Kryeministri Edi Rama ka përgatitur një skemë të rrezikshme të përdorimit të pronave publike, rezultati i së cilës do të jetë tjetërsimi i bregdetit dhe pasurive të tjera publike të vendit, në favor të klientëve të tij dhe bizneseve të tjera.
Qeveria ka vendosur të krijojë një kompani shtetërore të quajtur “Korporata e Investimeve Shqiptare”, e cila do të marrë në pronësi për të menaxhuar dhe për t’i përdorur për investime, të gjitha pronat shtetërore dhe publike të vendit.
Exit.al ka analizuar projekt-ligjin për krijimin e kësaj kompanie të quajtur “Korporata e Investimeve Shqiptare”, i cili është përgatitur në mungesë të plotë transparence dhe është botuar në rrjet, siç e kërkon ligji, pa shumë zhurmë, për të mos tërhequr vëmendjen publike.
Ndonëse për mbulesë dhe për sfond ligji është i mbushur me fjalë të përgjithshme për qëllime të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit, qëllimet e vërteta të krijimit të korporatës bëhen të qarta në Nenin 2, i cili, ndër të tjera, thekson se Korporata ka për objektiv:
“ Vënien në përdorim më eficient të pronave shtetërore.”
“ Kryen investime duke mobilizuar kapital shtetëror dhe/ose privat.”
Shprehja teknike dhe e përgjithshme “përdorim më eficent” do të thotë se do t’ia japë privatëve ose për shfrytëzim ose për investime. Pikërisht kjo gjë konfirmohet më poshtë me shprehjen “mobilizon kapital shtetëror dhe/ose privat” që do të thotë se korporata do të bëjë një projekt-investimi për një pronë publike, të themi një kompleks golfi diku në bregdet, dhe vetë do të vërë tokën dhe nga privati do të kërkojë të bëjë investimin, duke ndarë me të aksionet në fushën e golfit, natyrisht sipas marrëveshjes mes palëve.
Kjo do të thotë që përmes korporatës do të mundësohet që pronat dhe pasuritë shtetërore të tjetërsohen tek privatët.
Ky qëllim nuk fshihet në relacionin shoqëruar të projektligjit të analizuar nga Exit.al. Natyrisht duke u shprehur në terma të përgjithshme se Shqipëria ka nevojë për projekte investimi dhe zhvillimore, qeveria e thotë hapur qëllimin e saj që pronat publike do përdoren për t’i shërbyer privatëve:
“Shumë nga këto projekte nuk mund të realizohen nga sektori privat pa përfshirjen në një masë të konsiderueshme të shtetit në procesin e dhënies së autorizimit dhe në vënien në dispozicion të aseteve.”
Ky kalim tek privatët, i pronave shtetërore apo rrëmbim de facto i tyre, do të bëhet pa asnjë mbikëqyrje dhe duke anashkaluar çdo standard ligjor. Ligji i propozuar nga qeveria e përjashton Koporatën nga rregullat e prokurimit publik dhe i jep asaj pavarësi të plotë, për të vendosur se çfarë investimesh dhe projektesh do të ndërmarrë.
Nenin 3, i cili parashtron parimet që duhet të udhëheqin veprimtarinë e Korporatës, në pikën b) sanksionon se si parim të kësaj veprimtarie “pavarësinë në vendimmarrje, në kryerjen e funksioneve dhe në propozimin e projekteve.” Ndërsa, Neni 12, e përjashton Korporatën nga ligjet e prokurimit publik:
“Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit.”
Kjo do të thotë se, de jure drejtuesit e Korporatës dhe de facto Kryeministri Rama, do të vendosë t’i përdorë pronat publike për çfarëdo investimi që dëshiron, pa u penguar apo kushtëzuar nga askush, dhe se mund t’i realizojë ato në bashkëpunim bashkëpronësie, koncesioni, apo partneriteti me këdo që dëshiron, pa asnjë procedurë formale përzgjedhjeje, dhe se mund t’i zbatojë ato me projektues, ndërtues dhe çfarëdo lloj zbatuesi që dëshiron.
