Manajn e do Cagliari

Shtohen skuadrat pretendente që duan të kenë shërbimet e Rey Manajt. Pas Cesenës, Perugias dhe Spal-it, në skenë ka dalë edhe Cagliari, klubi sard që në sezonin e ri do të luajë në Serinë A, ndërkohë që 19-vjeçari pëlqehet edhe nga spanjollët e Sporting Gijon. Pak ditë më parë, Interi e bleu përfundimisht kartonin e Manajt nga Cremonese me futbollistin që ka një kontratë deri në vitin 2020, me klubin zikaltër. Sipas asaj që raporton FcInterneës.it faqja që qëndron shumë pranë Interit, drejtuesit e klubit nga Milano kanë vendosur ta lejojnë, bomberin shqiptar të largohet, por vetëm në formë huazimi.
Trajneri Roberto Mançini dhe drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, besojnë shumë të aftësitë e Rey Manajt, dhe janë të sigurtë se nëse 19-vjeçari gjatë sezonit të ri do të luajë rregullisht në një skuadër më të vogël, ai do të rritet shumë si futbollist. E ardhmja e Rey Manajt mund të zgjidhet në fund të kësaj jave. Sipas FcInterneës, klubi zikaltër ka përcaktuar edhe mënyrën e transferimit të djaloshit të lindur në Lushnjë. Manaj do të largohet me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje nga klubi i tij ri dhe riblerjeje për një shumë të përcaktuar nga ana e Interit, gjithmonë nëse zikaltërit do të dëshirojnë ta rikthejnë në skuadër. Cagliari, Cesena, Perugia, Spal apo edhe Sporting Gijon duhet të përshpejtojnë, nëse duan realisht të kenë në skuadrën e tyre, sulmuesin shqiptar.

Artikulli paraprakDo të qëndrojë te Konyaspor
Artikulli tjetërBallkani Perëndimor pas BREXIT: Fitore e Rusisë, humbje e Evropës