Opozita ka kërkuar të thirret në interpelancë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj lidhur me arsyen pse Policia ka hyrë në universitete, në kohën kur atje protestohet.
Kërkesa është bërë nga Albana Vokshi, kryetare e Komisionit të Medias sot në kryesinë e Kuvendit. Deputetët e mazhorancës të pranishëm në mbledhje nuk kanë reaguar.
Më 11 janar 2019, i pyetur për këtë çështje, ministri Lleshaj është shprehur se Policia ka ndërhyrë në ambientet universitare, me kërkesë të drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë: “Sigurisht që ligji për arsimin e lartë u garanton universiteteve autonominë dhe lirinë akademike, dhe mjediseve të universiteteve u garanton paprekshmërinë e tyre.
Ne kemi pasur këto ditë shqetësime sa i përket bllokimit të disa universiteteve, bllokim i cili ka çuar që një pjesë e madhe e studentëve t’u pamundësohet vijimi i studimeve. Dhe mbrëmë ka pasur një kërkese nga drejtues të universiteteve për ndihmë, në mënyrë që të liroheshin ato mjedise që janë zënë me barrikada të improvizuara nga disa persona të caktuar, nga një grup i vogël personash. Kryesisht veprimet janë bërë nga strukturat e policisë private të këtyre universiteteve. Policia ka mbështetur nga larg këtë veprimtari”.