Banorët e Himarës kanë paralajmëruar Kryeministrin Rama se nuk do ta lejojnë që t’u grabisë shtëpitë dhe pronat. Banorët e zonës historike të Spilesë në Himarë kanë nënshkruar një peticion ku denoncojnë “pabesinë” e Kryeministrit, për prishjen e banesave të tyre dhe rrëmbimin e pronave, në emër të një plani rregullues. Duke iu drejtuar Kryeministrit, kryeparlamentarit, kryeopozitarit, si dhe ambasadorëve të huaj në Shqipëri, banorët e Spilesë, paralajmërojnë se, nuk do të lejojnë askënd të prekë shtëpitë dhe pronat e tyre.
“Ne, banorët e Himarës që jetojmë në zonën historike të Spilesë, jemi këtu brez pas brezi në shtëpitë dhe pronat tona qindra vjeçare, të cilat rrëfejnë lashtësinë e tyre, historinë e këtij vendi. U gëzuam shumë kur u vendos të shpallej zonë historike Himara duke menduar se edhe Kryeministri e donte këtë zonë dhe historinë e saj. Por kur mësuam se mbrapa krahëve tona (si na u prezantua nga Bashkia, në takimin e datës 16.06.2016 Plani Rregullues i Himarës) se, Kryeministri ka vendosur të na shkatërrojë shtëpitë dhe të na grabisë pronat, u trishtuam shumë.
Ato shtëpi dhe ato prona ku ne jetojmë dhe nxjerrim bukën e gojës i kemi trashëguar nga të parët tanë në shekuj dhe duam t’ua trashëgojmë pasardhësve tanë. Me ato shtëpi dhe ato prona nuk bëjmë asnjë lloj pazari, sepse emri i një fisi të madh nuk nxirret në pazar”, shkruhet në peticionin e firmosur nga banorët e Spilesë.
Banorët paralajmërojnë se nuk do të lejojnë askënd që të prekë shtëpitë dhe pronat e tyre. “Po ju bëjmë me dije që të na ndihmoni të ndalohet kjo çmenduri. Nuk do të lejojmë askënd që të prekë shtëpitë dhe pronat tona. Do ta mirëkuptonim Kryeministrin nëse, qoftë dhe me paratë tona, të restauronim ndërtesat e vjetra apo t’i kthenim në identitet ato të cilat në këto vite kishin pësuar ndërhyrje”, përfundon peticioni i banorëve.
Para pak ditësh banorët e Himarës denoncuan rrëmbimin e pronave të tyre, por edhe të emrit të mirë të zonës. Denoncimin e kanë bërë në takimin zhvilluar mes drejtuesve të Bashkisë së Himarës të shoqëruar nga hartues e drejtues të planit të përgjithshëm vendor, si dhe banorëve.
Takimi ka nisur me fjalën e drejtuesve të projektit ku është folur mbi shëtitoren e re dhe vazhdimësinë e planit të Himarës, ndërkohë që është ndërprerë disa herë nga ana e banorëve.
I pranishëm në takim, i cili ka folur edhe në emër të banorëve, ka qenë edhe kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë në të njëjtën kohë dhe drejtor ekzekutiv i shoqatës së komunitetit himariot, Nikollaq Neranxi. Ai ka replikuar ashpër jo vetëm me drejtuesit e projektit, por edhe me kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro i pranishëm edhe ky në takim. Në qendër të reagimeve dhe kundërshtimeve ka qenë pikërisht moszgjidhja e çështjeve të tokave, të cilat edhe sot e kësaj dite për shumë banorë nuk janë zgjidhur ende.
“Këtu keni një popull që nuk mund ta gënjeni duke dashur t’i merrni dy cilësi kryesore, pronat dhe emrin. Kemi përballë njerëz që duan të na gënjejnë, të cilët vijnë me një projekt të përfunduar që prej një viti, sipas drejtuesve të projektit, ndërsa drejtuesi i urbanistikës na gënjen duke thënë se po vijmë të marrim mendim. Ne duam atë Himarën e bukur me historinë e saj që doni të na e merrni, ato prona që po shikojnë se si po vdesin himariotët duke mos i gëzuar”, është shprehur Neranxi. Ai ka akuzuar kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro se nuk arriti dot të zgjidhte çështjen e pronave në këto 5 vite. Neranxi shtoi se historia e Himarës po shfrytëzohet, por kjo gjë nuk do të lejohet të vazhdojë më pasi pronat do të mbrohen me gjak.
R.POLISI