Si u dorëzuai Balili në fshatin mes Delvinës dhe Finiqit, takimi miqësor me policët që nuk e prangosën

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ishte vetë i pranishëm në momentin e vetëdorëzimit të Klement Balilit, i konsideruar si “Eskobari i Ballkanit” në dyshimin për trafikun ndërkombëtar të drogës, por kryepolici “u tradhëtua” nga deklarata se personalisht kishte negociuar me familjarët e të shumëkërkuarit prej tre muajsh. Nuk ishte rastësi kjo periudhë, pasi përkon pikërisht me momentin kur kryeministri Edi Rama iu drejtua Veliut se përse nuk po arrestohej Balili. “Unë nuk dua të presim të vijë Ambasadorja amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma, ashtu sikundër nuk dua që të vazhdojnë të rrinë në detyrë drejtorë dhe shefa komisariatesh në zona apo në pika ku dinjiteti për të cilin fola vihet në diskutim jo vetëm nga të “fortët” dhe makinat e pordhës së tyre, por as nga kundravajtësit që gërryejnë lumenj dhe male”.
Kjo është deklarata e Ramës e bërë më datë 15 tetor të vitit të kaluar, fiks kohë kur Veliu konfirmon se nisën negociatat për dorëzimin e tij. Policia e Shtetit qe paaftë ta arrestonte në kushtet e flagrancës për dy vite me radhë dhe gjasat janë që me këtë strukturë policore dhe me lidhjet e forta të të kërkuarit deri lart në rangjet elitë të politikës, përjetësisht Balili mund ti shmangej prangave. Diçka ka ndodhur dhe jo më kot dorëzimi erdhi ditën e sotme, kjo fill pas mbërritjes së letër-porosive nga Greqia, ku avokatët dhe vetë i kërkuari Balili janë njohur me materialet dhe po përgatiten për të bërë mbrojtjen në gjykatë.

Nga ana tjetër, kryeministrit Edi Rama i volitej ky moment, kur Balili të vetëdorëzohej, ndonëse këtë e kundërshton dhe lë të kuptojë se e detyruan policia dhe SHISH që të shkonte me këmbët e veta drejt qelisë. Përveç garancive për trajtim të mirë dhe proces të rregullt ligjor në përballje me drejtësinë, Balili nuk po trajtohet si një nga të shumëkërkuarit, por një “vlerë e çmuar” që policisë dhe qeverisë i shërben për të treguar se po vë para drejtësisë “peshqit e mëdhenj”…
Edhe në momentin kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu dhe ai i Vlorës iu afruan Balilit, ishte një takim me përmallim. Aty në atë fshat të vogël mes Delvinës dhe Finiqit u shënjuan “momenti historik”, ku policia ngjante se po arrestohej vetë… U shkelën procedurat e shoqërimit në disa pika. E para, Balili ishte pranë një duzinë shokësh e miqsh dhe po përcillej si “daja i dhëndrit” që shkon të marrë nusen… Aty në këmbë drejtues të policisë dhe një grup i vogël agjentësh prisnin deri sa Balili të takohej një për një me miqtë e tij.
Momenti i dytë i shkeljeve standarte të ndalimit (qoftë edhe me vetëdorëzim), ishte kur Balili nuk u prangos, por u fut në vendin e parë të automjetit të kryepolicit të shtetit. Gjitha ato negociata dhe garanci që nga kryeministri, e kthyen Balilin në një personazh pozitiv që në këto ditë të vështira të qeverisë po tenton të mbyllë kapitujt e hapura që ka edhe me sistemin e drejtësisë.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakZëri i Amerikës i përgjigjet Ramës: Mbështesim demokracinë dhe lirinë në Shqipëri
Artikulli tjetër“Doli nga shtëpia e vet dhe nën hundën e policië shkoi në pikëtakimin që kishte lënë me Ardi Veliun”