Drejtori i OSHE, vëllai i Elvis Roshit dhunon me grushta e shkelma qytetarin në filial

Julian Kola, banues në Kavajë ka denoncuar ditën e djeshme në Opinion.al dhunën që Drejtori i OSSHE-së Kavajë, Saimir Roshi ka ushtruar ndaj tij brenda ambienteve të këtij filiali. Sipas zotit Kola gjithçka ka nisur dy ditë më parë, kur punonjës të OSSHE janë paraqitur pranë banesës së tij për shkak të një debie prej 27 mijë lekësh të vjetra që Kola kishte ndaj OSSHE. Punonjësit e OSSHE i kanë vendosur detyrimin që ose të shkonte të paguante debinë ose do t’i prisnin dritat.
Në momentin që Kola ka shkuar të paguajë debinë, punonjësit po sipas tij kanë kryer ndërprerjen e energjisë. I revoltuar në mbrëmje, duke ju referuar dëshmisë së dhënë për Opinion.al, Kola ka shkruar një status në faqen Buletini i Kavajës ku denonconte kryetarin e OSSHE-së Saimir Roshi si përgjegjës direkt për atë çka kishte ndodhur me energjinë në banesën e tij.
Ditën e djeshme, Kola ka shkuar në ambientet e OSSHE-së për të ndryshuar emrin në kontratën e energjisë. Këtu sipas tij, drejori Roshi ka filluar ta ofendojë dhe ka tentuar ta kapë me forcë dhe ta fusë në një nga zyrat e OSSHE-së.
“Unë Saimir Roshin e njoh. E kam pasur shumë shok.
Por u ndamë që në momentin që ai kaloi me PS-në. Unë kam jetuar prej shumë kohësh në Francë. Kam ardhur në Shqipëri para tre muajsh. Dy ditë më parë në banesën e tij erdhën 3 punonjës të OSSHE. Më thanë që ke një debi prej 27 mijë lekësh dhe nëse nuk i paguan do të të presim dritat.
U thashë mos i prisni sa të shkoj të paguaj. Pasi u ktheva pashë që energjia ishte ndërprerë. Më pas po këta punonjës e lidhën pas ankesës sime. Ditën tjetër u paraqita në zyrat e OSSH-e për të ndryshuar emrin në kontratën me OSSHE. Në këtë moment pas shpinës sime dëgjova zërin e Saimir Roshit. Sapo dëgjoi emrin tim, ai filloi të bërtiste dhe të shante në sy të arkëtareve nga çfarë t’i vinte më përmbarë.
M’u afrua dhe pasi më ofendoi më kapi prej krahu dhe donte të më fuste me forcë në një nga zyrat e OSSHE. Pasi nuk arriti filloi të më godiste me grushta dhe shkelma. Gjithçka është e filmuar nga kamerat e sigurisë”.
I pyetur se përse ky sulm nga ana e Saimir Rroshit, Kola u shpreh se, gjithçka ka lidhje me një status që ai ka shkruar mbrëmjen e dy netëve më parë në FB në profilin Buletini i Kavajës, ku denonconte z. Rroshi si përgjegjës për atë që ndodhi me energjinë në banesën e tij. Kola pranon gjithashtu se, ka bërë denoncim në Policinë e Kavajës, ndërkohë që do të paraqitet edhe te Mjeku Ligjor.

Artikulli paraprakRama u tjetërson pronat, përleshje të gjakosura në Këshillin Bashkiak të Himarës
Artikulli tjetërGjermania e prerë: Nëse qeveria kap drejtësinë s’keni vend në BE, jo vota të blera, por kompromis