Grabitja e djeshme në Aeroportin e Rinasit është cilësuar nga mediat e përmasave të filmave hollivudianë, pasi vjen në kohën kur Shqipëria ka përforcuar masat e sigurisë për shkak të kërcënimeve që mund të vijnë nga rreziku i terrorizmit. Mirëpo, ka mjaftuar vetëm një skenë e thjeshtë filmi që siguria jonë të dalë fare zbuluar.
Por kjo nuk është skena e parë kinomatografike që ka dalë nga ekrani i televizorit për t’u hedh në realitetin e përditshëm të jetës tonë. Vetëm në 18 muaj, kanë ndodhur tri grabitje të të njëjtit stil, madje tepër të ngjashme me grabitjen e djeshme në Aeroportin e Rinasit.
Në të tria rastet janë marrë shumë të mëdha parash. Në të tria rastet, grabitësit kanë pasur informacion të saktë për destinacionin e parave dhe kanë studiuar lëvizjet e makinave të transportit. Pikërisht nga këto detaje, kanë çuar specialistët e kriminalistikës të hedhin dyshimet kryesore për të njëjtën metodë grabitje, nga e cila, mund të ndodhë të jetë i njëjti grup kriminal.
Sepse lëvizje të tilla parash, në të gjitha rastet është informacion i klasifikuar. Shumë pak persona kanë dijeni të lëvizjes së parave, duke marrë parasysh edhe shumat e mëdha të tyre.
Por çfarë i lidh grabitjet njëra me tjetrën?
Ngjarja e ndodhur më 27 prill të 2015-ës, në autostradën Tiranë-Durrës, ku u grabit një makinë e kompanisë “Security” tip “Mercedes Benz 190-ç”, pas kryerjes së aksionit, makina është braktisur dhe djegur menjëherë nga autorët e krimit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me grabitjen e djeshme në Aeroportin e Rinasit, ku makina që i ndihmoi autorët për t’u larguar nga vendngjarja është djegur në Fushë-Prezë.
Grabitja e tretë, ka të bëjë me një grabitje të llogaritur në mënyrë preçize dhe që ka zgjatur vetëm tri minuta. Njëri prej tyre mjaftohet dhe qëllon me shuplakë njërin nga policët e eskortës, pa hasur në rezistencë të dukshme. Kamerat e sigurisë tregojnë se në më pak se tri sekonda, efektivët e sigurisë fizike ndeshen me tre grabitësit, për t’i lënë ata më pas që të largohen të qetë, bashkë me lekët.
Pavarësisht kësaj, grabitja që u krye në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet, nuk ngjan aq shumë me specifikat e dy grabitjeve të ndodhura njëra në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa tjetra në Aeroportin e Rinasit.
Detaji më i rëndësishëm, që lidh dy grabitjet njëra me tjetrën, ka të bëjë me ashpërsinë e autorëve dhe përllogaritjen deri në detajet më të imëta të të gjithë aksionit të tyre, duke bërë të mundur finalizimin e një krimi me sukses të madh. Të paktën deri në këtë periudhë që flasim, pasi në grabitjen e parë, autorët ende nuk janë kapur edhe pse u vodhën shuma të mëdha parash. Në rastin e dytë, kapja e autorëve ngelet për t’u parë nëse do të arrihet të identifikohen ata.
Një detaj jo i parëndësishëm që ka hedh dyshime mbi lidhjen mes dy grabitjeve dhe që ka shtuar mundësinë për të menduar se është i njëjti grup kriminal, ka të bëjë edhe me pozicionin gjeografik të dy akteve të grabitjes. Të dy ngjarjet nga njëra-tjetra nuk i ndajnë veçse pak kilometra. Çka hedh dyshime, se autorët jo vetëm e njohin mirë këtë zonë, por kanë në dispozicion gjithë infrastrukturën e mundshme për të bërë të mundur largimin e tyre nga zona e krimit. Një element tjetër, jo më pak i rëndësishëm është edhe tipologjia e kryerjes së aksionit, djegie, thyerje dhe terrorizim të policëve me një gjakftohtësi të paparë nga ana e tyre. Por bashkë me këto detaje, nga përshkrimet e efektivëve privatë të dy kompanive, përshkrimet fizike të grabitësve kanë përputhje njëri me tjetrin. Si në rastin e parë në autostradë dhe në rastin e dytë në Aeroportin e Rinasit, kriminelët kanë një përputhje të madhe për aq sa i përket karakteristikave fizike.
