Nishani në Forumin e Crans Montanës: Vendet e Ballkanit të prekura nga kriza

Në Vjenë ka çelur punimet forumi i Crans Montanës, me përfaqësues të lartë nga shumë vende të botës. I pranishëm në këtë aktivitet, presidenti i vendit Bujar Nishani u përqendrua në zhvillimet më të fundit evropiane dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se procesi i integrimit evropian të vendit, pavarësisht zhvillimeve më të fundit evropiane, vijon të mbështetet masivisht nga qytetarët dhe forcat politike shqiptare. “Procesi i integrimit evropian në Shqipëri ka mbështetjen e mbi 90% të popullsisë dhe të gjitha forcat politike serioze në vend, pa përjashtim, janë të shprehura qartazi në mbështetje të tij. E thënë në këto momente, kur vetë Unioni po kalon një sfidë të jashtëzakonshme pas BREXIT, tingëllon ndoshta çuditshëm për veshët e jo vetëm euroskeptikëve, por edhe të shumë europianistëve që nuk janë të qartë për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Por procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për shqiptarët nënkupton: standarde, zhvillim dhe mirëqenie. Ndaj mbetet jo thjesht një ëndërr por objektivi më madhor strategjik i vendit dhe e vetmja alternativë e  zhvillimit të tij”. Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian, institucionet e tij dhe vendet anëtare të mos neglizhojnë vëmendjen edhe ndaj procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union. “Investimi i bërë për paqen, pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni duhen ruajtur dhe çuar më tej. Pavarësisht progresit të bërë, stabiliteti në rajon është ende vulnerabël pasi demonët e së shkuarës akoma enden nëpër Ballkan. Reformat e ndërmarra nga vendet e rajonit duhet të mos dekurajohen por të nxiten më tej nga BE-ja, pasi vetëm projekti evropian ka demonstruar që i vë ato realisht në lëvizje”. Nishani tha se “rajoni i Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë prekur nga të gjitha këto kriza dhe sfida, dhe me të drejtë qytetarët e vendeve kandidate apo potenciale kandidate në Bashkimin Evropian shtrojnë pyetjen sot se: Çdo të ndodhë me procesin e zgjerimit evropian pas BREXIT? Sigurisht që gjërat nuk janë më si më parë, por është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian, institucionet e saj dhe vendet anëtare të mos neglizhojnë vëmendjen edhe ndaj procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union. Investimi i bërë për paqen, pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni duhen ruajtur dhe çuar më tej”. “Në mënyrë të veçantë duket se lidhjet ekonomike mes hapësirës evropiane me atë lindore aziatike po rriten gjithnjë e më shumë. Kina si fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë, ka lançuar projektin madhor ekonomik ‘Silk Road Economic Belt’, për lidhjen e saj me Evropën përmes Azisë Qendrore dhe Rusinë, dhe duke përfshirë një sërë vendesh të Evropës Lindore, disa prej tyre vende anëtare të BE. Pra kontinenti po ndryshon sigurisht. E rëndësishme është që këto ndryshime të mos cenojnë sigurinë e hapësirës evropiane dhe vlerat perëndimore të kontinentit, ku tashmë janë të përfshira aktivisht edhe Shqipëria e vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor” tha Nishani.

Artikulli paraprakTë drejtat e fëmijëve, indeksi ku Shqipëria qëndron e fundit në rajon
Artikulli tjetërUNDP: Korrupsioni, ende i lartë në Kosovë