Raportet ndërkombëtare janin një shifër dramatike për nivelin e varfërisë në Shqipëri ku 25% e populllisë ose plot 650 mijë njerëz mund të ushqehen vetëm një herë në ditë.
Denoncimi i Bashës
I bëj thirrje ndërgjegjes së socialistëve të ndershëm t’i thërrasin zërit të arsyes dhe t’i japin rrugë zgjidhjes politike përpara se populli të vendosë të marrë në dorë fatet e tij dhe të spastrojë këtë sallë dhe institucionet nga krimi dhe oligarkia.
Vendi është në krizë totale, por ky parlament nuk ka asnjë lidhje me hallet dhe problemet e njerëzve. Të gjitha ligjet që sjellin janë ligje për të zhvatur, sepse si aktivitet kryesor të ekonomisë kanë pastrimin e parave të pista të drogës dhe vjedhjen e talsave të shqiptarëve.
Rrealiteti i tmerrshëm në rrugët tregtare të qyteteve kryesore eshtë se ato janë kthyer në shkretëtirë. Gjysma e bizneseve me qepenat e mbyllur, ndërsa pjesa tjetër pa klientë, vetëm me 1 të vetëpunësuar, me taksa të shtuara, me fitime në rënie të përditshme.
Një qeveri dhe një parlament, i dalë nga votat e blera prej krimit, nuk e lidh asgjë me jetën e vështirë të qytetarëve, duke u bërë shkaku pse ekonomia është në krozë dhe shoqëria është sot në depresion dhe 1/5 shqiptarë ushqehet 1 herë më ditë.
Nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër politike, përveç një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, të garantuara në një mënyrë të tillë, që në këtë sallë të mos ketë asnjë parlamentar, që vjen si rezultat I paktit me krimin.
Ne shteruam çdo rrugë politike. Ne e kemi fare të qartë se pse e rrëzuat vettingun politik. Por, edhe ju duhet ta keni farë të qartë, se as Shqipëria e as Europa, nuk do t’ju lejojnë të vazhdoni më këtë maskaradë.
Disa prej jush i kanë marrë mesazhet në Berlin këtë javë. Në qershor nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë dhe përgjegjësi i vetëm për këtë është kryehajdutiRama, që është ekspozuar kudo si njeriu që është ulur në atë karrige me votën e krimit.
Për pesë kriteret kryesore jo vetëm që s’ka progres, por ka regres. Korrupsioni është thelluar, më vend të luftoni krimin e organizuar, ai ble vota për pushtetin tuaj, emërimet i panë tek VOA si bëhen, vendi është në krizë ekonomike. të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhunohen. Jeni damkosur, si pengesa kryesore për integrimin europian.
Kjo është një faturë e rëndë për vendin dhe shqiptarët! Nuk kemi pse të vazhdojmë ta paguajmë këtë faturë. Zgjidheni politikisht krizën! Ndryshe, qytetarët do ta marrin fatin në duart e tyre, duke nisur me spastrimin e kësaj salle nga shërbëtorët e krimit, që e kanë vendin prapa hekurave dhe para drejtësisë.
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË PARLAMENT.
Sot është rasti i parafundit për t’i bërë një thirrje ndërgjegjes së socialistëve të ndershëm, që detyrojnë kukullat e krimit dhe të oligarkisë, që kanë mbushur këtë sallë dhe bandat e qeverisë, t’i thërrasin zërit të arsyes dhe t’i japin rrugë një zgjidhjeje politike përpara se populli të vendosë të marrë në dorë fatet e tij dhe të spastrojë këtë sallë, institucionet nga krimi dhe oligarkia që i kanë kapur prej fyti.
Sesa e ka humbur sensin e realitetit, sesa larg realitetit është ky parlament kukull i krimit dhe oligarkisë, mjafton çdo moment retorike qeveritare, siç ishte ky që sapo ndoqëm këtu. Para tre ditësh, vizitova Portin e Shëngjinit dhe pata rastin të bashkëbisedoj me peshkatarët, afro një viti e gjysëm pas vizitës së fundit që kam patur me ta. Gjendja në të cilën ndodhen është tragjike. Porti dukej si i bombarduar nga forca ajrore armike. I vetmi ndryshim ishte me të vërtetë një sipërfaqe e vogël, e rrethuar, ku po ndërtohej Markata e Peshkut dhe nuk kishte peshkatarë dhe qytetarë të Shëngjinit që nuk e dinë që kjo nuk bëhet për peshkatarët por bëhet për ata monopolistë, një grusht monopolistësh dhe oligarkësh, miqtë e Edi Ramës, të cilët janë të vetmit që kanë përfituar nga politika klienteliste të kësaj qeverie. Peshkatarët e tjerë janë lënë në mëshirë të fatit, rrjetat i blejnë dyfishin, trefishin e çmimit, 20-30 mijë euro iu kushton remonti çdo vit. Sepse në asnjë prej katër porteve kryesore, këta që harxhojnë miliona euro në muaj për PPP-të, për skemën më kriminale të taksave të shqiptarëve, nuk kanë derdhur asnjë qindarkë që, të paktën, këto riparime të bëhen aty, t’i shërbejnë punësimit dhe të ulin koston e operimit të peshkatarëve shqiptar. Jo, nuk ka ndodhur kjo. E vetmja shkallë riparimi është ajo që kemi ndërtuar ne në bashkëpunim me Damën, është në një zonë ushtarake, e cila herë pas here, në një radhë të gjatë, i mundëson ndonjë riparim tani sektorit shqiptar të peshkimit, por shumica detyrohen të shkojnë në Greqi dhe Itali, me çmime të papërballueshme, shkatërrimtare për ta.
