Pas akuzave të transmetuara në media në lidhje me përfshirjen e policisë në supergrabitjen e Rinasit, si dhe nisjen e hetimeve ndaj drejtuesve të policisë nga ana e Prokurorisë, një oficer ka rrëzuar pretendimet e policisë se, rrethimin e jashtëm e ka nën përgjegjësi një kompani private sigurie, pasi sipas tij porta përmes së cilës kanë hyrë lirshëm grabitësit ka qenë pikë dislokimi për policinë.
Oficeri ka denoncuar se të gjithë drejtuesit kyç të Komisariatit të Rinasit janë të afërm dhe kushërinj të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Oficeri rrëzon pretendimet e policisë se, rrethimin e jashtëm e ka nën përgjegjësi një kompani private sigurie, pasi sipas tij porta përmes së cilës kanë hyrë lirshëm grabitësit ka qenë pikë dislokimi për policinë.
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje denoncimin e një oficeri sipas të cilit policia bashkëpunoi në grabitjen e miliona eurove në Aeroportin e Rinasit.
“Oficeri dixhital denoncon: Bashkëpunimin e policisë me maskat në vjedhjen e një kuintal euro tek dera e avionit të linjës në pistën e Aeroportit të Rinasit. Komisariati i Rinasit plot e përplot me kushërinj dhe ilakara të Saje qorrit”, shkruan Berisha ndërsa në vijim citohet denoncimi:
“Përshëndetje Doktor, në fakt në statusin tuaj për bashkëpunimin e policisë me maskat në vjedhjen e parave në pistën e aeroportit jeni i saktë. Pretendimi i policisë se rrethimin e jashtëm të aeroportit e ka kompania private është thjesht përpjekje për të dezinformuar sepse porta nga e cila janë futur maskat e armatosura brenda në aeroport është pikë dislokimi për policinë, por kësaj radhe ua kanë besuar maskave. Po shtoj këtu se në Komisariatin e Aeroportit të Rinasit të gjithë drejtuesit janë kushërinj dhe të afërt të ministrit tonë”.
Grabitja e Rinasit, pse u largua njësia antiterror para ngjarjes
Ngjarja e Rinasit, orë pas ore po merr jo vetëm përmasat e një supergrabitjeje brenda rekordeve botërore, por edhe të një skandali shtetëror për nivelin e sigurisë kombëtare që ka një vend anëtar i NATO-s. Pamjet e mesditës së 30 qershorit në aeroportin e vetëm ndërkombëtar që ka vendi ynë, sipas burimeve kanë alarmuar ambasadat kryesore të vendeve perëndimore në Tiranë. Alarmi mësohet se është përcjellë në kupolën e Ministrisë së Brendshme dhe atë të Ministrisë së Mbrojtjes, dy institucione këto përgjegjëse për sigurinë e objekteve strategjike të rëndësisë së veçantë, siç është Aeroporti i Rinasit.
Fakti që persona të armatosur kanë mundur të depërtojnë fare lehtë brenda pistës së avionëve me automjet dhe pasi kanë realizuar planin e tyre janë larguar pa asnjë pengesë, është një sinjal i qartë se siguria në vendin tonë, është në nivelin zero. Jo vetëm diplomatët e huaj, por çdo qytetar i thjeshtë, ka të drejtë të supozojë, se tre personat e armatosur që fatmirësisht kishin si qëllim vetëm grabitjen e parave të bankës, fare lehtë mund të ishin një celulë terroriste dhe mjeti me të cilin lëviznin, të ishte i mbushur plot me eksploziv.
