Del sërish në skenë emri i Louis van Gaal. Pas shkarkimit nga stoli i Manchester United në fund të sezonit të kaluar, mediat holandeze raportojnë se 64-vjeçari nga Amsterdami mund të rikthehet shumë shpejt në drejtimin e një skuadre. Nuk bëhet më fjalë për një klub, por për përfaqësuesen e Belgjikës. Eliminimi në çerekfinalet e Europianit nga Uellsi ka bërë që drejtuesit e federatës belge të mendojnë për një trajner të ri dhe me shumë më tepër eksperiencë se Marc Wilmots.
Van Gaal është profili i duhur për të marrë drejtimin e Djajve të Kuq, edhe pse për momentin Federata belge e Futbollit ende nuk ka marrë një vendim përsa i përket të ardhmes së Marc Wilmots. Fakti që Van Gaal në të kaluarën ka drejtuar në dy periudha të ndryshme përfaqësuesen holandeze të futbollit është pozitiv dhe shton shanset e tij për të marrë drejtimin e një prej kombëtareve më premtuese në botën e futbollit, por që deri tani me një trajner si Wilmots në krye nuk i ka përmbushur pritshmëritë në asnjë kompeticion madhor. Van Gaal nga ana e tij është i gatshëm për të dëgjuar çdo ofertë që mund të vijë në drejtim të tij nga drejtuesit e Federatës belge të Futbollit.
Federata spanjolle e Futbollit i ofroi një pozicion të ri Vicente del Bosque-s, pas takimit me krerët e institucionit, ku trajneri konfirmoi vendimin për të mos vazhduar punën në krye të kombëtares. 65-vjeçari njoftoi largimin menjëherë pas humbjes 2-0 të La Roja-s përballë Italisë, që i shkaktoi kampionëve të Europës në fuqi eliminimin në 1/8-at e Kampionatit Europian.
Tashmë, mbyllja e bashkëpunimit u formalizua, por krerët e federatës synojnë të shfrytëzojnë njohuritë dhe eksperiencën e Del Bosques, duke i ofruar një tjetër detyrë në radhët e institucionit.
Kjo konfirmohej në njoftimin zyrtar të Federatës spanjolle, ku përpos informacionit rreth takimit të 4 korrikut në Madrid, thuhej se presidenti Angel Maria Villar e cilëson trajnerin pjesë të trashëgimnisë së futbollit iberik dhe Del Bosque iu përgjigj pozitivisht ftesës që të vazhdonte punën në federatë. Oferta do të materializohet në javët në vazhdim.
Vicente del Bosque mori drejtimin e përfaqësueses spanjolle në vitin 2008 dhe menjëherë e udhëhoqi skuadrën drejt triumfit në Kampionatin Europian. Ai ishte trofeu i parë madhor në 44 vjet, por edhe nisja e një cikli të artë. La Roja triumfoi edhe në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut, si edhe mbrojti me sukses titullin kontinental në Euro 2012.