Fjala vjen, Ligji do t’i lejojë Korporatës, pra kryeministrit, të investojë, si shembull, një kompleks rezidencial të themi në Borsh dhe të vendosë që për këtë investim të hyjë në partneritet më këdo kompani që dëshiron, le të themi Mane apo Kastrati, duke i dhënë kësaj kompanie truallin në bregdetin e Borshit.
Ligji lë hapësirë për një skenar edhe më të rrezikshëm. Ligji e lejon Koporatën të marrë kredi nga çdo lloj institucioni financiar, pa patur nevojë për miratim nga askush. Natyrisht, si garanci për huatë e marra, Korporata, është e lirë të lërë si garanci pronat që ka në zotërim dhe menaxhim. Nëse ajo humbet aftësinë për të paguar këto hua, rrezikon të humbë garancinë, pra pronën publike.
Le të marim një shembull ilustrues. Korporata mund të vendosë që të marrë një hua për të ndërtuar një aeroport në Vlorë, të themi nga Banka ABI dhe të vërë kolateral një pjesë të tokës në bregdetin e Vlorës. Nëse investimi shkon keq dhe aeroporti kushton më shtrenjtë apo nuk kthen investimin, Korporata mund të humbë aftësinë të paguajë huanë dhe bregdeti i Vlorës sekuestrohet nga Banka ABI, e cila e nxjerr në shitje dhe e shet me çmim shumë më të ulët se tregu, të themi tek Firma Fusha shpk. Pra, publiku humbi paratë për një investim të dështuar, humbi një pasuri në bregdet, ndërsa një kompani private fitoi për çmim shumë të ulët këtë pasuri.
Ligji i propozuar nga qeveria e mundëson këtë skenar të rrezikshëm në mënyrë të ligjshme, pra pa shkelur asnjë ligj dhe pa asnjë llogaridhënie apo përgjegjësi publike dhe penale. Madje të gjitha këto veprime mund të bëhen në mënyrë të qëllimshme, drejtuesit e Korporatës të vendosin qëllimisht të marrin hua të dështuar, për të tjetërsuar në fund pronat publike tek privatët.
Këto skenarë janë jo vetëm të mundshëm teorikisht, por me gjasa do të ndodhin. Ky hamendësim përforcohet nga fakti se, Korporata do të drejtohet dhe mbikqyret praktikisht vetëm nga Kryeministri më një grusht njerëzish që përfaqësojnë sektorin apo interesat private.
Këshilli Mbikqyrës i Korporatës, organi që emëron dhe mbikëqyr Drejtorin Ekzekutiv të Korporatës dhe që merr vendimet më të rëndësishme, përfshi për planet e investimeve, në fakt kontrollohet nga përfaqësues privatë dhe jo publikë. Neni 15, i cili përcakton përbërjen e Këshillit Mbikqyrës, përcakton se:
“Këshilli Mbikëqyrës, përbëhet nga pesë anëtarë, “një anëtar është përfaqësues i institucioneve qendrore dhe katër janë përfaqësues nga biznesi dhe fusha akademike.”
Anëtarët zgjidhen nga pronari i Korporatës, formalisht nga ministri i ngarkuar për ekonominë, praktikisht nga kryeministri.
Madje edhe Bordi Këshillimor, i cili nuk ka rol ekzekutiv, por këshillimor është gjithashtu i përbërë nga vetëm një përfaqësues publik dhe tetë të tjerë përfaqësues privatë, dy nga institucionet financiare ndërkombëtare, tre nga biznesi dhe tre nga bota akademike, që nuk përjashton universitetet private.
Mund të jetë spekullim, por duket se me Korporatën e Investimeve Shqiptare, Edi Rama krijoi “kompaninë” e tij, e cila ka në pronësi pasuritë më të mëdha të vendit. Tani, Rama do të mund të hyjë në marrëveshje dhe pazare të hapura me oligarkët e tjerë dhe jo, si deri më sot, përmes pazareve të fshehta.