Situata bëhet edhe më alarmuese kur sheh reagimin e Ministrisë së Brendshme, e cila fajëson për ngjarjen e rëndë, kompaninë private të sigurisë të pajtuar nga banka që transportonte valutë. Duhet bërë e qartë, se nuk ka asnjë lidhje grabitja e parave të bankës në vetvete, me shkeljen e hapësirës së një objekti të rëndësisë tejet të veçantë siç është aeroporti, nga njerëz të armatosur, maskuar dhe të motorizuar. Rojet e kompanisë private, mund edhe të kishin arritur, t’i shpëtonin thasët me para, por kjo nuk do të ndryshonte sërish asgjë për atë që po flasim dhe skandali e alarmi do të ishte po i njëjti. Nga ana tjetër kanë lëshuar mediat e tyre, t’i mbushin mendjen opinionit që të qetësohet, sepse terroristët e vetëquajtur islamikë, nuk e kanë si objektiv Shqipërinë, se ne jemi vend mysliman, e pallavra të tjera. Nuk ka në Europë vend më mysliman se Turqia, shto edhe faktin që kanë në krye një president të shquar si radikal fetar dhe përsëri e gjithë bota e pa që terrorizmi nuk e fali.
Skandali thellohet edhe më tej pasi mësohet, se është e vërtetë që menjëherë pas atentatit terrorist në Stamboll, është dhënë urdhër që të shtohen masat e sigurisë atë ditë në Rinas. Forca speciale dhe agjentë të antiterrorit kanë qenë prezentë në aeroport, deri në orët e vona të natës së asaj dite, por çuditërisht, ato janë larguar të nesërmen në mëngjes, pak orë përpara grabitjes me armë. E sigurt që do të kthehen kur të zbresë Kryeministri. Shërbimi për Çështjet e Brendshme në polici, po heton përveç të tjerave, edhe për këtë element, aq sa mund të hetojë një shërbim që varet dhe kontrollohet direkt nga ministri Tahiri.
Tashmë jemi mësuar me stilin e dalë boje të kësaj qeverie që për çdo dështim të gjejë fajtor këdo, përveç vetvetes, por rasti është flagrant. Mjafton të kërkohet përgjegjësi për mënyrën e zbatimit të ligjit dhe rregullores për ruajtjen e objekteve strategjike dhe do të shihet qartë sesa të zbuluar jemi ne, jo vetëm nga krimi, por veçanërisht nga rreziku terrorist.
Paaftësia e organeve që kanë për detyrë ruajtjen e sigurisë në vend, duket se është kthyer në papërgjegjshmëri totale nga vetë Kryeministri dhe qeveria që drejton dhe mënyra si i kalojnë dhe i justifikojnë këto ngjarje të rënda, është alarmante. Por si nuk kanë frikë për veten, pasi tashmë dihet nga të gjithë që kjo qeveri me gjithë kreun e saj, në këto tri vite ngeli aeroporteve.
Prandaj Presidenti i Republikës, duhet të thërrasë urgjent Këshillin e Lartë të Sigurisë, ashtu siç bëri më 21 nëntor pas ngjarjeve të Parisit. Parisi është 2032 kilometra larg nga Tirana, Stambolli 1017 kilometra, Rinasi brenda shtëpisë sonë.
Policia e dinte që kamerat e sigurisë ishin me probleme
Në një deklaratë të gjatë të policisë thuhet se ata ishin në dijeni të faktit që kamerat ishin me probleme. Sipas policisë ata i kishin kërkuar Drejtorisë së Aeroportit që më 30 mars që të merrnin masa për këtë problem. Në deklaratën zyrtare policia mundohet që të anashkalojë të gjitha përgjegjësitë e saj, në atë që mund të konsiderohet si grabitja e shekullit. Shumë pikëpyetje lindin mbi rolin e policisë dhe deklarata e djeshme vetëm sa i ka shtuar ato. Pyetja që shtrohet është se si është e mundur që policia nuk ka reaguar për shtimin e masave të sigurisë së aeroportit, megjithëse ka evidentuar problemet apo njerëzve të inkriminuar brenda këtij institucioni u ka interesuar vetëm identifikimi i këtyre problemeve? Inkriminimi i policisë nuk është diçka e panjohur. Ata njihen për dekonspirime të operacioneve mjaft të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar. Mos edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një skemë të pastër informimi dhe bashkëpunimi mes policisë që kishte konstatuar problemet me kamerat e sigurisë dhe grabitësve që kurrsesi nuk mund të ishin të rastësishëm aty?
Policia më tepër se e shqetësuar nga evidentimi i problematikës e kamerat duket se ka shërbyer si një udhërrëfyes i mirë për grabitësit.
