Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka lavdëruar dyshen e Real Madridit, Pepe dhe Cristiano për paraqitjen e tyre në ndeshjen kundër Polonisë në Euro 2016. Ai tha se ata kanë qenë të jashtëzakonshëm dhe se Ronaldo është një kapiten i madh. “Nuk flas për individë, por Pepe dhe Cristiano kanë luajtur ndeshje fantastike dhe mendoj se njerëzit i nënvlerësojnë ata. Ata fokusohen te Ronaldo, nga i cili duan vetëm gola, gola dhe gola, por ai ka luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është një kapiten i madh”, tha Santos pas kualifikimit në gjysmëfinale të Euro 2016.
Ronaldo nuk shënoi në kohën e rregullt, por ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë gjatë penalltive, ku skuadra e tij fitoi 5:3. Ishte adoleshenti ai që u shpall njeriu i ndeshjes për luzitanët në çerekfinalen me Poloninë, ndaj së cilës fituan vetëm pas gjuajtjes së 11-metërshave. Trajneri Fernando Santos nuk i kurseu aspak elozhet për blerjen më të re të Bajernit të Mynihut. “Mendoj se, Renato bëri një ndeshje të madhe, por unë nuk prisja që gjërat të shkonin ndryshe. Ai ka ende shumë për të ofruar dhe është në përmirësim të vazhdueshëm. Ai që shihni sot nuk është Renato i së ardhmes, jam i sigurt se me kalimin e kohës, ai do të jetë akoma më i mirë”, tha Santos.
Më pas, Santos e ktheu vëmendjen te suksesi për kalimin në gjysmëfinale, duke u përpjekur të ulë euforinë në skuadër për arritjen e këtij suksesi “Disa nga futbollistët e mi arrijnë në këtë fazë të një Europiani për herë të parë dhe po jetojnë një ëndërr më të madhe se timen. Disa janë në qiellin e shtatë, sepse po ëndërrojnë për atë që po u ndodh. Mungesa e eksperiencës ka anën pozitive të saj, por ndonjëherë në anën taktike kur pëson ndonjë gol ajo të bën shaka të hidhur. Ndaj Polonisë, lojtarët reaguan shumë mirë dhe luftuan fort deri në fund”, u shpreh trajneri.
Cristiano Ronaldo është njeriu që merr vendimet më të rëndësishme te Portugalia dhe me shumë mundësi është po ai që i kërkoi trajnerit të godiste i pari. Një tjetër problem delikat është edhe dëmtimi në kofshën e djathtë që po e shqetëson që prej muajit prill dhe sipas të dhënave, dëmtimi vazhdon ta shqetësojë, duke e kushtëzuar, por kjo nuk mjafton për të justifikuar figurën jo të mirë që po bën kapiteni, i cili shpesh herë ka ndryshuar pozicion me Nanin për të kursyer sa më shumë energji. Përveç dy golave kundër Hungarisë, shenja që ka lënë 3 herë fituesi i Topit të Artë është e vogël dhe ndoshta ka ardhur momenti që ai të ndryshojë ritmin, sepse pikërisht në këto momente, Portugalia ka më shumë se kurrë nevojë për të.