Jo pa qëllim, ligji i krijimit të korporatës, lejon që në të të marrin pjesë me kapitale edhe institucionet private financiare, që do të thotë se në të mund të bëhet ortak, le të themi pa ndonjë paragjykim, me Zamir Manen, përmes Bankës Tirana në pronësi të tij. Kështu, Edi Rama dhe Zamir Mane mund të bëhen formalisht dhe ligjërisht ortakë.
Me Korporatën, Edi Rama do të bëhet de facto oligarku më i madh në Shqipëri dhe partneri i madh i të gjithë oligarkëve të tjerë.
“Exit.al”
Institucioni i ri i grabitjes së pasurive të shqiptarëve e ka emrin KISH, si do ju zhvasë?
Një ndjenjë gëzimi përshkoi shumicën e shoqërisë këtë të martë, kur u njoftuam nga Qeveria se “propozimet e pakërkuara”, një nga format më të kritikuara të koncesioneve e PPP-ve do të hiqeshin nga legjislacioni aktual. Teksa përdorimi i PPP-ve është konsideruar prej kohësh si shqetësues nga mediat lokale, por dhe nga misione të FMN-së, forma e tyre më ekstreme e tyre, “propozimet e pakërkuara”, ishin edhe më të kritikuara. FMN-ja, në një deklaratë të rrallë jo-diplomatike, bëri thirrje për heqjen e tyre pasi “shteti shqiptar nuk kishte kapacitet për të vlerësuar dhe menaxhuar rreziqet që vijnë nga këto kontrata”.
Siç e kam shpjeguar më parë (këtu, këtu, dhe këtu), shumica e të ashtuquajturave PPP asnjëherë nuk kanë pasur justifikim ekonomik. Ato ishin thjesht një borxh publik i fshehur, edhe më i shtrenjtë, pa ndonjë përfitim për publikun. Megjithëse PPP-të e vërteta kanë argumentet kundra dhe pro, të cilat debatohen gjerësisht në botë, aplikimi i tyre në Shqipëri kishte vetëm të parat dhe asnjë nga të dytat.
Për fat të keq ama, entuziazmi ynë duhet të zbehet. Qeveria nuk po planifikon të largohet nga këto kontrata të rrezikshme. Ajo po ndërmerr një hap tjetër, shumë më ekstrem dhe shumë më të rrezikshëm, për të përforcuar mundësitë e saj për të nënshkruar kontrata me llogaridhënie të vogël dhe përfitime të pakta ndaj publikut. Qeveria ka publikuar kohët e fundit një projekt-ligj për një institucion të ri financiar, Korporatën e Investimeve Shqiptare (KISH – AIC, Albanian Investment Corporation). Fuqitë dhe hapësirat ligjore të këtij institucioni për t’u angazhuar në skemat financiare “inovative” janë shumë më të mëdha se ato të parashikuara nga ligji mbi partneritetet publike-private.
Çfarë bën saktësisht Korporata Investimeve Shqiptare?
KISH është përfolur për një kohë të gjatë për shkak të vendimeve të mëparshme që po lehtësonin krijimin e saj. Dyshimet në lidhje me një institucion të tillë filluan të shfaqen verën e kaluar, kur Qeveria njoftoi se pjesa më e madhe e territorit përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë do t’i dedikohet një “fondi për mbështetjen e investimeve strategjike”.
Sipas projekt-ligjit, KISH do të jetë në gjendje:
– Të konsolidojë nën kontrollin e saj, të gjithë trojet dhe asetet publike, siç mund të jenë aksionet publike në kompani të tjera dhe t’i përdorin ato si një mjet “për të nxitur investimet private”.
– Do ta bëjë këtë duke vepruar tërësisht jashtë ligjit të prokurimit publik. KISH ka liri absolute për të vepruar si kompani private me asetet publike nën kontrollin e saj.
– Mund të hyjë në marrëveshje me palët e treta, për çdo investim që ajo e konsideron të vlefshme.
