Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe ai ne Beograd, Kyle Scott, thanë të premten se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin veprimet që sigurojnë rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe nëse e bëjnë këtë, është e mundur një marrëveshje normalizimi brenda vitit 2019.
Ata i bënë këto komente në një shkrim të përbashkët në të cilin theksohet se “udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë”.
Ata shkruajnë se kjo do të vinte themelin për një të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në rajon.
“Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën”.
Diplomatët theksojnë se palët e kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
Në shkrim citohen letrat që presidenti Donald Trump u dërgoi udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës për t’i nxitur të dyja vendet që “ta shfrytëzojnë këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dy vendeve”.
Në shkrim theksohet se “Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet t’i ndihmojë qëndrueshmërisë afatgjatë të rajonit.
Iu takon prijësve dhe ekipeve të tyre për t’i rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’ju ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin”.
“E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë”, thuhet në shkrim. “Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien. Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të anët, për t’ju dhënë të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë hise në suksesin e saj. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy anët në mënyrë efektive e ndërtojnë dhe e zbatojnë një marrëveshje jetëgjatë. Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon. Nëse të dy anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez”.
Ata tërheqin vërejtjen se “status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dy vendet, si dhe ka bërë që profesionistët dhe të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më të qëndrueshme, me ekonomi më dinamike. Në vend të tyre po zënë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjerë ekstremistë duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë”.
Në shkrim theksohet se asnjëri vend nuk përfiton nga pengesat dhe vonesat e vazhdueshme. “Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen dhe mbarësinë e jo konfliktin dhe vështirësitë ekonomike.
Një marrëveshje kompromisi, e qëndrueshme dhe e zbatueshme, është në interes të të dy vendeve. Qëndrueshmëria dhe mbarësia afatgjatë e Kosovës dhe Serbisë varen në kthimin te dialogu i udhëhequr nga BE-ja dhe guximi për të tejkaluar të kaluarën dhe të për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët. Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për tu nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës”, shuhet në shkrimin e përbashkët të diplomatëve amerikanë.
Aktualisht bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që për pak ditë do të kremtojë 11 vjetorin e pavarësisë dhe Serbisë që refuzon të njohë atë, janë pezulluar për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja palëve.