Ditën që Kylian Mbappé u shpall “madridista” në “Santiago Bernabéu”…

Kylian Mbappé e ka në kokën e tij (dhe në zemër) idenë që një ditë të luajë te Real Madridi. Një dëshirë e përbashkët me tifozët nga “Bernabéu”, të cilët e shohin talentin francez si flamurin e skuadrës së tyre të zemrës për disa nga vitet e ardhshme. Kështu mendon spanjollja “AS”, e cila shkruan sot mbi këtë projekt të dëshiruar nga palët, por që mbetet të bitiset:
Siç jeni në dijeni, Mbappe (mbushi 20 vjeç më 20 dhjetor) bëri një deklaratë “dashurie” ndaj ngjyrave të bardha, pikërisht ditën e Shën Valentinit. Ishte 14 shkurti 2018. PSG-ja, me Neymar, Cavani dhe vetë Mbappé, vizitoi “Bernabéu” në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve. Një dopietë e Cristiano Ronaldos dhe një gol i vonë i Marcelo i dha fitoren 3-1 të skuadrës së Zidane.
Pas ndeshjes, në hapësirën e dhomës së zhveshjeve, ku është e zakonshme që lojtarët të kryqëzojnë rrugët me punonjësit e klubit, Mbappé ndodhi që të takohej me Isidro Dazin. Isidro ishte te skuadra e Madridit në mes të viteve 1977 dhe 1985, ku u konsolidua si një lojtar, që ka luajtur në të gjitha pozitat. Ai ka shumë vite që punon në klubin mbretëror spanjoll si një lloj këshilltar personal në akademinë e të rinjve. Një funksion që Javi García Coll e pati në ekipin e parë për gati njëzet vite.

Për habinë e veteranit të bardhë, Mbappé e njohu, duke e takuar dhe i thënë: “Isidro, çfarë gëzimi të të shoh ty!” Është mirë të mbani mend se talenti francez e kishte vizituar Madridin në vitin 2013, i shoqëruar nga prindërit dhe xhaxhai i tij. Kylian, i cili kishte spikatur që 14 vjeç, u fotografua me idhullin e tij, CR7, gjithashtu edhe me Zidane, atëherë në stafin teknik të Real Madridit (Ancelotti ishte trajner).
Në ato ditë ai ishte duke vizituar “Bernabéu” dhe në “Valdebebas” e shoqëroi Isidro. Ky i fundit i shpjegoi se si punon Real Madridi dhe sa e mirë është akademia. Kjo ishte një përpjekje për ta bindur familjen e tij, që ta mbanin Mbappé në kryeqytetin e Spanjës. Për fat të keq për interesat e të bardhëve, Mbappé ka një familje shumë të strukturuar dhe të mirë, e cila e bindi atë të vazhdojë të jetonte në Parisin e lindjes, me një jetë të rregullt dhe në shtëpinë e prindërve.
Sidoqoftë, Kylian kishte marrë me vete dashurinë për klubin madrilen, ndaj, kur u takua me Isidro, pas ndeshjes së Championsi-t (të lartpërmendur) me Real madridin, sezonin e kaluar, ky i fundit i tha atij: “Ju duhet të vini në Madrid”. Mbappé, me atë buzëqeshje që “verbon” të gjithë tifozët e tij, u përgjigj: “Nëse do të ishte për mua, unë tashmë do të isha këtu”. Në fakt, këtë gjë e konfirmojnë disa dëshmitarë, që ishin prezent aty, në dhomat e zhveshjes së “Bernabéut”. Pra, është shumë e qartë se fati i tij duhet të jetë, nëse një ditë largohet nga PSG-ja, i lidhur me “Los Blancos”. Fara është mbjellë që nga ajo ditë e vitit 2013…

Artikulli paraprakNjë thumb për Juventusin, “tripletë… Ne interistët e bëjmë më së miri!
Artikulli tjetërBush-Berisha, Bolton-Rama!