– Mund të përdorë asetet e saj si kolateral për të marrë hua të mëtejshme nga institucionet financiare.
Nëse kjo tingëllon si çmenduri, … kjo ndodh sepse është vërtet kështu!
Në thelb, institucionit të ri do t’i jepet pavarësia e plotë për të menaxhuar asetet publike të Shqipërisë, jashtë kuadrit ligjor aktual. Sigurisht ligji pretendon se standardet dhe kriteret e mëtejshme do të përcaktohen me akte nënligjore të ardhshme, siç janë Vendimet e Këshillit të Ministrave. Për fat të keq, Shqipëria dhe Qeveria e tanishme kanë një histori të përdorimit të justifikimit të akteve nënligjore për të miratuar ligje që nuk ofrojnë mbrojtjen e duhur për interesin publik.
Për shembull, ligji mbi Arsimin e Lartë duhej të plotësohej me akte nënligjore të mëtejshme. Edhe katër vjet pas miratimit fillestar të ligjit, këto akte nënligjore ende nuk janë shkruar. “Ligji Special” për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, një model në miniaturë për KISH në fakt, gjithashtu nuk dha kushte dhe kritere të qarta për mënyrën se si do të zhvilloheshin negociatat ndërmjet një komisioni publik dhe një firme private lidhur me përdorimin e tokës publikut. Ligji i veçantë, në fakt, i siguroi komisionit një mbrojtje ligjore për keqpërdorimin e tokës publike, e jo mbrojtjen e saj.
Projekt-ligji i KISH gjithashtu pretendon se çdo humbje financiare që do pësojë Korporata do mbulohet nga fondet e saj dhe jo nga buxheti publik. Kjo është një garanci e kotë, gjithsesi, pasi kapitali fillestar nëpërmjet të cilit KISH do të operojë, është i përbërë tërësisht nga pasuritë publike, dhe humbjet e mundshme do të financohen gjithashtu prej tyre. Kjo mund të përfshijë edhe humbje të pronësisë së trojeve publike në rast të ekzekutimit të kolateralit nga institucionet financiare kredidhënëse.
Si i justifikon Qeveria të gjitha këto?
Në fakt, as nuk po përpiqen t’i justifikojnë! Në relacionin shoqërues që shpjegon objektivat e ligjit, Qeveria jep dy pretendime shumë të gjera.
Pretendimi i parë është se ky institucion i ri do t’i lejojë Qeverisë të tërheqë investime më të mëdha, më të rëndësishme dhe strategjike. Siç mund të mendoni, kjo deklaratë e fortë nuk mbështetet nga asnjë shpjegim i mëtejshëm. Nuk ka asnjë analizë se pse kuadri ligjor aktual nuk është i mjaftueshëm dhe çfarë lloj investimesh kanë nevojë saktësisht për një institucion të tillë si KISH.
Pretendimi i dytë është se ky lloj institucioni mund të gjendet në vende të tjera dhe është zhvilluar nëpërmjet ndihmës së CID, instituti kërkimor në Harvard ,i cili ndihmon Qeverinë Shqiptare nëpërmjet një kontrate të financuar nga Soros. Për fat të keq, përsëri nuk ofrohen shembuj suksesi nga vendet e tjera, në mënyrë që të matet impakti dhe dobia e një korporate të tillë. Gjithashtu, CID, në njohurinë time, nuk ka publikuar asnjë raport apo dokument që mbështesë këtë pretendim.
Për më tepër, raporti pranon gjithashtu, se një ligj i tillë nuk ka objektiv përafrimin me acquis communautaire, kuadrin ligjor të BE-së, të cilin Shqipëria duhet ta ndjekë sipas procesit të integrimit. Si rrjedhojë, nënkuptohet se ky institucion shkon kundër natyrës së legjislacionit të BE-së dhe çfarëdo “shembujsh suksesi” që Qeveria shqiptare ka gjetur për korporata të tilla, ato ndodhen jashtë BE-së.
