Nga Elton LASKA
Kryeministri ynë nuk njeh limite, teksa luksin e shfrenuar, e publikon nëpër rrjetet sociale me idenë se po shet art, por fatkeqësisht, shet vetëm injorancën dhe mungesën e karakterit të tij. Edi Rama, me gjithë familjen, ndodhen në Gjermani, në një ekspozitë ku ekspozon zhgarravinat e tij. Qiranë e ambjentit e paguan me taksat tona dhe vizitorët e vetëm, janë punonjësit e ambasadës, që shkojnë aty me listë emërore dhe, veç kartës së anëtarësisë në Partinë Socialiste, duhet të paguajnë dhe çmimet e kripura të biletave dhe të pikturave të artistit “mbarëkombëtar” të Partisë Socialiste.
Kryeministri, familjen e tij e çon në ekspozita, muze e restorante të shtrenjta me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Edi Ramës i sugjeroj, që fëmijët dhe gruan t’i çojë në azilet e Gjermanisë, për të afër se si mijëra familje shqiptare, kanë braktisur atdheun e tyre, falë punës tij për të Rilindur krimin dhe të korruptuarit. Zaho, i cili lindi në një klinikë private të Austrisë, duhet të takojë nga afër bashkëmoshtarët e tij patriot, shumë prej të cilëve kanë lindur në ambientet e azileve të Gjermanisë, pasi për shkak të mungesës së dokumenteve, nënat e tyre shtatzëna nuk i pranojnë spitalet. Në sytë e azilantëve, familja Rama do shohë realitetin shqiptar, pasi ata njerëz janë shqiptarë e fytyra reale e Shqipërisë të keqqeverisur.
Rama t’i thotë familjarëve të tij se gjatë këtyre 6 viteve që ai qeveris vendin, shqiptarët janë të dytët nga numri si azilkërkues në Gjermani.
Para tyre janë vetëm sirianët, një popull në luftë, ndërsa shqiptarët nuk i përzuri lufta, i përzuri skamja, vulgariteti, arroganca dhe keqqeverisja e Edi Ramës me shpurën e tij. Janë me mijëra shqiptarë, që u detyruan të braktisin atdheun e tyre, pasi nuk i’u mundësuan as kushtet minimale të mbijetesës. Rama i detyroi të braktisin trojet shekullore, për të cilët paraardhësit tanë kanë dhënë gjak, për t’i mbrojtur e fatkeqësi është kur mendon që shumë shqiptarë kanë ikur për një kothere bukë falas në azilet e Gjermanisë.
Varfëria në Shqipëri i kishte mposhtur, u kishte marrë dinjitetin, fytyrën e të vetmen mundësi mbijetese kishin azilet e Gjermanisë. Sikur të mos mjaftonte, Shteti Shqiptar i dërgonte letra autoriteteve gjermane, për kthimin e shqiptarëve, me pretekstin se vendi ynë është vend i sigurt, pavarësisht se shqiptarët nuk ikën se nuk ishin të sigurt, por ikën se nuk ushqenin dot as veten e as fëmijët e tyre. Ky kryeministër, duhet të shpallet “Nongrata” nga shteti gjerman, pasi politika gjermane nuk merret më me këtë e as me shpurën e tij.
Ekspozitat e tij, kanë jehonë vetëm në portalet e Rilindjes pasi, nëse shqiptarët, që jetojnë në Gjermani, do kishin marrë vesh se ky malukat ka shkuar te dëngla, do ishin ngritur në protestë e s’do ta kishin lënë as të zbriste nga aeroporti, siç ndodhte me Çausheskun, kur nevoja ia donte të vizitonte ndonjë vend evropian apo SHBA-në.