Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është pyetur pasditen e sotme nga gazetarë në lidhje me hetimet e Prokurorisë kundër Zërit të Amerikës.
Sipas kreut të opozitës, ‘prokuroria meriton grushtin e protestës, njësoj si Rama e Veliaj’.
“Po asistojmë në një farsë totale. Prokuroria duhet të çojë në burg politikanët e kapur në flagrancë, duke blerë e shitur vota. Me aktin e sotëm ku ajo shqetësohet për nxjerrjen e sekretit nga Zëri i Amerikës, prokuroria meriton grushtin më të fuqishëm me 16 shkurt, njësoj si Edi Rama dhe Erion Veliaj.
• Në ditën e 89 të protestës, banorët e Unazës e detyruan Edi Ramën të anullojë tenderin e dytë, duke prishur pazarin për 5 milionë euro vjedhje. Edi Ramës ka frikë nga protesta.
• Veliaj po kalon dy akte korruptive në këshill bashkiak, Do që t’i japë pronën publike tek Policia Bashkiake një kompanie ndërtimi të akuzuar për pastrim parash droge nga pushtetarë. Miratoi dhënien me koncesion të parkimeve.
• Prokuroria, që fle gjumë mbi dosjet e krimit, duhet të nisë sot hetimin edhe për shumat e mëdha të parave të krimit që Erion Veliaj do të shpenzojë për të blerë vota në Këshillin Bashkiak për të vjedhur pasuritë e qytetarëve shqiptarë.
• Skemat korruptive të Ramës dhe Veliajt zhvasin qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë. Ju bëj thirrje të ngriheni të protestoni për xhepat tuaj, për të ardhmen dhe për fëmijët tuaj.
• Më 16 Shkurt t’i japim një grusht mu në zemër malit të korrupsionit, vjedhjes, nëpërkëmbjes dhe poshtërimit, të ndalim qeverinë më të korruptuar dhe të inkriminuar në këto 29 vite pluralizëm dhe t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.
• Më 16 shkurt të jemi si një familje e madhe, sepse nuk ka forcë tjetër që mund ta ndalë pushtetin e korruptuar të Edi Ramës përveç qytetarëve të bashkuar. • As Edi Rama, as Erion Veliaj nuk kanë për të shkuar në asnjë vend tjetër, përveçse në burgun 313. Nuk do t’i lejojmë të arratisen nga Shqipëria, por do të japin përgjegjësi para drejtësisë. Ky është modeli europian I 16 Shkurtit.