Pas studentëve të Tiranës dhe atyre të Elbasanit edhe ato të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kanë nisur ngujimin.
Ata janë mbledhur në Fakultetin Ekonomik duke u ngujuar brenda godinës në shenjë përshkallëzimi të protestës së tyre pasi ende nuk kanë marrë një konfirmim nga qeveria për plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.
Ata shprehen se janë të vendosur për vijimin e protestave dhe bojkotimit të mësimit deri në plotësimin e të gjithave kërkesave nga qeveria.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme studentët në Fakultetin Histori-Filologji kanë marrë një mbështetje të fuqishme dhe nga ana e pedagogëve , të cilët kanë nisur një grevë njëditore. Në një intervistë për mediat, pedagogu dhe kreu i departamentit të gazetarisë, Mark Marku u shpreh se kryeministri Rama bëhet qesharak, kur kërkon që të mbyllë protestën me urdhër.