Ky ishte një moment, por të tilla janë të gjitha pikat e rendit të ditës sot, dje para një jave, para dy javësh, para tre javësh, sepse vendi është në krizë totale dhe kjo sallë nuk ka asnjë lidhje me hallet dhe problemet e përditshme të shqiptarëve, asnjë lidhje.
Të gjitha ligjet që sjellin këtu këta janë ligje zhvatje, “ligje rregullimi të peshkimit artizanal”, “formalizimi i peshkimit artizanal”, këta që aktivitetin kryesor të ekonomisë kanë pastrimin e parave të pista të drogës. Këta që aktivitetin kryesor të ekonomisë kanë vjedhjen e taksave të shqiptarëve, të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, që kanë paguar në vitet e qeverisjes së tyre 2 miliard euro më shumë për t’ia dhënë 5 oligarkëve, i ndajnë me Edi Ramën dhe politikanët e korruptuar që s’kanë asnjë lidhje me votën e qytetarëve.
Kriza ka arritur dimensione tragjike. Çdo ditë ka lajme tragjike nga vendi. Pasigurisë totale në shkolla dhe pacipësisë me të cilën shprehet Ministri i Brendshëm për ngjarjen tragjike në Kavajë, të dëshpërimit që i çon njerëzit drejt vetëflijimeve tragjike, si ai që ndodhi në Shijak, dhe që është një nga qindra raste të përvitshme, janë trefishuar rastet, vendi është në krizë depresioni, jo thjesht krizë sociale dhe ekonomike.
Të tjera raste të dhunimit dhe të sundimit të bandave mbi njerëzit e thjeshtë dhe biznesin, të dhunës në familje, si rasti i djeshëm në Vlorë, të gjitha simptoma të një krize totale që ka mbërthyer vendin.
Në këto ditë kam rivizituar disa prej qendrave kryesore urbane të vendit, nga Shkodra në Fier, në Durrës dhe kam parë një realitet të tmerrshëm, ku rrugët kryesore tregtare janë kthyer në shkretëtirë, gjysma e bizneseve me qepenat e mbyllur, gjysma e qepenave të hapur, brenda vetëm një njeri, i vetëpunësuari, burri apo gruaja e shtëpisë, fatlum nëse deri në ora 2 apo 3 të pasdites kanë patur 1 apo 2 klientë dhe një xhiro prej 5 apo 10 mijë lekësh të vjetra. Them fatlumë, si shprehje figurative, se s’ka asgjë fatlume, sepse paratë që duhet t’u paguajnë këtyre, me gjoba, me çmimin e rritur të energjisë, me çmimin e rritur të naftës, me çmimin e shtuar të kontabilistëve, se i kanë shtuar, i kanë futur në tvsh të gjithë, tejkalojnë çdo fitim minimal nga kjo xhiro që sa vjen e bie, siç bie fuqia blerëse e shqiptarëve.
Vendi është në krizë ekonomike dhe të vetmit që lundrojnë në luks janë një grusht politikanësh të lidhur me krimin dhe oligarkinë, për një arsye fare të thjeshtë: sepse si asnjëherë tjetër, prej shtatorit 2017, kjo sallë dhe qeveria shqiptare nuk i takon qytetarëve shqiptarë, nuk e ka lidhur fatin me qytetarët shqiptarë, por e ka lidhur fatin me ata që Zëri i Amerikës ua përplasi në fytyrë dhe ju nxori nga binarët seancën e kaluar, me Niçet, me Bajrët, me Ndokët, me Çelët dhe Sanxhaktarët, me Shullazët, me Bandën e Lushnjës, me bandat e Vlorës, me bandat anembanë Shqipërisë.
