Dështon “Brexit”, May rrezikon të rrëzohet nga posti i kryeministres britanike

Lideri i laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn, paraqiti sot në mbrëmje një mocion mosbesimi ndaj qeverisë konservatore të Theresa May, pas kundërshtimit me shumicë të theksuar nga deputetët për marrëveshjen e “Brexit”, që ajo negocioi me Brukselin.
‘’Paraqes një mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie’’, tha Corbyn, duke e cilësuar rezultatin e votimit për marrëveshjen e Brexit si një disfatë katastrofike për qeverinë.
Votimi pritet të zhvillohet në pasditen e së mërkurës.
Që nga viti 1945, ligjvënësit britanikë kanë votuar 23 herë kundër Qeverisë, ndërsa i kanë dhënë votë besimi vetëm tri herë.
Por, mocioni i mosbesimit ka çuar vetëm një herë në rrëzimin e Qeverisë.
Sot, Theresa May ka përjetuar disfatën më të rëndë parlamentare të një kryeministri britanik në epokën demokratike, pasi anëtarët e parlamentit të vendit kanë hedhur poshtë marrëveshjen e saj me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë nga blloku evropian, me një shumicë të madhe prej 230 votash.
Konservatorët që mbështesin “Brexit”-in kanë bashkuar forcat me partitë opozitare për të goditur qeverinë në “votimin e rëndësishëm”, të cilin kryeministrja e vendit e kishte shtyrë para Krishtlindjes, me shpresën se disa anëtarë të parlamentit do të ndryshonin qëndrim.
May i kishte bërë një apel të fundit kolegëve të saj për ta mbështetur, në përmbylljen e një debati tetëditor për “Brexit”, të martën.
Ajo u kishte kërkuar atyre të mos e shkelnin premtimin e tyre ndaj popullit britanik për të përmbushur “Brexit”-in, daljen e Britanisë nga BE’ja.

Artikulli paraprak“Doli nga shtëpia e vet dhe nën hundën e policië shkoi në pikëtakimin që kishte lënë me Ardi Veliun”
Artikulli tjetërFaqja e pare