Rrëfimi i Bilalit fundos Ramën

“Zëri i Amerikës” siguron pyetje-përgjigjet në Prokurorinë e Nju Xhersit të shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, i cili dyshohet se mundësoi foton. Paratë që derdhi për fushatën e Obamës u nisën nga Shqipëria. Rama mohon të ketë ofruar para.
Në Shqipëri është rikthyer debati rreth një foto të Kryeministrit aktual, Edi Rama me Presidentin Barack Obama të realizuar në vitin 2012. Çështja u rihap pasi qytetari amerikan me origjinë shqiptare Bilal Shehu, i cili mendohet se ndihmoi në atë kohë zotin Rama, kryetar i opozitës, të realizonte foton, pasi kishte derdhur 80 mijë dollarë kontribute për fushatën e Presidentit Obama, pranoi se kishte shkelur ligjet amerikane. “Zëri i Amerikës” ka mësuar se burimi i parave ka qenë nga Shqipëria. Në përgjigje të akuzave të opozitës, Kryeministri Rama hodhi poshtë çdo akuzë për kryerjen e veprimeve financiare për realizimin e fotos.
Aktet e procesit gjyqësor ndaj Bilal Shehut, shqiptarit me banim në Nju Xhersi, lidhur me financimin me burime të huaja të fushatës së Presidentit Obama, dëshmojnë, siç dhe e ka pranuar, se në shtator të vitit 2012 ka ndihmuar dy shtetas të huaj që të japin një kontribut prej 80 mijë dollarësh. Në pyetjet drejtuar Shehut, të cilat janë siguruar nga “Zëri i Amerikës”, nuk përmenden emra, por të dy shtetasit cilësohen si i Huaji 1 dhe i Huaji 2. I Huaji 1 rezulton të jetë qytetar grek, përmes një kompanie të të cilit rezulton të jetë bërë dhe lëvrimi i fondeve. “Zëri i Amerikës” ka mësuar gjithashtu nga burime zyrtare se paratë që janë kaluar në llogarinë e Shehut janë dërguar nga Shqipëria.
Nga procesi i pyetjeve rezulton se financimi për fushatën do të bëhej me qëllim që dy personat të merrnin pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012. Ligjet amerikane ndalojnë financimet nga jashtë për fushatë. Po ashtu dhe pjesëmarrja e të huajve në ceremonitë e mbledhjeve të fondeve është e ndaluar, përjashto rastet kur ata shoqërohen nga shtetas amerikanë. Shehu ka pranuar se do të shoqëronte në ceremoninë e San Franciskos të Huajin 2 dhe se e ka bërë këtë në muajin tetor. Po ashtu, ai ka pohuar se të Huajit 2 nuk i është lejuar hyrja, por vetëm një foto me Presidentin Obama.
Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia “BIRN”, Shehu ka postuar në Facebook më 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njëjtën ditë me zotin Rama.
Foton e tij me Presidentin Obama, zoti Rama e shpërndau në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Menjëherë u hodhën dyshimet se fotoja ishte realizuar falë Bilal Shehut. Që në atë kohë u bë i njohur fakti se Shehu kishte dhënë donacione prej 80 mijë dollarësh. Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, u kërkoi menjëherë autoriteteve amerikane të hetonin burimin e parave që siç theksonte ai ishin “përdorur për të siguruar një fotografi, që kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama ka bërë me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar”.
Dje zoti Rama reagoi për këtë çështje pas akuzave të ngritura më herët nga Partia Demokratike, si dhe publikimit nga mediat lokale të vendimit të pranimit të fajësisë nga ana e Shehut, duke folur për “manipulim mediatik”. Zyra e tij theksoi në një deklarata se, “Kryeministri Edi Rama, as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara”, por ai nuk sqaron nëse ka qenë në dijeni apo jo nëse një subjekt tjetër ka kryer pagesën për të mundësuar pagesën apo fotografinë e tij.
Lidhur me njohjet e tij me Bilal Shehun, shpjegohet se ai “është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”. Në deklaratë megjithatë nuk përmendet se ku është bërë takimi me Shehun.
Partia Demokratike e akuzoi zotin Rama se ka paguar 80 mijë dollarë për një foto me Presidentin amerikan për të mashtruar shqiptarët. Kryetari Lulzim Basha ngriti një sërë pyetjesh drejtuar Kryeministrit: “Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohë kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh? Apo janë para ryshfeti e korrupsion? Cili është burimi i tyre? Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?”.
Zoti Basha kërkoi që edhe Prokuroria shqiptare të nisë një hetim për këtë çështje.

Si Rama pranoi takimin në mbledhjen e fondeve

Edi Rama – Mendoj se ndalimi i Clinton në Tiranë ishte pasqyrë e një kthjelltësie të plotë lidhur me vetëdijen e aleatit tonë të madh strategjik për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ajo iu drejtua Parlamentit me shprehjen ju lutem bëni zgjedhje serioze, domethënë se ka një shqetësim shumë serioz dhe adreson edhe një apel për këtë.
Sokol Balla – Pas ikjes së saj, më shumë dukej sikur ishit entuziast për takimin, se sa vizitën. Çfarë ju tha duke iu bërë kaq entuziast?
Edi Rama – Nuk e fsheh që ishte takimi më i bukur i jetës sime politike. Takimi më i bukur, sigurisht ishte po aq i bukur takimi me Presidentin Obama, por ky ishte një takim i gjatë, në të cilin pata kënaqësinë e jashtëzakonshme të diskutoja me sekretaren për ato çështje që kam shprehur edhe publikisht disa herë më parë.
Sokol Balla – Pra, takimi me Clinton ishte edhe më i bukur se ai me Presidentin Obama?
Edi Rama – Nuk thashë ekzaktësisht këtë, por ndryshimi është që ishte një takim i gjatë, ndërsa me zonjën Clinton shtjellova në mënyrë shpjeguese problematikën me të cilën përballemi sot. Takimi me Obamën ishte një eveniment, për mua si politikan dhe qytetar e admirues i tij, nga pozitat e një njeriu që beson shumë në atë që ai përfaqëson dhe përpiqet të bëjë
Sokol Balla – Ju nuk keni folur shumë për këtë takim me Presidentin e SHBA-ve.
Edi Rama – Nuk ka qenë një takim zyrtar dhe duke qenë kështu, as nuk kam pasur dhe as nuk kam dëshirë që të bëj gjëra publike, duke respektuar faktin që takimi nuk ka qenë zyrtar.

