Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës në Këshillin Kombëtar të PD, ka deklaruar se, ndryshimi i politikës është sot mision kombëtar: nuk mund të ketë më as vonesa dhe as shtirje, makiazhe dhe fasada.
Ai theksoi se Në Shqipërinë e sotme ka vetëm dy mundësi: nëse je kriminel apo klient i Edi Ramës gëzon pushtet dhe para, për çdo kënd tjetër jetesa është e vështirë dhe e dëshpëruar.
“Sfidat qe kemi perpara jane te shumta, te medha dhe historike. Por gjithcka nis dhe do te kete suksese vetën me transformimin e politikes, modernizimin dhe europianizimin e saj. Ndryshimi i politikës është sot mision kombëtar: nuk mund të ketë më as vonesa dhe as shtirje, makiazhe dhe fasada.
Fasadat janë vetëvrasëse, makiazhet janë fatale. Në Shqipërinë e sotme ka vetëm dy mundësi: nëse je kriminel apo klient i Edi Ramës gëzon pushtet dhe para, për çdo kënd tjetër jetesa është e vështirë dhe e dëshpëruar. Sepse Shqipëpria është sot një vend me një shoqëri që nuk prodhon, nuk krijon, nuk zhvillohet, nuk përparon. Jemi një komb ku nuk ka mundësi për të ardhme. Pasuritë e shqiptarëve po grabiten ndërsa energjitë e shqiptarëve po shterojnë duke u ndeshur me krimin, korrupsionin, injorancën, kaosin”, tha kreu i opozitës
“Njerëzit janë mbërthyer para ekranit duke parë shpalosjen e skandalit të rradhës të Ramës, krimit të tij të radhës, vjedhjes së tij të radhës. Tani ai po shkatërron të ardhmen. Mungesa e shrpresës për të ardhmen është shkaku kryesor që shqiptarët po largohen nga vendi.
Fëmijët janë shkaku që Shqipëria po shkretohet. Mungesa e shkollimit cilësor, mungesa e shëndetësisë së sigurt dhe mbi të gjitha mungesa e mundësive për të punuar, për një jetë të përmbushur po i shtyn prindërit të nxisin fëmijët të largohen nga vendi “, theksoi Basha
Shqiptarët kanë nevojë të zgjohen, kanë nevojë të gjejnë kurajë, kanë nevojë të besojnë. Roli ynë, roli i demokratëve, i Partisë Demokratike në këtë gjendje është kritik. Nuk është aspak e ekzagjeruar të them se sot para nesh shtrohet një detyrë historike. Si rrallë ndonjëherë në këto tre dekada, një partie politike nuk i kërkohet thjesht të jetë një zgjidhje, një alternativë elektorale, nuk i kërkohet thjesht që të ndalë një të keqe. Nga ne sot kërkohet një ndryshim transformues, edhe më i vështirë se ai në fillim të viteve 1990-të. Atëhere kishte energji, kishte shpresë, politika shihej si një e mirë që do e çonte vendin përpara.
Sot Shqiptarët e shohin politikën si të keqen më të madhe dhe shkataren kryesore të problemeve tyre. Sot shqiptarët kanë humbur besimin tek vetja dhe tek e adhmja. Në këtë sfond, në këtë realitet ne duhet jo vetëm të luftojmë luftën për ndryshim, por mbi të gjitha betejën për besim, sepse pa besim nuk mund të arrijmë asgjë! Sot ne duhet të kthejmë së pari besimin se Shqipëria mund të bëhet vend normal.
E vetmja mënyrë drejt kësaj Shqipërie është varrosja e politikës së korruptuar deri në palcë dhe të inkriminuar në çdo qelizë, është shkëputja e politikës si vegël e një grushti politikanësh dhe biznesmenësh grabtqarë të cilët bëhen bashkë për të shkelur ligjin, për të vjedhur shqiptarët dhe pronat e tyre”, u shpreh Basha.