Berisha: Vjedhja në Rinas në bashkëpunim me policinë
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për supergrabitjen në pistën e Aeroportit të Rinasit. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, siguria është në duart e maskave dhe se janë shtuar masat që hajdutëve të mos ju hyjë ferra në këmbë. “Çunat e krimit pohojnë bashkëpunimin në vjedhjen e një kuintal monedhave euro në pistën e Aeroportit të Rinasit! Të dashur miq, sot në ora 12:30 minuta, tri persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një kuintal euro që transportohej me një makinë të blinduar për në avionin e linjës. Natyrisht për çdo njeri është e qartë se një vjedhje e tillë nuk bëhej dot kurrë pa bashkëpunimin e ngushtë të çunave të krimit”!
Berisha shkruan më tej se, kësaj radhe është komunikata e policisë që dëshmon se janë vetë çunat që ju kanë përcaktuar hajdutëve zonën se ku duhet të grabisnin paratë. “Lexoni njoftimin e Policisë së Shtetit: ‘Rrethimi i jashtëm sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që menaxhon aeroportin’. Pra, policia lan duart me krimin e shëmtuar, pushtimin e pistës së avionëve nga bandat me maska dhe të armatosura, çka do të thotë se dikush prej tyre ju ka thënë maskave të mos i grabisim paratë në oborrin e aeroportit, por në pistën e tij se aty ia lëmë përgjegjësinë jo vetes, por rojeve private. Kësaj i thonë ‘ne paratë, rojet private të rrethimit përgjegjësinë’! Skemë shumë e gjetur! sb”, përfundon Bertisha.
Ndërkohë, deputeti i PD, Arben Ristani nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ironizon ministrin Tahiri pas njoftimit se në aeroport janë shtuar masat e sigurisë. “Saja njoftoi dje se në Aeroportin e Rinasit janë shtuar masat e sigurisë, për shkak të ngjarjeve të Aeroportit të Stambollit ku ndodhën aktet terroriste. Sot disa vetë të maskuar dhe të armatosur janë futur në pistën e avionëve dhe kanë grabitur një shumë të madhe parash. Lum ne për Sajen dhe shtetin që kemi”, shkruan Ristani.
Dyshohet se vjedhja spektakolare në Aeroportin “Nënë Tereza” është organizuar nga vetë bandat e pushtetit. Nuk ka asnjë shans që të grabitet një aeroplan dhe makinat e parave në mes të aeroportit pa një plan të studiuar. Kjo lidhet me studimin e të dhënave të hollësishme të stacionit të parë ku ndodhen paratë, me itinerarin e transportit dhe me të dhënat e sigurisë së aeroportit ku do të kryhet operacioni i grabitjes.
Eshtë e pamumdur të kryhet një grabitje e tillë në aeroport kur masat e sigurisë ishin rritur dhe ishin shumëfishuar forcat e policisë dhe të antiterrorist. Ndërkohë që mësohet zyrtarisht që 24 orë më parë kanë ndryshuar 100% të dhënat e sigurisë së aeroportit, domethënë kanë ndryshuar të dhënat fillestare të vendosjes së rojeve dhe mbikëqyrjes fizike, përqendrimit në vëzhgimin e kamerave të sigurisë, pozicionimit dhe gatishmërisë të forcave të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të aeroportit.
Policia e Shtetit deklaroi një ditë më parë se kishte vendosur një plan të detajuar masash të Policisë dhe forcave antiterror, të vendosjes pranë aeroportit të makinave të policisë dhe gjendjes së tyre të gatishmërisë dhe forcave përkatëse policore dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe mbi të gjitha të gatishmërisë së përdorimit të armëve të zjarrit. Ndaj dhe grabitja është kryer nga një grup i lidhur ngushtë me zyrtarët e lartë.