Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry paraqiti dje Raportin e vitit 2016 për trafikimin e qenieve njerëzore në botë. Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë, vazhdojnë të jenë në grupin e dytë. Raporti i grupon shtetet në tri kategori: në të parën bëjnë pjesë shtetet, qeveritë e të cilave pëmbushin standardet minimale, në të dytën vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur dhe në të tretin janë vendet që nuk i plotësojnë standardet dhe që nuk bëjnë përpjekje.
Edhe në raportin e këtij viti, Shqipëria vazhdon të klasifikohet në kategorinë e dytë, përsa i përket trafikut me njerëz. Raporti thekson se, Shqipëria mbetet vend burimi dhe destinacioni në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar si brenda vendit, ashtu edhe në vende fqinje si Kosova, Maqedonia, apo Greqia.
Raporti ngre problemin e fëmijëve të komunitetit rom e egjiptian që shfrytëzohen si lypës apo në forma të tjera pune të detyruar, si dhe problemin e grave e vajzave që shfrytëzohen në tregtinë e seksit, pasi martohen me shkesëri në Shqipëri ose jashtë vendit. Korrupsioni dhe lëvizjet e shumta në personelin policor e bëjnë joefikase punën e forcave të rendit kundër problemit, thuhet më tej në analizën e Departamentit të Shtetit.
Problemet që vazhdojnë e bëjnë të pamundur që Shqipëria të përmbushë standardet minimale për t’u klasifikuar si vend që ka eliminuar trafikun, por raporti vlerëson se po bëhen përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim.
Autoritetet kanë përmirësuar reagimin e forcave të rendit, duke shpallur fajtorë më shumë trafikantë se në 2014, ndër të cilët edhe individë që detyronin fëmijët të punonin si lypsarë.
Por raporti nënvizon se ka rënë numri personave të identifikuar si viktima, apo i individëve të dyshuar si trafikantë, të cilët ndiqen penalisht, krahasuar me 2014. Në 2016, qeveria dhe OJQ-të identifikuan 109 viktima të trafikut dhe individë të kërcënuar nga trafikimi, krahasuar me 125 në vitin 2014. Raporti thekson edhe problemin e mos-identifikimit të personave të shfrytëzuar si viktima të trafikimit, por thjesht si çështje të lidhura me “shfrytëzim prostitucioni”, duke e bërë situatën e viktimave më të vështirë si gjatë procesit të hetimeve, ashtu edhe më pas në akordimin e mbështetjes.
Në 2015, qeveria ndoqi penalisht 15 të dyshuar, krahasuar me 18 të ndjekur penalisht në 2014. Të gjithë personat e shpallur fajtorë për trafikim u dënuan me burgim nga 6-17 vjet, megjithëse dënimi për tre prej tyre ishte nën standardin minimal prej tetë vjetësh burgim.
Qeveria, thuhet në raportin e DASH mbi trafikun me njerëz, ka ulur fondet për strehat shtetërore për viktimat e trafikimit, megjithëse ka vazhduar të financojë rrogat për 12 punonjës në dy qendra strehimi. Qeveria ka vazhduar praktikën e hetimit dhe ndëshkimit të viktimave për akte penale që janë kryer gjatë kohës që ishin të trafikuar, megjithëse ligji i mbron viktimat nga ndjekja penale.
Raporti nënvizon se plani i veprimit 2014-2017 përsëri nuk ka pasur fonde të mjaftueshme. Departamenti i Shtetit rekomandon në raportin e tij që, Shqipëria të ndalë ndëshkimet ndaj viktimave, për akte që janë kryer gjatë periudhës që ishin të shfrytëzuar nga trafikantë; të rrisë fondet e OJQ-ve për strehat e viktimave, të përmirësojë mbështetjen mjekësore, psikologjike dhe të riintegrimit për viktimat në streha. Raporti bën thirrje për infrastrukturë përmes shoqërisë civile për identifikimin e viktimave dhe për t’i mbështetur ata të raportojnë mbi trafikantët, zyrtarët e korruptuar dhe të përfshihen në procesin e hetimit të trafikantëve.