Një qeveri dhe një parlament i cili është ulur në këto karrige me votën dhe ndihmën e krimit, nuk ka asnjë lidhje me hallet e qytetarëve, prandaj ata ndihen më të braktisur se kurrë, jetimë, të lënë në mes të katër rrugëve. Fakti është se një qeveri dhe një parlament ekziston për disa arsye të thjeshta. Vetë institucionet e shtetit ekzistojnë për disa arsye të thjeshta, pjesë e një kontrate sociale, janë vullneti i qytetarëve, janë vullneti i banorëve, për të bërë disa detyra elementare, sigurinë, mirëqenien, shëndetësinë dhe shërbime të tjera sociale. Siguria zero, shëndetësia në mesjetë, punësimi është plaga më e madhe e shqiptarëve, mirëqenia vithiset nga java në javë, duke arritur rekorde, siç është përditësimi i raporteve të Organizatës Botërore të Ushqimit, e cila rikonfirmoi se një në dhjetë shqiptarë ushqehet vetëm një herë në ditë, ndërsa familjet e gjysmës së popullsisë shqiptare jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, 5 mijë lekë të vjetra në ditë. A duan t’ia dinë këta? Sigurisht që jo. Gjysma prej tyre, nuk kanë asnjë lidhje, as me partinë, emblemën e të cilës mbajnë këtu në këtë sallë, as me anëtarësinë e asaj partie. Kanë lidhje vetëm me kriminelët.
Çfarë janë 5 dollarë, për dikë që ulet, ha dhe pi në dreka e darka që vetëm shishja e verës bën 1 mijë usd?!
Çfarë janë 5 dollarë për një kryeministër që, brenda një dite, me një transaksion të KESH, i jep një kompanie të lidhur me të, 4.5 milion usd?!
Nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër politike, përveç një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, të garantuara në një mënyrë të tillë, që në këtë sallë të mos ketë asnjë parlamentar, që vjen si rezultat i paktit me krimin.
Ne shteruam çdo rrugë politike. Ne e kemi fare të qartë se pse e rrëzuat vettingun politik. Por, edhe ju duhet ta keni farë të qartë, se as Shqipëria e as Europa, nuk do t’ju lejojnë të vazhdoni më këtë maskaradë.
Disa prej jush i kanë marrë mesazhet në Berlin këtë javë. Në qershor nuk do të ketë hapje negociatash për Shqipërinë. Nuk do të ketë hapje negociatash me Shqipërinë në qershor dhe përgjegjësi i vetëm për këtë është kryehajduti, që tashmë është ekspozuar si njeriu që është ulur në atë karrige, jo me votën e shqiptarëve, por më votën e krimit.
Kjo është një faturë e rëndë për vendin. Kjo është një faturë e rëndë, për shqiptarët! Nuk kemi pse të vazhdojmë ta paguajmë këtë faturë.
Thirrini mendjes! Dëgjojini dhe socialistët e ndershëm. Të papunët, të harruarit, të braktisurit, që I keni hedhur në rrugë, sepse rrini dhe fërkoheni nga mëngjesi deri në darkë, me krimin.
Jepini rrugë politike! Zgjidheni politikisht këtë krizë, sepse, ndryshe, prej 16 shkurtit, të jeni të sigurtë se qytetarët shqiptarë, do ta marrin fatin e tyre në duart e tyre, duke nisur me spastrimin e kësaj salle nga shërbëtorët e krimit, që e kanë vendin prapa hekurave dhe para drejtësisë.
REPLIKA ME MINISTRIN E BRENDSHËM, SANDËR LLESHAJ
Ka një shprehje të njohur për shqiptarët: kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin.
Ndaj, ty të duhet pak kohë të mësosh përmendësh tezat bajate të propagandës së Edi Ramës, të cilin duhet ta pyësësh, përse i promovoi ata që u akuzuan se shtinë mbi ata që i sollët për t’i vrarë dhe mbi të cilët marshuat drejt pushtetit tuaj korruptiv.
Por, këto janë çështje që socialistët i dinë fare mirë. I dinë socialistët e Fierit, i dinë socialistët e Burrelit, prandaj do të duhet edhe pak kohë t’i mësosh përmendësh tezat bajate dhe je fatkeq, se, kur të tjerët janë zbythur e kanë rënë kokëposhtë duke treguar këto gënjeshtra, ti je i fundit që vjen dhe kujton se po thua gjëra të reja.
Sa i përket rekordit tim si Ministër i Brendshëm, je dy herë fatkeq, sepse, kur unë punova dhe ia dola të plotësoja 150 kritere të luftës kundër krimit të organizuar, se bashku me miq të nderuar, disa prej të cilëve i ke dëshmitarë sot në Tiranë në pozicione të shquara, dhe arrita që shqiptarëve t’u plotësonim një ëndërr, atë të lëvizjes pa viza në zonën Shengen, zotrote, bashkë me disa të tjerë, e kishit mendjen sesi të krijonit alibitë për Edi Ramën dhe për pengesat që ai i vuri Shqipërisë, si askush tjetër, por pa sukses, në procesin e vizave për shqiptarët.
Ndërsa se ku e kane katandisur sot Shqipërinë, shefi yt, parardhësit e tu dhe propaganda jote nuk të ndihmon dot.
Delja e zezë e Europës, Kolumbia e Europës, bazë e krimit të organizuar, vendi 1 për pastrimin e parave të pista të krimit, kriminelët në Parlament dhe në krye të Bashkive. Ky është rekordi i Ministrisë së Brendshme dhe i kësaj qeverie të kapur dhe të zhytur në krim. Pra në një pikë biem dakord, s’kemi krahasim!