Në SHBA, shumica republikane e një komisioni hetimor të Kongresit fajësoi ushtrinë amerikane se nuk iu përgjigj kërkesës së një zyre diplomatike në Bengazi të Libisë për të parandaluar sulmin terrorist të vitit 2012, ku u vranë katër amerikanë.
Kryetari i komisionit, ligjvënësi Trey Gowdy, tha sot se, “asnjë njësi ushtarake nuk u dërgua në Bengazi” megjithë urdhërin e qartë nga Presidenti Barack Obama dhe Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Leon Panetta.
“Asgjë nuk u dërgua drejt Libisë në kohën kur u vranë dy amerikanët e fundit, rreth tetë orë, pasi kishin filluar sulmet”, tha ligjvënësi Gowdy në raportin prej 800 faqesh mbi sulmin, hetimet rreth të cilit kërkuan dy vjet dhe kushtuan 7 milionë dollarë.
Udhëheqësit ushtarakë kanë përsëritur se ata nuk kishin informacione zbulimi për atë që po ndodhte në Libi apo mjete për t’u përgjigjur.
Zoti Gowdy tha se, përfundimet e raportit nuk janë të drejtuara ndaj zonjës Hillary Clinton, në atë kohë Sekretare e Shtetit dhe tani kandidate e pritshme për presidente. Por dy anëtarët republikanë të komisionit shkuan përtej konkluzioneve rreth sulmit të 11 shtatorit 2012 duke e fajësuar atë për keqinformim të publikut amerikan rreth incidentit.
Kongresmeni Jim Jordan tha se, Hillary Clinton fajësoi publikisht një video anti-myslimane që qarkullonte në Lindjen e Mesme, si nxitëse të sulmit, por një orë më vonë i dërgoi një imeill privat vajzës së saj Chelsea, ku shkruante se terroristët kishin ndërmarrë një sulm që kishte lënë të vrarë ambasadorin Christopher Stevens dhe tre të tjerë.
Disa republikanë, përfshi kandidatin e pritshëm presidencial Donald Trump, kanë fajësuar zonjën Clinton se nuk mori masa të mjaftueshme sigurie për të mbrojtur konsullatën. Për incidentin ka patur të paktën 10 hetime. Tetorin e kaluar, zonja Clinton dëshmoi publikisht për këtë çështje për 11 orë në Kongres.
Fushata e zonjës Clinton tha se, hetimi nuk ka asnjë element që bie në kundërshtim me përfundimet e hetimeve të mëparshme.