Si ndodhi grabitja
Në orës 14:23 të datës 30.06.2016, sipas orës së sistemit të kamerave të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, një person i veshur me jelek me ngjyrë portokalli me fasha fosforeshente, kapërcen portën e ndodhur në skajin veriperëndimor të pistës, portë e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionët.
Ky person ka prerë drynin e derës dhe pasi e ka hapur atë, në territorin e pistës futet një automjet tip “Mercedes Benz” me ngjyrë vishnje. Autorët janë futur me makinë në vendqëndrimin e automjeteve të shërbimit dhe kanë kryer vjedhjen e parave që ndodheshin në makinën e blinduar të shoqërisë “Nazeri 2000”.
Në orën 14:27 ky automjet duket që del përsëri nga territori i aeroportit nga e njëjta portë, prej nga hyri.
Rezulton se pas daljes nga porta, autorët janë larguar në drejtim të aksit rrugor Rinas–Fushë-Krujë–Vorë.
Në orën 14:33, 10 minuta pas thyerjes së sigurisë së rrethimit të jashtëm të aeroportit, Salla Operative e DVK&M Tiranë njoftohet nga ODM (Operatori i Drejtimit dhe Menaxhimit të Aeroportit), se persona të armatosur kanë hyrë me automjet brenda territorit të pistës së avionëve dhe kanë kryer një grabitje.
Menjëherë me marrjen e njoftimit shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve duke konstatuar një automjet tip “Mercedes Benz”, i cili po digjej.
Në ndjekje të autorëve janë vënë forcat RENEA, FNSH, forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Komisariatit Krujë dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit.
Gjithashtu është ngritur në fluturim me efektiva të policisë RENEA helikopteri i policisë për krehjen e zonës nga ajri.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor ku ka vazhduar puna për zbulimin dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se persona të maskuar me maska dhe paruke, të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur të grabisin një sasi valute të kartëmonedhave të ndryshme, të deklaruar më pak se 1 milion euro, në automjetin tip “Blind” të shoqërisë SHPSF “Nazeri 2000”.
Sipas policisë, në sallën e monitorëve të mbikëqyrjes me kamera, nuk ka asnjë prezencë të policisë dhe njoftimi për ngjarjen që ndodhi në aeroport bëhet nga punonjësit e ODM.
Plani i grabitësve me elementë të inkriminuar në polici
Policia ka evidentuar problematikën, por në asnjë rast nuk e ka ndjekur problemin për ta bërë aeroportin më të sigurtë për qytetarët.
Vetë policia në deklaratën e djeshme bën një pasqyrë të komunikimeve me Drejtorinë e Aeroportit, por nuk jep rezultatet e përfundimit të këtyre shqetësimeve të ngritura. Kjo sjell edhe hije dyshimi mbi rolin që mund të kenë luajtur në bashkëpunim me grabitësit.
Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr. 457, datë 21.04.2014 i ka komunikuar Autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, veçanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nevralgjike të aeroportit.
Me shkresë ref. RCV/IA, datë 24.04.2014, protokoll 273/1, nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Policisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit.
Në vazhdimësi të korrespodencës për riparimin e mangësive të konstatuara, me shkresë nr. 496. protokoll 25.04.2014 Komisariati i Policisë Kufitare Rinas i është drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), me kërkesë për të ndërhyrë për marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problematikave të konstatuara lidhur me sigurinë në aeroport, duke i kërkuar koncesionarit që të zgjidhë menjëherë problemet e sigurisë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sigurinë në aeroporte.
Nga Autoriteti i Aviacionit Civil akoma deri ditën e sotme nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Po në vijim të korrespodencës me shkresë nr. 534/protokoll datë 24.03.2016, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas, i kërkon Autoritetit Aeroportual TIA, marrjen e masave për lëvizjen e mjeteve të shërbimeve të linjave ajrore brenda në pistë, si dhe rishikimin e sistemit të kamerave.
Në mbledhjen e këshillit të sigurisë së aeroportit, datë 30.03.2016 mbajtur me protokoll nr. 145 Ref: RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave, si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale.
“Syri.net”