Ibrahimoviç, Donnarumma, Baloteli, Pogba, Lukaku… këta janë vetëm disa prej “xhevahirëve” që menaxhohen nga Mino Raiola. Agjenti i njohur italian foli për të ardhmen e klientëve të tij në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. “Zlatan Ibrahimoviç? Zlatan është sikur Brad Pitt që luan rolin e Benjamin Button, djali që rinohet me kalimin e ditëve. Gjendja e tij mendore dhe fizike garantojnë se ai do të jetë në fushë edhe për pesë vitet e ardhshme. E ardhmja e tij? Do të jetë një zgjedhje e veçantë. PSG po bën gjithçka për të rinovuar. Ndërkohë të gjitha skuadrat në Itali e duan atë, përfshirë edhe Napolin. Inter është i interesuar të firmos, por planet e Erick Thohir nuk janë shumë të qarta. Milan më duket se e ka me tepër për publicitet. Ata kanë nevojë për 3 ose 4 lojtarë të tjerë që të jenë sërish një skuadër kompetitive. Ka pasur oferta nga të gjitha kontinentet. Nuk mund të flas për shifra të sakta, por bëhet fjalë për shuma të mëdha kur flasim për Kinën. Gjërat do të qartësohen më tepër pas tre javësh, kur unë do të jem kthyer nga pushimet”, u shpreh Raiola. Ai tha se edhe skuadrat në Angli janë të interesuara për shërbimet e sulmuesit, përveç Manchester Cityt, i cili nga sezoni i ardhshëm pritet të drejtohet nga Pep Guardiola, trajneri me të cilin nuk ka marrëdhënie shumë të mira Ibra.
“Baloteli? Për herë të parë nuk mund të flasim për sjellje jashtë fushës të Marios, pasi ka qenë i shkëlqyer, ndërsa presim që të rikuperohet dhe të gëzojë më shumë minuta në fushë. Donnarumma? Mendoj se Conte duhet ta marrë me vete në Europianin e Francës, jo të luajë sigurisht, por të mësohet me atmosferën dhe të përgatitet për Botërorin. Gianluigi është duke bërë gjithçka mirë me Milanin dhe ai është shumë mirënjohës për kujdesin, duke filluar nga Abbiati që është si një vëlla i madh. Rinovimi? Nuk do të ketë asnjë problem. Nëse Donnarumma dëshiron që një ditë të largohet nga Milani, atëherë do ta bëjë për një skuadër jo italiane për respekt të skuadrës kuqezi”, shtoi Raiola.
“Pogba? Paul më ka surprizuar për mirë këto vitet e fundit. Ishte një talent, ndërsa tani është një kampion. Asgjë nuk ka ndryshuar nga një vit më parë. Marrëveshja me klubin është shumë e rëndësishme. Juve do 100 milionë? Dua të shtoj se jemi në të njëjtën linjë dhe nëse nuk ka ndonjë projekt më serioz, atëherë më mirë të qëndrojë te Juve. Jemi gati që të rinovojmë”, tha Raiola.