Merr fund telenovela Zlatan Ibrahimoviç. Pas eliminimit nga europiani sulmuesi i dha lamtumirën kombëtares suedeze, por jo futbollit të luajtur. Prej kohësh, mediat e kanë vendosur 34-vjeçarin në qendër të vëmendjes, duke hedhur hipoteza të ndryshme në lidhje me të ardhmen e tij dhe një nga destinacionet me të përfolura Mancheter United. Mesa duket bisedimet mes dy palëve janë drejt fundit dhe në orët e ardhshme pritet që bomberi suedez të firmosë një kontratë me “Djajtë e Kuq”. Sipas asaj që raportohet nga mediat britanike, palët prej kohësh kanë arritur verbalisht marrëveshjen dhe vonesa në njoftimin e këtij akordi ndoshta mund të ketë qenë angazhimi i Zlatan në “Euro 2016”.
Ende nuk bëhen të ditura detajet e kontratës, por në orët në vazhdim do të zbulohet gjithçka. Transferimi i tij në “Old Trafold” nuk do t’i kushtojë asnjë qindarkë arkave të klubit anglez, pasi kontrata që kishte sulmuesi me ish-skuadrën e tij PSG, ka përfunduar. Trajneri i Man.United, Jose Mourinho e kërkoi me ngulm transferimin e Zlatan dhe ky nuk është bashkëpunimi i parë mes tyre, sepse në të kaluarën të dy kanë qenë pjesë e Interit. Pasi ka fituar në çdo kampionat, ku ai ka luajtur, Anglia është stacioni radhës për gjigantin me origjinë boshnjake dhe ndoshta i fundit, ku sigurisht Zlatan do kërkojë me çdo kusht të lërë firmën e tij si kampion.