Jo vetëm në Britaninë e Madhe që kërkon Brexit-in, në të gjitha vendet e Bashkimit Europian janë forcuar partitë që e refuzojnë BE siç është sot. Por jo në çdo gjë këto partitë antieuropiane janë të një mendimi.
Gjermani – Alternativa për Gjermaninë, AfD
AfD i jep një afat përmirësimi BE-së. Sipas kësaj partie, BE duhet të dorëzojë një pjesë të madhe të kompetencave tek vendet anëtare. Nëse kjo nuk ndodh, AfD kërkon në programin e saj pasoja të forta. “Atëherë ne e konsiderojmë si opcion të fundit daljen e Gjermanisë apo një shpërbërje të rregulluar të Bashkimit Europian dhe themelimin e një bashkësie të re europiane interesash ekonomike.” Si euron edhe Parlamentin Europian kjo parti e quan të tepërt. Gjermania duhet të kthehet te marka gjermane. Grindje ka vetëm për atë se sa shpejt duhet të reformohet BE. Kërkesa për afat 5 vjeçar u zbut së fundmi në programin e partisë për zgjedhjet europiane në një formulim të vagullt “në kohë të përshtatshme”.
Britani e Madhe – UKIP
Partia për Pavarësinë e Britanisë së Madhe e sheh misionin e saj më të rëndësishëm gati të përmbushur: daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Kjo është arsyeja, pse UKIP që nga referendumi është dobësuar në elektorat. Pse duhet votuar UKIP, kur edhe partitë e mëdha, konservatorët dhe laburistët po ashtu e duan daljen nga BE? UKIP trembet, se Brexit ose do të bëhet shumë i “butë” ose në fund shfuqizohet. Në këtë rast kjo parti sërish do të merrte hov. UKIP ka status heroi për të gjitha partitë në BE që duan të dalin nga Bashkimi Europian.
Franca – Lëvizja Bashkuese Kombëtare – dikur Front National
Proeuropiani Emannuel Macron e rrëzoi rivalen e tij kritike ndaj BE, Marine Le Pen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Por që nga protestat e “jelekëve të verdhë”, Marine Le Pen ndjen se drejtimi i erës ka ndryshuar. Ajo ka mësuar nga humbja kundrejt Macronit. Kërkesa e atëhershme për daljen nga euro i kushtoi atëherë me sa duket shumë vota. Ajo e ka zbutur tani pozicionin e saj, në vend të kësaj duhet krijuar “Europa e kombeve”, e rëndësishme është tani ruajtja e kufijve shtetërorë për të penguar migracionin ilegal. Marrëveshjen e Shengenit në formën aktuale ajo e refuzon.
Austria – FPÖ
Partia e Lirisë e Austrisë ka qenë deri në vitet 70-të një forcë pozitive për futjen e Austrisë në organizatat pararendëse të BE. Por që kur drejtimin e mori në dorë Jörg Haider në vitet 80-të, kjo parti është kthyer në një parti skeptike deri armiqësore ndaj BE. Tani në shenjë kujdesi ndaj partnerit më të madh të koalicionit qeverisës aktual nën Sebastian Kurz, kjo parti paraqitet më e moderuar. Në fushatë, Kurz e vuri si kusht bashkëpunimi, që kjo parti të heq dorë nga të gjitha fjalimet që kërkojnë daljen e Austrisë nga BE. Që atëherë FPÖ kërkon më shumë reforma dhe më shumë të drejta për kombet në BE. Këtë e kërkon edhe konservatori Sebastian Kurz, por në një formë të zbutur.
Holanda – PVV Partia për Lirinë
Emigracioni dhe islami janë dy temat kryesore të kësaj partie. Në lidhje me Europën kjo parti nuk paraqitet me shumë nerv, pozicionet e saj afrohen me ato të partive të tjera antieuropiane. Ndikimi i BE duhet të zvogëlohet, shtetet të forcohen. Ashtu si AfD, edhe PVV holandeze kërkon heqjen e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian. Bashkëpunimi europian duhet të zhvillohet nga vetë shtetet kombëtare. Nuk kërkohet shprehimisht dalja nga euro, por PVV kërkon referendum për të vendosur, nëse Holanda do të qëndrojë apo do të dalë nga BE.
Polonia – PiS
Ka një dallim të madh mes partive populiste të djathta të Europës perëndimore dhe Partisë Për Ligj dhe Drejtësi, PiS. Kjo parti nuk është parti opozitare apo partnere e vogël e koalicionit, por parti qeverisëse. Ndaj BE kjo parti ka një qëndrim të dyzuar. BE është për PiS shumë liberale-laike, shumë pro globalizmit dhe refugjatëve. Nga ana tjetër tek PiS e dinë, se rritja e mirëqenies së Polonisë, varet shumë nga qenia pjesë e BE dhe pagesat që vijnë nga Brukseli. Tjetra – Polonia ka nevojë për BE si partnere për të mbajtur larg Rusinë. Kështu PiS nuk flet për daljen nga unioni. Madje Varshava e mbështet thellimin e bashkëpunimit brenda BE në fushën e mbrojtjes. Por kjo parti nuk i do ndërhyrjet nga BE – si në çështjen e shpërndarjes së refugjatëve, ashtu edhe në dobësimin e shtetit ligjor.
Hungaria – Fidesz
Hungaria ka shumë ngjashmëri me Poloninë. Fidesz qeveris e vetme, si PiS në Poloni. Ajo po ashtu e refuzon shpërndarjen e refugjatëve. Kryeministri, Viktor Orban përpiqet të fusë nën kontroll shtetin ligjor, po ashtu si PiS. Ai bën kompromis deri ku i duhet për kërkesat që vijnë nga Brukseli, me qëllim që injeksionet financiare nga BE të vazhdojnë të rrjedhin. Sepse edhe ai e di nga logjika ekonomike, se vendi i tij duhet të mbetet në BE. Një dallim i madh megjithatë ekziston: Në një kohë që partia qeverisëse polake, PiS sheh tek BE dhe NATO një garanci kundrejt Rusisë dhe kërkon sanksione më të ashpra, Orban është një admirues i presidentit rus, Vladimir Putin dhe ka kontakte të ngushta me të.
Italia – Lega
Lega është një rast i veçantë. Ajo quhej në fillim Lega Nord-një parti rajonale e veriut të pasur italian. Për një kohë të gjatë ajo kërkonte shkëputjen nga shteti i bashkuar italian. Në këtë kontekst, Lega e dikurshme ishte miqësore ndaj BE-së, sepse tek Bashkimi Europian shihte një kuadër për rajone të fuqishme europiane. Sot ajo quhet thjesht Lega, dhe e ka zgjeruar si parti influencën e saj në të gjithë Italinë, ajo tani është partnere e vogël e koalicionit populist në Romë. Kreu i saj, ministri i Punëve të Brendshme, Matteo Salvini, nuk lë t’i ikë asnjë mundësi aktualisht pa sulmuar Bashkimin Europian për gjoja përzierjet e tij, sidomos në politikën e brendshme.
Një kohë të caktuar Salvini kërkonte edhe heqjen e euros. Por për këtë tani atij nuk i dëgjohet më zëri. Për ironi të fatit, Salvini madje e ka promovuar veten edhe si president të mundshëm të Komisionit Europian, atëherë kur aleanca e partive populiste të djathta pas zgjedhjeve europiane të jetë fraksioni më i fuqishëm ose i dyti në renditje. “Miq në mjaft vende europiane ma kanë kërkuar këtë”, ka thënë Salvini në një intervistë për media në nëntor. “Të shohim, do mendohem.”