Pra, a ekzistojnë institucione të tilla gjetkë?
KISH ka të ngjarë të konsiderohet si një Fond Inveshtimesh Sovran nga Qeveria, pasi të miratohet. Etiketime të tilla, ashtu si në rastin e PPP-ve, nuk do të thonë shumë. Publiku mund të jetë i njohur me Fondet e Investimeve Sovran, të përdorura nga vendet e pasura me naftë, për të menaxhuar një pjesë të fitimit të tyre për gjeneratat e ardhshme. Norvegjia, aktualisht ka fondin më të famshëm dhe më të suksesshëm në botë. Vendet e Gjirit Persik kanë versionet e tyre të këtyre fondeve, por ato tentojnë të investojnë më shumë në pasuri të paluajtshme luksoze apo ekipe futbolli, të përdorura për dëfrimin e udhëheqësve të vendeve dhe jo për interesin e gjerë publik.
Është e qartë se KISH nuk është e ngjashme me këto raste. Institucioni më i ngjashëm është Fondi i Pasurisë së Turqisë (TËF, Turkey Wealth Fund). Në fakt, mënyra e funksionimit të tij duket tepër e ngjashme me atë të Shqipërisë.
Kapitali fillestar i TWF përbëhet nga troje publike dhe aksionet në pronësi të qeverisë turke në kompani të ndryshme. Qëllimi publik i fondit turk ishte të siguronte investime të huaja, me norma interesi më të ulëta. Ai u krijua thuajse dy vjet më parë, kur ekonomia turke filloi të vuante largimin e kapitalit të huaj dhe zhvlerësimin e monedhës. Është e vështirë të kuptohet nëse ky institucion i lejoi Qeverisë turke të keqpërdorë kompanitë dhe asetet nën kontrollin e fondit – shumica e vëzhguesve të jashtëm, gjithsesi, besojnë se kompanitë tashmë janë nën kontrollin total të Presidentit Erdogan dhe familjes së tij. Gjithsesi, TËF dështoi në objektivin e fillestar për të tërhequr investime të mëtejshme dhe në shtatorin e 2018-ës Presidenti Erdogan ndryshoi të gjithë udhëheqjen e tij … duke vënë vetveten dhe dhëndrin në krye të bordit drejtues.
Shembulli më i frikshëm ama është skandali i vazhdueshëm i Fondit 1MDB të Malajzisë. Fondi, i financuar fillimisht nga huatë publike si dhe të ardhurat nga nafta, supozohej të ishte një partner për “investimet strategjike” në vend (emërtim i njohur?). Fondi duhej të menaxhohej në mënyrë profesionale dhe pagoi kontrata të shtrenjta për shërbimet e konsulencës ndaj Goldman Sachs, ndoshta banka më e famshme e investimeve në botë. Të gjitha këto operacionet duhet të ndodhnin nën syrin vigjilent të Ministrisë së Financave. Sot, të gjitha këto pretendime janë provuar të rreme. Fondi është bërë i famshëm në të gjithë botën, por jo për ndonjë arritje të veçantë. 1MDB është aktualisht nën hetim për kanalizimin e mbi 1 miliard dollarë në llogaritë personale të ish-Kryeministrit, të gjitha me ndihmën e bankierëve të investimeve që fshehën fondet, falë një numri të madh transaksionesh dhe depozitash bankare off-shore, të cilat ende po hetohen për shkak të kompleksitetit të tyre. Përkundrejt garancive fillestare në lidhje me menaxhimin dhe transparencën, fondi kurrë nuk auditoi në mënyrë profesionale dhe transparente pasqyrat e tij financiare.
Teksa Turqia shërben si një shembull ku truket e kontabilitetit si këto “fonde inovative” nuk mund të shërojnë problemet themelore të një ekonomie, Malajzia ofron modelin më të frikshëm, ku bashkimi midis interesave private dhe publike në një vend me institucione të dobëta degradon shpejt në vjedhje të hapur.
“Exit.al”