shkak të ndërhyrjes së Ramës dhe Tahirit. Arrestimi i tij u bë rreth orës 22:00 pasi oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dorëzuan dosjen dhe urdhrin e ndalimit ndaj tij dhe dy miqve të tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi.
Rama nëpërmjet Shullazit tentoi që të emërojë rektore të Universitetit të Tiranës, Klodeta Dibrën, një të besuarën e tij. Sa herë që ka zgjedhje, Rama nxjerr në skenë Shullazin. Me Emiljano Shullazin dhe bandën e tij u fut në zgjedhjet e 2013, po ashtu në zgjedhjet e 2015. Këtë tentoi të bënte edhe me zgjedhjet në universitet. Klodeta Dibra është anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga lista e PS dhe njihet si një militante dhe e besuara e Ramës. Rama kishte si qëllim që të kapte edhe Universitetin e Tiranës ndaj angazhoi Shullazin për të kërcënuar dy profesorët kandidatë që t’i hapnin rrugë Dibrës.

R.POLISI

Artikulli paraprakSekuestrohet në Itali gomonia me 170 kg drogë, vinte nga Shqipëria
Artikulli tjetërBanorët e Himarës: Nuk do të lejojmë Ramën të na grabisë shtëpitë e pronat