Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka deklaruar sot se, kryetrafikanti i drogës Klement Balili ka qënë gjatë gjithë këtyre viteve në kërkim, qe i mbështetur nga qeveria e Edi Ramës. Balili ka jetuar në Sarandë dhe rrethinat e saj dhe kompania e tij ka marrë deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria. Nga ana tjetër, resorti luksoz turistik, i konfiskuar në dukje, ruhet i paprekur dhe menaxhohet nga vetë Balili.
“Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge”, tha Paloka.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës. Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës. Megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës, shumicën e tyre pa garë.
Pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është vetëm fasadë dhe se Klement Balili e menaxhon në të vërtetë resortin, me të cilin mban peng Edi Ramën”.