Bilal Shehu para hetuesve në New Xhersi: 80 mijë dollarët erdhën nga Shqipëria

“Zëri i Amerikës” ka mësuar se fondet prej 80 mijë dollarësh që përmenden në akuzën ndaj shtetasit Bilal Shehu janë me origjinë nga Shqipëria. Sipas akuzës, personi në fjalë u përpoq të bëjë transferimin e këtyre fondeve për fushatën elektorale të Presidentit Obama dhe për të futur në një takim elektoral një shtetas të huaj, i cili ndonëse nuk hyri dot, arriti të bëjë një fotografi me Presidentin Obama. Ja pyetjet që iu drejtuan në seancën gjyqësore shtetasit Bilal Shehu me banim në Paramus të Nju Xhersit, i cili pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.
I akuzuari iu përgjigj pozitivisht të gjitha pyetjeve:
1. Gjatë ose rreth muajit tetor 2012, në Distriktin e Nju Xhersit dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga personi i Huaj 1 dhe kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama?
2. Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për Mbledhje Fondesh”)?
3. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh në atë datë?
4. A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh, një jo shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan?
5. A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin jo shtetas?
6. A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me shtetasin e Huaj 2 në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në aktivitet të shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan?
7. A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionit e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal?
8. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal, si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në aktivitetin e San Franciscos?
9. A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
10. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në Nju Xhersi nga llogaria e shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
11. Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?
12. A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për shtetasin e Huaj 2?
13. Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej aktiviteti për Mbledhje Fondesh?
14. A iu mohua shtetasit të Huaj 2 hyrja në aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?
15. Duke vënë në jetë këtë skemë, a vepruat ju me dijeninë dhe me dëshirën tuaj?
16. A jeni fajtor për akuzën e ngritur në informacion?

Avokati Alan Abramson: Bilali është penduar thellë

Shqiptaro-amerikani Bilal Shehu, i cili u akuzua tre vjet më parë se kishte përdorur para të marra nga jashtë Amerikës për të siguruar një mundësi për fotografi mes Edi Ramës, në atë kohë, kryetar i Partisë Socialiste në opozitë dhe Barack Obama, presidenti amerikan në fushatë për rizgjedhje, pranoi fajësinë e tij në një gjykatë federale në Njuuark, Nju Xhersi në SHBA dhe pritet të dënohet, njoftoi agjencia Reuters.
Sipas Reuters dhe mediave të tjera amerikane, Shehu pranoi fajësinë duke deklaruar se në shtator 2012, ai mori një transfertë bankare prej 80 mijë dollarësh “nga një burim i huaj” me dijeni të plotë se këto para duhej të përdoreshin për të paguar pjesëmarrjen në një aktivitet për mbledhje fondesh për fushatën e Obamës. Aktakuza nuk e përmend emrin e financuesit të huaj të këtij operacioni të paligjshëm në SHBA, por Reuters thotë se personi që përfitoi nga financimi qe Edi Rama, aktualisht kryeministër i Shqipërisë.
“Një shofer limuzine nga Nju Xhersi pranoi fajin të mërkurën se ndihmoi në transferimin e 80 mijë dollarëve kontributeve nga jashtë për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2012 në mënyrë që një nënshtetas i huaj të mund të merrte pjesë në një aktivitet fushate,” shkruan Reuters.
Por në vitin 2013, një kongresmen republikan e identifikoi ngjarjen dhe bëri thirrje për hetime mbi blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për një aktivitet për mbledhje fondesh në San Franvcisko në tetor 2012.
“Në aktivitetin e tetorit 2012, Rama, udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u fotografua me Obamën,” shkruan Reuters.
Kongresmeni Dana Rohrabacher i Kalifornisë në atë kohë u ankua se fotoja e Ramës me Obamën u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Obamës gjatë zhgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, zgjedhje që e bënë atë kryeministër.
Prokurorët thanë se biznesmeni Shehu, banor në Nju Xhersi, shkoi në San Francisko dhe u përpoq të hyjë në aktivitetin për grumbullimin e fondeve me nënshtetasin e huaj, por këtij të fundit iu refuzua hyrja. Gjithsesi, nënshtetasit të huaj, (Ramës) iu dha mundësia të fotografohej me Obamën.
“Duke pranuar fajin sot, z. Shehu pranoi përgjegjësinë për sjelljen e tij dhe shpreh pendesë të thellë për veprimet e tij,” deklaroi avokati Alan Abramson sipas Reuters. Stafi i Obamës nuk është vënë nën akuzë për këtë ngjarje pasi sipas prokurorëve, ka bashkëpunuar në tërësi me hetimin dhe duket se nuk ka pasur dijeni se paratë e dhëna nga Shehu kishin në fakt origjinë të huaj.

Artikulli paraprakJa çfarë thotë ligji për rolin që ka Policia në Aeroport
Artikulli tjetërFaqja e parë