Pas titullit botëror, Gjermania synon të fitojë edhe titullin Europian. Për të arritur te trofeu, në rrugën e “panzera”-ve në çerekfinale është Italia. Ajo e së shtunës është një prej sfidave klasike të futbollit kontinental. Përballë “azzurrëve” Mario Gomez rigjen futbollin italian, pas eksperiencës te Fiorentina dhe paralajmëroi rivalët.
“Për mua është një ndeshje speciale, do të thoja zbavitëse dhe mosha nuk ka rëndësi. Pavarësisht së kaluarës po punojmë me optimizëm, sepse për ne Gjermani-Itali është vetëm një mënyrë për të arritur në gjysmëfinale. Duam të shpallemi kampionë të Europës dhe do t’ia dalim”.
Në 8 sfida në turnetë madhorë, Gjermania nuk ka fituar asnjëherë, duke regjistruar 4 humbje dhe po kaq barazime, me Italinë që ka kaluar gjithmonë në sfidat me eliminim direkt. Mbrojtësi Mats Hummels i ka të qarta vështirësitë e ndeshjes.
E kemi të qartë se jemi përballë një skuadre të fortë. Të shtunën, luajmë kundër emrave si Bonuçi e Chiellini, që janë mes mbrojtësve më të mirë në botë, të cilëve do t’u përgjigjemi me Mario Gomez në sulm. Italia është e fort për mënyrën sesi mbron. Për t’u kualifikuar në gjysmëfinale duhet të luajmë një ndeshje të madhe.